Shell dhe Petromanas bashkohen sërish për dy blloqe të reja

Jul 24, 2015 | 18:40
SHPËRNDAJE

Tri kompani kanë bërë ofertat e tyre lidhur me shfrytëzimin e dy blloqeve të nxjerra nga shteti shqiptar për shfrytëzim përmes dhënies së koncesionit.

puse
Reuters raportoi se mes kompanive që kanë bërë ofertat e tyre është edhe një bashkim kompanish të fuqishme që aktualisht kanë aktivitet në të njëjtin sektor në vendin tonë. Kështu, Royal Dutch Shell dhe Petromanas kanadez kanë aplikuar së bashku për të kërkuar në dy blloqe që janë në bregdet në Shqipërinë e Mesme.

Kompanitë e tjera që kanë bërë ofertat e tyre, përveç bashkimit të Petromanas dhe Shell, janë Delek Group Limited i Izraelit dhe Interland Investments SA.

Procedura për nxjerrjen e blloqeve për shprehje interesi përmes ofertave ka kohë që ka nisur dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës mbylli procedurat vetëm pak ditë më parë.

Në finale u paraqitën tri oferta dhe këto të fundit i janë kaluar ministrisë së Energjisë dhe Industrisë për të përzgjedhur fituesin për të cilin do të merren parasysh edhe disa kritere të tjera.

Aktualisht Petromanas është një kompani që ka të drejtë kërkimi në vendin tonë, ndërkohë që, së bashku me Shell, janë të angazhuara për shpimin në malin e Shpiragut. Sakaq procedurat për tre blloqe të tjera Panaja, C dhe 5 janë shtyrë deri në 30 shtator.

Pra, ky është afati i ri që ka lënë Ministria e Energjisë dhe Industrisë përmes një urdhri të datës 10 korrik si afat negocimi me kompanitë e interesuara për kërkim nafte dhe gazi. Blloqet e tjera, për të cilat është mbyllur faza, janë ato që përfshijnë Bllokun 4 dhe Dumrenë, për të cilat edhe priret të përzgjidhet fituesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura