SHBA i përgjigjet Ramës: Vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim

Apr 9, 2015 | 22:04
SHPËRNDAJE

Ambasa e SHBA-së në Tiranë kritikon deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama në një intervistë televizive të dhënë në Kosovë për bashkimin kombëtar të shqiptarëve jashtë BE-së, duke theksuar se vendet aspirante për në Bashkimin Evropian, duhet të punojnë për të arritur qëllimet e tyre të përbashkëta në BE, e jo kundër kësaj fryme.

Selia e ambasades se SHBA ne Tirane

Reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë për “VOA-n”, vjen në kuadër të deklaratave të kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.

Për këtë çështje, “Zëri i Amerikës” ka pyetur përfaqësyes zyrtarë pranë ambasadës së SHBA-së, se cili është qëndrimi i SHBA-ve, pas deklaratave të forta të Serbisë për komentet e kryeministrit Rama në intervistën me “Klan Kosova”, të cilat shkruan se janë interpretuar se nënkuptojnë një bashkim të dëshiruar politik midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe duke pasur parasysh deklaratën e djeshme të Bashkimit Europian për këtë cështje, një zëdhënës i ambasadës u përgjigj:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin fort aspiratat për në BE, të të gjitha vendeve në Ballkanin Perendimor dhe mirëpresin riafirmimin nga BE se këto vende ndajnë një perspektivë të qartë europiane. SHBA besojnë se të gjitha vendet që punojnë për anëtarësim në BE duhet të qëndrojnë larg nga gjuha që nuk e çon përpara këtë synim të përbashkët dhe duhet të vazhdojnë të punojnë drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. SHBA mirëpret garancitë që ka marrë nga qeveria e Shqipërisë se deklaratat në fjalë synonin vetëm të theksonin rëndësinë që ka integrimi në BE për shumë vende të Ballkanit”, përfundon zëdhënësi i ambasadës në reagimin e dhënë për “VOA-n”. 

Më herët, Bashkimi Evropian i ka cilësuar deklaratat e Ramës si të papranueshme dhe provokative. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura