“S’e fal dekorimin e kriminelit Shyqyri Çoku, të japë dorëheqjen ministrja”

Dec 11, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Ish-i dënuari politik nga regjimi komunist, Sami Repishti, i cili jeton prej vitesh në SHBA, kërkon dorëheqjen e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për dekorimin që i ka bërë hetuesit të At Zef Pllumit. Sipas profesor Repishtit, Çoku ka qenë dhe torturuesi i tij gjatë kohës që ai hetohej në hetuesinë komuniste. “E kam njohur që kur ka qenë i ri, por nuk kam pasur shoqërim me të. Ishte tip rrugaçi. Nuk besoj se ka luftuar me armë në dorë për arsye të moshës”, është shprehur për gazetën “Panorama” profesor Repishti. “Personalisht kam ngrënë disa shkopinj dhe grushte e shkelma pothuajse të përditshme për afër 24 muaj hetuesie”, është shprehur Repishti.

Ministrja Kodheli/Sami Repishti
Ministrja Kodheli/Sami Repishti

“Na lini të qetë jetën të rimësojmë,

Mos na flisni përsëri për qentë që kafshojnë”

Nellie Sachs

Kjo shprehje e poeteshës izraelite që shpëtoi nga Holokausti nazist, më erdhi në mendje kur lexova “Listën” prej 1.000 emnash, persona të dekoruem nga Sh.S. Ministre e Mbrojtjes së Shqipërisë, këto ditët e fundit. Lista përmban shumë emna që dhanë kontributin e tyne gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, siç quhet zyrtarisht, ose të “rezistencës kundër okupatorit”.

“Lista” përmban edhe nji numër të konsiderueshëm emnash që mbas L2B u mobilizuen –ose u ofruen vullnetarisht- me shërbye në organet e represionit komunist, dhe “shtetin shqiptar”, instrument i bindun i ishPKSH/PPSH për 45 vjet me radhë. Veprimtaria e këtij aparati shtypës ka qenë jashtëligjore, dhe sidomos thellësisht antinjerëzore.

I njohun me emnin “arma e mprehtë e Partisë” në shërbim të “luftës së klasave”, çoroditja ekstreme e “pushtetit”, “Sigurimi i Shtetit”, mbasardhës i famëkeqit “Divizioni i Mbrojtjes së Popullit”, sistem jugosllav, ka qenë nji organ joqeveritar, joligjor, i themeluem gjatë L2B nga udhëheqja e PKSH –kryesisht e ish-kriminelit Koçi Xoxe- në korrik 1943, dhe nga nji grup “partizanësh” me prirje kriminale: fillimisht, me zhdukë me metoda gangsteriste fraksionistet në Parti, dhe ma vonë edhe kundërshtarët jokomunistë që luftoshin kundër okupatorit, por që ne, në sytë e PKSH-së, damtojshin ose pengojshin planet e kësaj “Partie” me grabitë pushtetin shtetnor, ekskluzivisht. Përgatitja e kuadrove u ba nga instruktorë jugosllavë: zgjedhja e tyne “me elementë të paarsimuem, çobanë e tjerë që do t’i edukojmë ne”… (instruksionet e Koçi Xoxes).

Nga ky brumë u përpunuen kuadrot e reja të “Sigurimit të Shtetit”, që shërbyen “Partinë” për 45 vjet. Gjatë kësaj kohë, Shqipëria njohu dhe jetoi periudhën e saj ma të zezë, e ma tragjike, pasojat e së cilës i ndjejmë edhe sot. Si ashtë e mundun që nji zhvillim i këtill, kaq irracional e antinjerëzor, por sistematik, mbijetoi afër pesë dekada në Shqipëri? E jo vetëm në Shqipëri? “Nji sistem që ka pasë sukses me shkatërrue viktimën para se ajo të vihej në litar… ashtë jashtëzakonisht sistemi ma i suksesshëm me mbajtë nji popull në skllavëri. Në nënshtrim!”, shkruente filozofja Hannah Arendt, në përshkrimin e saj të “nazizmit”.

Si ashtë e mundun? Sepse në jetë ka situata që janë shumë ma të vështira se vetë vdekja, si tortura, e randë, e gjatë, poshtënuese, çnderimi i femnave, mohimi i arsimit për fëmijtë, ose nji vend pune për bukën e gojës! E gjithë kjo në emen të “lirisë së popullit”, “të diktaturës së proletariatit”, “të luftës së klasave”, “të mbrojtjes së atdheut” nga …imperializmi, revizionizmi, reaksioni i mbrendshëm dhe i jashtëm, e tjera.

Ky sistem kishte nji bazë të padiskutueshme: “udhëheqjen e “Partisë”, urdhni i së cilës kishte formë ligji. Por “udhëheqja” në fakt ishte vetëm nji njeri: Enver Hoxha, diktator i padiskutueshëm dhe sadist. Në Shqipëri, nuk ishte “Shteti” shqiptar që udhëzonte PKSH/ PPSH; ishte e kundërta. Në mbarim të luftës, kjo “Parti” kishte rreth 2080 anëtarë, padronë të padiskutueshëm të ma shumë se nji miljon qytetarë-skllavësh shqiptarë! Kjo “Parti” e “shoku Enver” , ky dualizëm artificial i nji entiteti mbiligjor, ishte qendra absolute e sistemit legal, në fakt ilegal.

Aq e fortë ka qenë bindja e verbët ndaj “sistemit” sa që as bisedohej për vlerën apo ligjshmëninë e tij. Psikoza e krijueme te “të nënshtruemet” ishte e atillë sa që ndërgjegjja e tyne nuk i trazonte kur padrejtësitë ndiqshin njena-tjetrën, e ai/ajo ndiqte rregullat e sistemit; ajo ndërgjegje e komprometueme randë me akte antiligjore trazohej vetëm atëherë, kur “i nënshtruemi” skllav i sistemit, nuk kishte “ba mjaft” ashtu si ishte urdhnue. Prej këtu, mundësia e “së keqes” kundër popullsisë së pafajshme nuk kishte kufi… vrasje, burgosje, dëbime, internime, anatemime, deklasime, për burra, gra, fëmijë, pleq, pa përjashtim. E keqja që rridhte nga dora e elementit pa mend, pa ndërgjegje, i paarsimuem, i stërvitun “si qeni në shkollë”, ka qenë aq e madhe, sa ka meritue përcaktimin “banaliteti i së keqes” nji e keqe e madhe nga njerëz shumë të vegjël.

Në Shqipëri, shumica e këtyne aktoreve të dramës sonë kombëtare kanë qenë të rij, dështakë në shkollë, në punë, në familje, pa respekt në shoqni dhe shpeshherë pa vetërespekt. Na, shqiptarët, kemi nji thanje: “Nji askushi!”. Detyra e policit në Sigurim u dha atyne ndjenjën e pushtetit të ushtruem mbi viktima. Vërtetë banale! Gjithçka u ba në errësinë! Gjithçka mbeti në errësinë! Edhe sot, errësina mbulon aktet e tmerrshme të tragjedisë komuniste në vendin tonë. Këto akte kalojnë “të besueshmen”, kalojnë sferën ku mendjet e thjeshta nuk janë në gjendje ta kapin. Kjo i qetëson kriminelët komunistë.

Mbeten ata të paktë që kuptojnë: qytetarët e ndërgjejshëm dhe intelektualët që nuk i shesin shpirtin djallit – e që paraqesin klasën “e rrezikshme”. Nuk kanë qenë të paktë anëtarët e PKSH/PPSH që janë shqetësue ma shumë për arratisjen e nji të arsimuemi, se për vrasjen në sheshet e qytetit ose fshatit të elementëve të pafaj në vendin tonë martir. Sepse nji i arsimuem që mbijeton ashtë nji dëshmitar i përherëshëm. Si duhet të gjykojë historia e nji banaliteti kaq makabër të sistemit komunist në nji vend ku popullsia ashtë e pambrojtun nga ligji? “Esenca e krimit”, shkruente kryeprokurori amerikan në Gjyqet kundër nazistëve në Gjermani, Telford Taylor, “ashtë se krimi nuk ashtë krye vetëm kundër viktimës, por në radhë të parë kundër bashkësisë, në nji vend ku shkelet ligji”.

Ashtë kjo “bashkësi” që duhet të kërkojë dënimin për dhunimin e të drejtave të njeriut e shkelje të ligjit. Ashtë kjo “bashkësi” që duhet të kërkojë dënimin për dhunimin e të drejtave të tyne. Në fjalën e hapjes së Gjyqit kundër Adolf Eichmann-it në Jerusalem, kryeprokurori izraelit, Gideon Haussner, tha: “Kur unë dal para jush, o gjyqtarë të Izraelit, në këtë gjykatore të të akuzuemit Eichmann, unë nuk jam vetëm. Këtu, bashke me mue, në këtë moment janë gjashtë miljonë akuzues. Gjithashtu, ata nuk janë në gjendje me ngrejtë gishtin akuzues në drejtim të karriges së mbështjellun me xham, dhe me shqiptue fjalën: ‘Unë akuzoj!’ kundrejt këtij njeriu që rrin këtu… gjaku i viktimave thrret për Ndërhymje Hyjnore, por zani i tyne nuk mund të ndigjohet…

Prandej, ashtë detyra ime me u ba za-dhanësi i tyne, dhe me paraqite akuzat e urrejtëshme të tyne, dhe në emën të tyne”. Shfajsimi e vartësve: “Kemi zbatue ligjin”. “Koha ka qenë ashtu”. “Ashtu si koha edhe ligji”. “E bana nga frika” e të tjera janë të papranueshme. Këto shfajsime u hodhën poshtë në Gjyqin e Nurembergut për ish-kriminelët nazistë që përfunduen në litar. Tue ju drejtue Eichmann-it, ai tha: “Edhe sikur 80 miljonë gjermanë të kenë veprue si ti, kjo nuk do të ju shkarkonte nga përgjegjsia për aktin tand”. Individualizimi i fajit në personen e fajtorit (jo të tjerëve) tregon shkallën e paligjëshmënisë komuniste në Shqipëri, vendi ku persekutohej familja e të afërmit (“të gjithë ata që hanë bukë në nji sofër”, thonte kryekrimineli Haxhi Lleshi) për fajin e babës, djalit, vëllaut edhe të gjyshit tre gjeneracione ma parë, me internim deri në 45 vjet.

Aty lindën, u rritën, u martuen dhe vdiqën shumë të internuem. Nji homofobi, nji urrejtje për çdo gja njerëzore që mbushte ajrin e vendit tonë, mund të prodhohej vetëm nga mendje të smura, e shpirtëna të ngrime, e duer katile…! Ashtë kjo urrejtje që dëshmojmë sot në Shqipëri! Prokurori Haussner e përfundoi kështu aktakuzën e tij: “Le të supozojmë, për hir të argumentit, se nuk kishte gja ma të padëshirueshme se ‘fati i keq’ që ju bani ju nji instrument të vullnetshëm në nji organizatë që vrau masivisht; përsëri mbetet fakti se ju keni zbatue, dhe prandej përkrahe aktivisht nji politikë për vrasje masive. Sepse politika nuk ashtë diçka foshnjore; në politikë bindja dhe mbështetja janë njilloj.

Dhe, pikërisht ashtu si përkrahët dhe zbatuet nji politikë që nuk dëshironte me bashkënda jetën mbi tokë me popullin hebre, dhe me atë të shumë kombeve të tjera – sikur ju dhe eprorët tuej të kishin të drejtën me përcaktue kush ka të drejtë dhe kush nuk ka të drejtë me banue në këtë botë – kemi arritë në përfundimin se nuk ka njeri, do me thanë, nji pjesëtar të racës njerëzore që mund të pranonte me bashkënda jetën me ty mbi këtë planet. Kjo ashtë arsyeja, e arsyeja e vetme, që ju duhet të vdisni në litar!”.

Edhe Shqipëria ka pasë Eichmann-ët e vet. Ata që torturuen për vdekje Av. Myzafer Pipën me hekur të skuqun në kolonën vertebrore (me urdhën direkt të Enver Hoxhës), ata që mbytën në puse septike Kadri K. Sadikun, katundi Reç, Malësia e Madhe; ata që dërmuen me kazëm kokën e nënadmiralit Teme Sejko, me u sigurue që ka vdekë, nuk janë ma të vegjël në krim. As janë ma të paktë në krim, vartësit e tyne që zbatuen urdhënat – ose me iniciativë vetjake – torturuen e vranë qytetarët e pafajshëm.

Me krimet e tyne, ata kanë dalë jashtë kufinjve të shoqënisë njerëzore. Prandej duhen izolue, jo aq shumë për respekt të ligjit, sa për pengimin e rrezikut të shpërndamjes së mikrobit kriminal që mbajnë në vete edhe sot, këta monstra që andërrojnë kthimin e “ditëve të Enverit”…! Dekorimi i 1000 veteranëve dhe kriminelëve të regjimit të kuq nga Ministria e Mbrojtjes e që përfshin edhe xhelatët e ish-Sigurimit ashtë nji fymje e randë për të gjithë popullin shqiptar, e sidomos për viktimat e komunizmit në Shqipëri e familjarët e tyne. Nji akt i këtill tregon mungesën e plotë të frymës së zhvillimeve në botën e lirë që na rrethon, mungesën e plotë të sensibilitetit të plafeve në vendin tonë dhe mungesën e plotë të ndërgjegjes së vrame nga krimi komunist.

Dhe kjo ashtë nji tragjedi ma përpjestime gjithëshqiptare. Sa për kriminelin “shoku Çoku” që më shkaktoi kaq dhimbje trupore e shpirtënore me drunin e tij të pagdhenun, e çizmen e tij të ndytë, unë nuk e falë, sepse tradhëtoi bashkë- vuejtësit e mi. Njikohësisht unë nuk falë as edhe “Shtetin” që ka për detyrë të më mbrojë, e që për 25 vjet të gjata nuk zbatoi drejtësinë ma fillestare.

Kjo nuk ashtë mëshirë, as falje! Kjo ashtë mospërfillje për vendin që akoma vuen, mospërfillje për viktimat akoma të përbuzuna, mospërfillje për rrezikun e ringjalljes së nji shoqënie shqiptare që kërkon të ngrihet si “e gjithë Europa”. Për kto arsye, Zonja Ministre, mbas aktit tuej të dënueshëm, ju keni vetëm nji rrugë të ndershme me marrë: jepni dorëheqjen, dhe sa ma shpejt!

*Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit: “BANALITETI i SE KEQES” NE SHQIPERI

NGA SAMI REPISHTI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura