“Sapo notari i famshëm italian zbriti në portin e Vlorës, i shoqëruar nga shumë turistë, një kameraman filloi të filmonte, pasi Sigurimi i Shtetit…”/ Dëshmitë e rralla të Vasil Qesarit

Oct 9, 2022 | 11:20
SHPËRNDAJE

Nga Vasil Qesari

Capture

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet.

Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë?

Capture

Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!

Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!

Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

Pas vrasjes makabre në ujërat e Ksamilit, për të cilën Ministria e Jashtme franceze protestoi disa herë me forcë ndaj autoriteteve shqiptare, marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u tendosën e u ftohen si kurrë tjetër herë. Parisi, kish thirrur urgjentisht ambasadorin francez në Tiranë M. Martin, ndërsa një vizitë e planifikuar e zv/ministrit të Jashtëm francez O. Stirn, në përgjigje të vizitës së homologut të tij shqiptar Ksenofon Nushi, qe anulluar me urgjencë.

Ndërkohë, jo vetëm në shtypin francez, por edhe në atë europian, mbas vitesh të shumta heshtje, u botuan një varg shkrimesh që trajtonin fatin tragjik të një vendi të harruar, i cili cilësohej si Tibeti i Europës. Një vendi, ku nuk dihej se ç’farë ndodhte e ku, asnjë gazetar i huaj nuk lejohej të hynte.

Shumë revista me emër, botuan intervista me diplomatë të akredituar në Shqipëri, të shoqëruara me fotografi që paraqesin Enver Hoxhën, paradat ushtarake të festave të nëntorit apo aspekte të jetës në vend. (Pjesa më e madhe e tyre ishin riprodhime të fotografive propagandistike të marra nga revista ‘L’Albanie Nouvelle’, e cila botohej në Tiranë në disa gjuhë të huaja).

Në to, Shqipëria, vendi autarkik socialist, i cili mbante endé plot besnikëri e mburrje përmendoret e diktatorit Stalin, me të drejtë përshkruhej si një burg i madh njerëzish ku mbretëronte frika, dhuna e terrori.

Ndërkohë, incidenti i Ksamilit u bë shkak që edhe Amnesty International, më në fund të botonte një broshurë speciale rreth shtypjes politike, persekutimit masiv të popullsisë, burgosjeve, internimeve politike si edhe mungesës së lirive më elementare të të drejtave të njeriut.

Në një atmosferë të tillë, të cilësuar armiqësore e antisocialiste, qeveria shqiptare u përpoq t’a përmirësonte sado pak imazhin e saj, duke bërë disa lëshime në lidhje me marrëdhëniet me jashtë. I tillë ishte edhe lejimi i ardhjes së notarit të shquar italian, Paolo Pinto në Vlorë.

Ai, kish fituar mjaft trofe ndërkombëtarë në përshkimin e distancave të

Gjata, duke kaluar me not ngushticën e Messinës, atë të Gjiblartarit, distancën midis brigjeve italiane e ishullit të Elbës etj.

I instaluar ballë brigjeve shqiptare, në Salento, Paolo Pinto prej kohësh ëndërronte të përshkonte kanalin e Otrantos e, pikërisht, distancën nga gadishulli i Karaburunit gjer në brigjet jugore të Italisë. Por, kërkesat e tij si edhe ato të Shoqatës Sportive “Miqtë e Paulo Pintos” ishin refuzuar vazhdimisht nga ambasada shqiptare në Romë.

Dhe ja, fill pas incidentit të Ksamilit, papritur, atij i kish mbërritur një faks ku ndër të tjera ambasada shqiptare e njoftonte se, një veprimtari e tillë mirëpritej me kënaqësi të veçantë e madje, përveç saj, propozoheshin edhe veprimtari të tjera sportive dy palëshe…!

Pinto erdhi në Vlorë në bordin e një trageti italian, i shoqëruar me një varg motoskafësh e jahtesh turistikë me vela. Ishte për herë të parë, mbas Luftës së Dytë Botërore, që një traget i shoqërisë “Lloyd Adriatic”, po akostohej në molin e vetëm të qytetit i cili, qe ndërtuar po prej italianëve gjatë pushtimit fashist.

Në bordin e tij, ndodheshin mbi treqind turistë, ndër të cilët edhe përfaqësues të autoriteteve zyrtare të Leçes,Otrantos, gazetarë, reporterë, trupa televizive të kanaleve private, RAI-t, biznesmenë, nostalgjikë marksiste-leniniste e vizitorë të ndryshëm.

Po ndodhte ajo që askush s’e kish menduar…! Një hordhi turistësh kish zbarkuar papritur në Vlorë, gjë e cila ish organizuar me shumë interes e përgatitje qysh më parë. Për pritjen e miqve qenë angazhuar autoritetet më të larta në rreth e, natyrisht, edhe pjesa më e madhe e efektivit të Degës së Punëve të Brendshme.

Por, me gjithë zhurmën që shkaktoi ky lajm, njerëzit të cilët kishin dalë për pritjen e mysafirëve në molin e Skelës ishin të pakët: një grumbull pionieresh të zgjedhur për t’u dhuruar buqeta me lule zyrtareve italianë, disa përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv e Klubit Sportiv “Flamurtari”, dy-tre gazetarë lokalë, disa operativë të Sigurimit (veshur civilë), si edhe një kameraman i ‘Rubrikës Sportive’ të Televizionit Shqiptar.

 (Ky i fundit, sapo trageti u akostua në mol, nisi të filmojë duke hipur e zbritur pa reshtur, herë në bordin e anijes e herë mes turmës së turisteve. Ish dhënë porosi që të filmoheshin sa më shumë njerëz e sidomos portrete, të cilat më pas do të shqyrtoheshin imtësisht prej Kundër-zbulimit.

Duke dëgjuar komentet e njërit prej sekretarëve të Komitetit të Partisë, u mësua se ekzistonte frika që midis të huajve të ardhur, mund të kishin infiltruar edhe të arratisur apo agjentë shqiptarë të emigracionit, të cilët punonin për shërbimet e huaja sekrete).

Më pas, autobuzët e Albturizmi-it të ardhur posaçërisht nga Tirana, i transportuan të ardhurit nga porti në Hotelin “Adriatik”, ku personeli qe përgatitur si rrallë herë tjetër. Aty, prej ditësh, qenë instaluar inkonjito edhe operativët e Sigurimit të Shtetit, të cilët do të vigjilonin ditë e natë në mjediset e tij të brendshme.

 (Natyrisht, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, që kishin për detyrë të ruanin ndërtesën e të ndiqnin lëvizjet e të huajve jashtë saj).

Po atë mbas dite, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, kryetari i tij, Luan M. shtroi një koktej. “Ne shpresojmë e urojmë që, kalimi i distancës prej 90 miljesh që ndan Shqipërinë fqinje me Italinë, nga notari ynë i shquar Paolo Pinto – tha ndër të tjera, kryetari i Bashkisë së Otrantos – do të shërbejë si hap i parë për ngritjen e një ure lidhjesh miqësore si edhe për fillimin e shkëmbimeve të ndërsjellta tregtare, kulturore e sportive”.

Nga ana e tij, Luan M., si gjithmonë euforik në pamje e gjeste, por me frazat e avazit të vjetër, mbasi mburri arritjet e Shqipërisë nenë udhëheqjen e Partisë, numëroi edhe gjithë treguesit e rritjes së mirëqenies së popullit. Shkurt, në fund, përgjigjja ndaj kolegut italian ishte se: parimi dhe misioni i shoqërisë sonë, ka qenë e do të mbetet ndërtimi i socializmit duke u mbështetur tërësisht në forcat tona e pa i shtrirë dorën askujt.

Fjala e Kryetarit, natyrisht, la shije të hidhur e i zhgënjeu përfaqësuesit italianë, të cilët pas kësaj, qenë të shtrënguar të dëgjonin dhe më tej, përkthimin e një fjalimi të gjatë patetik politiko-ideologjik ku s’dukej asnjë fije shprese për ngritjen e urës së supozuar, apo ndonjë tjetër shenjë qoftë edhe e vogël, të hapjes së vendit fqinj…!

Ndërkohë, për suksesin e vizitës së italianëve në Vlorë, (e cila, qysh ditën e parë të mbërritjes së Paolo Pintos, u shoqërua me publicitet të madh nga Radio Televizioni Shqiptar e gazeta “Sporti Popullor”), u mësua se interesohej personalisht vetë zv/kryetari i Këshillit të Ministrave, shoku Manush Myftiu. Interesim me hipokrizi e fraza…?

Sepse, nga ana e tyre, italianët, i kishin hapur plotësisht kartërat.

Ata qenë gati të nenë-shkruanin marrëveshje shkëmbimesh në fusha të ndryshme. Përgjigjja demagogjike e palës shqiptare qe: Më vonë! Të shohim më vonë…!

E, ndërkohë, veprimtaria sportive nuk arriti t’u shërbejë, ashtu siç qe menduar e parashikuar, qëllimeve propagandistike të autoriteteve shqiptare. Ajo përfundoi pa sukses e pa jehonën e parashikuar ndërkombëtare.

Për më keq akoma, Paulo Pinto (të cilit i qe rezervuar dhoma më e mirë e hotel “Adriatiku”-t), pikërisht një ditë para fillimit të traversatës Vlorë-Otranto, teksa po mundohej të mbyllte perdet e dritares, u rrëzua e ndrydhi shpatullën!

Kështu, kalimi me not i kanalit të Otrantos u anullua e u shty për një herë tjetër. Italianët u kthyen. Të zhgënjyer. Ndërkohë në shumë reportazhe televizive e shkrime të botuara prej reporterëve të huaj të ardhur me atë rast, Shqipëria u paraqit ashtu siç qe, një fosile ideologjike e ekonomike, rrethuar ngado me një univers absurditetesh të pa imagjinueshme…! Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura