Sherri për borxhin me mikun e Shullazit, plagoset me thikë 21-vjeçari

Jul 26, 2016 | 8:07
SHPËRNDAJE

Një konflikt i nisur para 25 ditësh, mes një 21-vjeçari e dy personave të tjerë, njëri i njohur si mik i Emiljano Shullazit, është mbyllur të shtunën me plagosjen e të riut, në zonën e Yzberishtit, në Tiranë.

Klajdi Gjeçi
Klajdi Gjeçi

Policia tha dje se shtetasi me iniciale O.Dh., 21 vjeç, është goditur me thikë nga 22-vjeçari Kod Koshena, tashmë i arrestuar nga Policia. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30, në rrugën “Tre Dëshmorët”, kur i plagosuri fillimisht ka goditur me shishe në kokë Koshenën.

Ndërsa ky i fundit i është kundërpërgjigjur duke e goditur me thikë, aq sa shtetasi O.Dh., ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Burime nga grupi hetimor thanë se i arrestuari Koshena, i kishte shpëtuar më parë arrestimit, në një konflikt që kishte ndodhur po me të njëjtin person. Para më shumë se tri javësh, Kid Koshena dhe Klajdi Gjeçi, kishin dhunuar 21-vjeçarin, për një borxh të pakthyer.

Gjeçi, i cili njihet si mik i Shullazit, u ndalua nga Policia e Tiranës dhe u procedua në gjendje të lirë me akuzën “dëmtime të tjera me dashje”. Ndërsa Kid Koshena arriti të largohej nga vendngjarja, duke u arrestuar mbrëmjen e së shtunës, pasi kishte plagosur me thikë të riun dhe kishte edhe vetë disa plagë në kokë.

Sipas burimeve nga Policia, ngjarja e së shtunës në Yzberisht, ishte më tepër hakmarrje nga ana e autorit, për kallëzimin që i dëmtuari kishte bërë ndaj tij dhe Klajdi Gjeçit, në konfliktin e mëparshëm që kishin pasur bashkë për borxhin e pakthyer.

KONFLIKTI

Më shumë se tri javë më parë, Policia e Tiranës u lajmërua nga disa persona, se një i ri po dhunohej nga dy të tjerë, madje i kishin vënë edhe pistoletën në kokë. Sipas Policisë, bëhej fjalë për shtetasin që u plagos të shtunën, 21- vjeçarin me iniciale O.Dh., që po dhunohej nga shtetasi Klajdi Gjeçi dhe Kid Koshena.

Ngjarja ka ndodhur në territorin e Kombinatit dhe në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komosariatit nr.6, menjëherë sapo është dhënë njoftimi në sallën operative. Por në momentin që Policia mbërriti në vendngjarje, aty ndodhej vetëm i dëmtuari dhe shtetasi Klajdi Gjeçi.

Ndërsa personi i arrestuar dje, Kid Koshena, kishte arritur të largohej, duke marrë me vete edhe pistoletën që pretendohej se i ishte vendosur në kokë 21-vjeçarit. Të gjendur përballë fakteve të tilla dhe vetëm me deklarime, dëshmitarët e të dëmtuarit, të cilët nuk kishin prova të tjera bindëse për kanosje me armë, Policia ka shoqëruar Klajdi Gjeçin, i cili më pas është lënë i lirë, duke u proceduar për “dëmtime të tjera me dashje”.

Ndërsa vetë i dëmtuari, i cili dha deklarime në Polici, pretendonte se shtetasit në fjalë e kishin rrahur dhe kërcënuar me armë, pasi ai nuk u kishte kthyer në kohë një shumë parash që u kishte marrë borxh.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura