Seri romanesh nga Sophie Kinsella

Mar 28, 2011 | 12:00
SHPËRNDAJE

Ajo e di se çdo të thotë të ëndërrosh, të duash të kesh një shtëpi të bukur, të blesh ç’të sheh syri dhe të veshësh krijimet më të fundit të stilistëve. Sophie Kinsella është pseudonimi letrar i Madeleine Wickham. Ajo lindi më 12 dhjetor 1969 në Londër, ku jeton bashkë me të shoqin dhe tre fëmijët. Ka studiuar në New College në Oksford dhe më pas ka punuar për shumë kohë si gazetare e rubrikës ekonomike. Sot është autore mjaft e njohur, e përkthyer në shumë gjuhë. Përveç romaneve “E mban dot një të fshehtë?” dhe “Mbretëresha e shtëpisë”, shtëpia botuese “DITURIA” ka botuar dy prej romaneve të serisë së kësaj autoreje, duke filluar me “E fiksuar pas dyqaneve” dhe më pas “E fiksuar pas dyqaneve në Nju-Jork”, e cila do të pasohet edhe nga tituj të tjerë.

MBRETËRESHA E SHTËPISË
Autore: Sophie Kinsella
Përktheu: Mira Kroqi
Numri i faqeve: 392
Çmimi: 1000 lekë

Edhe pse vetëm njëzetenëntëvjeçare, Samanta Suiting është asi i një studioje ligjore londineze me emër. Pak minuta këshillim me të kushtojnë një mal me para. Punon natë e ditë dhe është tërësisht e përqendruar në karrierën e saj. Por, pikërisht atëherë kur mendon se do arrijë të bëhet ortake e firmës, vëren se ka bërë një gabim që mund t’i kushtojë vendin e punës. E tronditur, arratiset nga zyra dhe gjendet në një vend të panjohur. Kërkon informacion rreth një shtëpie të mrekullueshme dhe papritur për shkak të një keqkuptimi, të zotët e shtëpisë e marrin si kandidate për postin e guvernantes. Fillon punë, pavarësisht se punëdhënësit e saj nuk kanë dijeni për faktin që vajza intelektuale nuk ka as idenë më të vogël se si mund të mbahet në rregull një shtëpi. Mbretëresha e shtëpisë është historia e një vajze që ka nevojë të çlodhet. Të gjejë veten, të dashurohet. Të fillojë më në fund të jetojë. Dhe të zbulojë se … si hekuroset. Me talentin e pakrahasueshëm të Sophie Kinsella-s, një komedi e re, e admirueshme që po bën të lumtur miliona fansa në botë.

E MBAN DOT NJË TË FSHEHTË?
Autore: Sophie Kinsella
Përktheu: Jorgji Qirjako
Numri i faqeve: 336
Çmimi: 800 lekë

Ema Korigan është si çdo vajzë e kësaj bote. Ka një jetë të qetë, një punë si asistente marketingu në një kompani të rëndësishme shumëkombëshe, një të dashur simpatik. Por, si të gjitha vajzat, ëndërron një jetë ndryshe dhe ka të fshehtat e saj të vogla. Ose të paktën i kishte… derisa, në udhëtimin e parë të punës përballoi një fluturim shqetësues dhe e kapi paniku. E pushtuar nga një nervozizëm i pakontrollueshëm, Ema ia zbraz të gjitha të fshehtat – por, vërtet gjithçka – udhëtarit ngjitur. Një amerikan që dëgjon për qejf sekretet e saj më intime. Në fund të fundit, ai s’është gjë tjetër veçse një i panjohur. Ema, natyrisht që mbijeton dhe të nesërmen në mëngjes shkon në zyrë. Tashmë e ka harruar aventurën e shëmtuar dhe bëhet gati të presë, bashkë me kolegët, themeluesin e shquar të shoqërisë për të cilën punon, i cili do vizitojë filialin anglez. Kur shfaqet ai, Ema tmerrohet nga fakti që ai është… burri i avionit. Ajo i ka treguar gjithçka për veten. Do dijë ai t’ia ruajë të fshehtën?  Një histori e mrekullueshme, ku analizohet roli i të vërtetës së gënjeshtërt në marrëdhëniet njerëzore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura