Shembet ndërtesa që pengonte ringritjen e shtëpisë së Kadaresë

Apr 1, 2011 | 12:06
SHPËRNDAJE

GJIROKASTER – Nuk do të ketë më asnjë pengesë për rikonstruksionin e plotë të shtëpisë së Ismail Kadaresë. Ndërtesa që pengonte vijimin e punimeve do të shembet. Familja Rrapo, e cila ka ndërtuar para më shumë se 10 vjetësh një ndërtesë njëkatëshe përbri banesës së Kadaresë, do të dëmshpërblehet nga Bashkia e Gjirokastrës. Prishja e objektit me mure betoni parashikohet të ndërmerret fill pasi të vlerësohet dëmi nga një komision që do të ngrihet në Bashkinë e Gjirokastrës. Objekti, i cili pritet të shkatërrohet, ka një hapësirë gati 100 metra katrorë dhe shërben si ambient banimi. Prishja e kësaj godine përdhese do të lejojë që banesa e Kadaresë të marrë pamjen e dikurshme, ku kubeja dhe harqet kanë qenë pjesë e saj deri para djegies 12 vjet më parë. Kubeja do të ketë formën e dikurshme, ndërkohë që harqet që janë karakteristike për banesat autoktone, mendohet të krijohen me gurë të skalitur. Deklarata për dëmshpërblimin e familjes Rrapo u bë dje publike nga ana e kryebashkiakut gjirokastrit Flamur Bime. Sipas tij, godina dykatëshe e pozicionuar në lagjen “Palorto” pritet të përfundojë deri në fund të vitit dhe mandej ajo do të përdoret si qendër multikulturore për artdashësit. “Jemi të gatshëm si pushtet vendor të dëmshpërblejmë deri në qindarkën e fundit familjen Rrapo, pasi projekti cenon pronën private”, u shpreh Bime. Ndërkaq, i pyetur nga gazeta “Panorama” për këtë çështje, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Spartak Drasa, është shprehur se Bashkia e Gjirokastrës nuk ka të drejtë të dëmshpërblejë financiarisht me të ardhurat e taksapaguesve, pasi këtë të drejtë e ka vetëm pushteti qendror, ndërsa nënvizon se kryebashkiaku Flamur Bime po mundohet ta përdorë këtë çështje për qëllime elektorale. Banesa dykatëshe ku ka lindur Ismail Kadare, e cila daton në vitin 1677, ishte lënë e harruar disa vite më parë, edhe pse përbën një nga ndërtesat më me vlerë që mund të vihej në shërbim të turizmit kulturor. Faza e dytë dhe përmbyllëse e rikonstruksionit që ka nisur në fillim të muajit nëntor të vitit 2007, parashikon të gjitha punimet e brendshme, me vlerë 80 mijë euro. Arkitekti gjirokastrit Agron Doraci, inxhinieri zbatues i projektit, pohoi se ndryshe nga faza e parë, në të dytën është parashikuar të ruhen të gjitha detajet që janë zbuluar gjatë rimëkëmbjes së banesës. Gjatë fazës së parë u zbuluan disa “afreske” të rëndësishme që vërtetonin historinë dhe vjetërsinë e ndërtesës, si harqet e kamares së çardakut dhe të hyrjes së shkallëve në pjesën ballore. Këto elemente i detyruan komisionerët e UNESCO-s të ndërprisnin punimet, duke përfituar kohë për ndryshimin e projektit fillestar. Në nëntor të vitit 1999, banesa e Kadaresë u shkrumbua si pasojë e një zjarri aksidental. Në këtë banesë jetonin me qira prej dy dekadash dy familje gjirokastrite. Tre muaj pas djegies, në fillim të vitit 2000, qeveria shqiptare akordoi 3.5 milionë lekë për ringritjen e banesës. Cilësia e punimeve deri tani është brenda standardeve të parashikuara nga projekti, ndërkohë që struktura e çatisë është ndërtuar me dru gështenje. Sipas projektit të Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, ky investim do të shërbejë si një qendër atraksioni, e cila do të shndërrohet në një qendër pelegrinazhi për artdashësit e letrave shqipe.

 

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura