Sherri për “President nga Populli”, ja biseda mes Hafizit dhe Dodës

Jul 1, 2016 | 11:53
SHPËRNDAJE

Prej dy javësh Mimoza Hafizi dhe Ben Blushi nga njëri krah dhe Mesila Doda e PDIU nga ana tjetër akuzojnë njeri- tjetrin për vjedhjen e idesë së zgjedhjes së Presidentit nga Populli.

mimoza-hafizi-655x356

Deputetja socialiste, Mimoza Hafizi ka publikuar sot një pjesë të bisedës që ka pasur me Mesila Dodën ditën që në Parlament Ben Blushi bëri të ditur se do të inicionte këtë propozim.

Statusi i Hafizit

Eshtë shumë fyese, dezinformuese, joetike dhe lënduese gjuha e përdorur nga Zj. Mesila Doda ndaj meje dhe Z. Blushi, si nismëtarë të ndryshimeve kushtetuese që tashmë kanë marrë mbështetjen e deputetëve të një spektri të gjerë të parlamentit.

Ndonëse debati rreth autorësisë së amendamenteve është absurd, ndjehem e detyruar të jap shpjegime rreth pretendimeve që janë ngritur.

Në seancën plenare të datës 23 Qershor, deputeti Blushi dha thelbin e dy ndryshimeve kushtetuese që ne propozonim: zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli dhe ulja nën 50% e pragut të numrit të deputetëve, që ndryshimet kushtetuese t’i kalojnë referendumit popullor. Për këtë dëshmon një foto e faqes 22 të procesverbalit të seancës, bashkëlidhur. Procesverbalin e plotë e gjeni në Parlamentin e Shqipërisë.

Me mbarimin e seancës, më ka kontaktuar Zj. Doda, e cila më tregoi se edhe PDIU ka patur propozim për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. i kërkova një kopje të dokumentit, me shpresën që varianti i PDIU dhe varianti ynë të afroheshin, në mënyrë që të dilnim me një amendament të përbashkët. Dokumenti më ka mbërritur me email të nesërmen, datë 24 Qershor.

Mesila Doda
Mesila Doda

Ky dokument, siç e verifikova që në çastin e parë, ishte një listë me komente, dërguar komisionit të Reformës në Drejtësi. Ai nuk kishte formën e një projekt-ligji.

Zgjedhja e Presidentit të Republikës në komentet e PDIU ishte konceptuar t’i kalonte popullit vetëm nëse në tre seancat e para të zgjedhjes në Parlament, nuk arrihej mazhoranca 3/5. Kurse amendamenti ynë thotë: Presidenti i Republikës zgjidhet drejtëpërdrejt nga populli me votim të fshehtë për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Kandidati për President duhet të mbështetet së paku nga një parti politike e përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë ose nga 10.000 shtetas me të drejtë vote.

Këto dy variante janë krejt të ndryshme, prandaj unë nuk vazhdova të kërkoj afrimin e amendamentit tonë me propozimet e PDIU.

Ende sot nuk ekziston asnjë propozim në formë projekt-ligji me amendamente nga PDIU.

Ftoj PDIU të merret me idetë e propozuara dhe jo me deputetët propozues. Ne nuk kemi cënuar as fyer kërkënd. Z. Blushi s’ka patur asnjë komunikim me Zj. Doda, gjithë komunikimi që përshkrova më sipër ka qenë vetëm me mua.

Ne do vazhdojmë të kërkojmë mbështetje nga deputetët e Parlamentit për ta futur në seancë dhe për ta votuar amendamentin tonë.

Ndërkohë, kemi nisur një peticion online, përmes të cilit kërkojmë mbështetje popullore. Deri tani, vetëm për pak orë, numri i votuesve e ka kaluar 4000.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura