Saimir Pirgu: Të bësh opera në Shqipëri, duhet të jesh martir

Apr 13, 2011 | 12:16
SHPËRNDAJE

Saimir Pirgut nuk i ndahet buzëqeshja. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Ai është nga ata të rinj që u ka buzëqeshur fati.Gjithçka që ka kaluar, gjithçka që ka arritur, të duket si subjekt i ndonjë filmi me fund të lumtur. Djali që nuk kishte asnjë lek në xhep, por shumë ëndrra dhe pasion, u nis përtej detit për t’u shkolluar. Iu desh të lante edhe pjata, të bënte punë gjithfarë soj për të mundësuar studimet. Ndoshta shumë e quanin të marrë. Po të paktën të kishte zgjedhur një profesion tjetër. Të ishte bërë doktor, apo inxhinier, apo… Po, jo këngëtar.. Dhe jo këngëtar nga ata që bëjnë para me koncerte fushatash e ahengjesh, por nga ata lirikët që një Zot e di si u vete filli. Mes tyre mbijetojnë më të mirët. Por Saimir Pirgu e dinte se nuk po vraponte pas një ëndrre gënjeshtare. Ai u bë… Këto ditë ndodhet në Tiranë duke u përgatitur për operën “Verter”, kryevepra e kompozitorit Jules Massenet, mbështetur mbi “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, premiera e së cilës është në datën 20 prill në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. “Asnjë vepër nuk më ka shqetësuar më shumë se kjo”, thotë tenori, teksa shpjegon se bëhet fjalë për një nga rolet më të vështira që ka luajtur deri më tani. Skena e Tiranës do të jetë një provë për tenorin, i cili të njëjtin rol do ta interpretojë në Bastijë të Francës në vitin 2018. Po, po. Kalendari i Saimir Pirgut flet me afate të gjata. Tenori shqiptar është i kërkuar në skenat më të mëdha të botës. Nëse Viena dhe Berlini janë si shtëpia e tij, tanimë po pushton edhe “La Scala-n”, ku pak ditë më parë interpretoi në operën “Flauti magjik”. Megjithatë, për të është vetëm fillimi. “Jam ende tek A-ja. Unë filloj tani!”
Ju kemi parë në role dashnorësh që bëni partneret të vuajnë, kësaj here duket se do të vishni ca petka më tragjike. Si do të na e përshkruanit Verterin?
Verteri është ai i riu i humbur. I dashuruari pas dashurisë, pas as ndjenjës unike, të pastër, të paarritshme. Nuk ka më burra që dashurojnë kështu… Nëse flasim për veprën, muzika është e jashtëzakonshme. Massenet ka hedhur aty notat më të bukura dhe besomëni, arieja e famshme “Pourquoi me reveillez” është një nga gjërat “më pak të bukura” të veprës. Përputhja e fjalës me muzikën është e jashtëzakonshme dhe asnjëherë më parë nuk më ka shqetësuar më shumë një vepër se sa kjo. Teksa jepja shfaqjen në “La Scala” unë mendoja për Verterin. Rrija pa gjumë për të, aq e fuqishme është drama. Dhe të mendoni që këtu drama është dashuria…
Por, në fund të fundit, të gjitha operat kanë në thelb një histori dashurie, apo jo, ku qëndron ndryshimi?
Asnjëherë fjala nuk ka një peshë të tillë. Vlen më shumë gjesti. Dhe nëse dikush vdes, kjo ndodh nga një sëmundje, apo se e vrasin, apo në një dyluftim, kurse këtu ai vdes për një ndjenjë. Madje aq egoist është ai për atë që ndien, saqë i jep fund edhe vetes. Nuk di sa do të arrij të jemi Verteri, por nëse do ta arrij, atëherë do të jetë suksesi më i madh i jetës sime. Kam kohë për ta perfeksionuar. Do ta interpretoj sërish në vitin 2018 në Operën e Bastijës në Francë. Unë punoj me plan. Tani kam vetëm një provë, por një provë shkatërruese, sepse vepra është e tillë. Tani që e mendoj shoh se ka gjëra që nuk varen nga çka na rrethon, janë ca gjëra që i shpëtojnë atij llumit të përditshëm në të cilin jetojmë. Është e paimagjinueshme se sa gjeni ka brenda kjo vepër. Muzikën e Massenet dhe fjalët e Gëtes… Dhe i qëllon një njeriu të zakonshëm si unë që ta interpretojë…
Po vokalisht?
Vokalisht është shumë e vështirë, sepse nuk është vetëm një arie që do të këndohet, por janë katër akte. Vetëm në aktin e fundit janë 20 minuta vdekje. Muzika përsërit dhe përsërit të njëjtën ndjenjë. Është si niveli i adrenalinës që të shtohet sa herë që mendon për njeriun që do dhe kjo është shkatërruese, sepse nuk e kontrollon dot. Dhe kjo ndodh jo vetëm me këngëtarin, por edhe me orkestrantët. Kam përshtypjen se ata do të përfshihen jashtëzakonisht shumë nga kjo vepër, sepse janë muzikantë, por janë dhe individë. Shqiptarët janë njerëz të ndjeshëm dhe do ta zbërthejnë muzikën sipas eksperiencës së vet. Muzika e Massenet është shumë tërheqëse dhe ajo do të shijohet nga të gjithë.
Kanë kaluar fare pak ditë nga interpretimi juaj në “La Scala” me “Flautin Magjik”, çfarë përshtypjesh na sillni që andej?
Lodhja që ndiej me Verterin është ndoshta edhe për shkak të kalendarit të ngjeshur që kam pasur së fundi, por “La Scala” ishte kulmi i tensionit. Ata janë duke kaluar një periudhë të vështirë ekonomike, politike, është protestuar gjatë shfaqjeve, është fërshëllyer, nuk janë pëlqyer spektaklet, këngëtarët, regjia dhe për ne ishte gati një ëndërr që gjithçka shkoi mbarë. Jo vetëm që nuk pati asnjë lloj proteste, por u përcoll si e suksesshme, si nga kritika edhe nga publiku. Të gjashta shfaqjet ishin plotë. Për mua është kënaqësi e madhe që pas 10 vjetësh që endem lartë e poshtë të këndoj në “La Scala”. Kisha refuzuar disa herë të këndoja atje, Don Zhuanin, Rigoleton dhe Traviatën, sepse dëshiroja të hyja aty nga dera kryesore, dhe jo sepse më ra rruga andej. E gjitha ishte me plan, që unë të shkoja atje jo me një rol shpërthyes, siç mund të ishte një Verter apo “Turandot”, por për të treguar gjithçka që unë jam sot, por jo atë që do të vijë.
Pavarësisht vështirësive, besoj se publiku italian është shumë i kultivuar dhe të këndosh para tij nuk duhet të jetë e thjeshtë…
Ata kanë bërë historinë e artit operistik dhe i kanë të gjitha të drejtat që të jenë protestues dhe kur ti ia del përpara një publiku të tillë, atëherë nuk ka se si të mos jesh i kënaqur. Unë kisha një rol kryesor, rolin e një princi dhe, siç ju thashë, hyra nga dera kryesore. Pa bujën e një roli të madh, por si një fillim i mbarë për të hapur derën e një teatri të madh me një histori botërore.
Ndonëse kalendari juaj është shumë i ngjeshur, së fundmi po gjeni më shumë kohë për të ardhur në Shqipëri, si e shpjegoni këtë?
Është një lloj nacionalizmi. Kam dashur që në aq kohë sa kam, pjesë e kalendarit tim artistik të bëhej edhe Shqipëria, me qëllim që edhe ajo të bëhet pjesë e Europës, së cilës i takon gjeografikisht. Megjithatë, është shumë e vështirë, sepse të pretendosh për opera këtu, duhet të jesh martir. Mundësia është, sepse rezulton një nga zhanret më të suksesshëm që ka eksportuar disa emra, që figurojnë në kalendarët e të gjithë botës. Shqipëria po ecën me ritme të jashtëzakonshme, aq sa ne ndonjëherë nuk e kuptojmë se ç’ndodh dhe do të donim që pjesë e këtij ndryshimi të ishte edhe opera, pavarësisht kushteve të vështira. Nuk jetoj në Shqipëri, nuk kam asnjë interes ekonomik, nuk i kam bërë ndokujt fushatën elektorale, qoftë majtas, apo djathtas, këtë e bëj vetëm për nacionalizëm. Ndoshta dikujt do t’i duket si mendjemadhësi, ndoshta dikush do të mendojë se po shes mend, por jo, unë e bëj këtë për të dhënë një shpresë. Sepse isha një njeri që nuk kisha asgjë veç talentit të dhënë nga Zoti. Nuk kisha para, nuk kisha asgjë. Dola, besova dhe fitova. Sot unë dëgjova dikë që ishte i niveleve botërore. Ne prodhojmë përditë njerëz të tillë, por ata kanë nevojë ta dinë këtë. Kanë nevojë për mundësi, por edhe për shpresë. Dhe unë jam këtu edhe për këtë. Këtë ka bërë Massenet, këtë ka bërë Verteri, këtë dua të bëj edhe unë.
Për të arritur suksesin duhet shumë punë, çfarë duhet për ta mbajtur?
Sakrificë, shumë punë dhe pak llafe. Mos shihni publicitetin që është bërë. Puna ime fillon tani. Deri më tani kam bërë shaka. Deri tani kam qenë pjesë e atij “thashethemet” që unë këndoj diku, ndërsa prej tani fillon dhe vlerësohet ajo që do të bëj. Deri tani kam qenë ai djali që premtonte për të ardhmen, kurse tani do të shihte nëse unë jam më shumë se një premtim. Rrugë të mesme nuk ka. Sa i takon famës, nuk kam më asnjë merak, por sa i takon artit që bëj, jam ende tek A-ja. Unë tani po filloj.
Të tremb e ardhmja?
Mezi po pres. Jam kurioz për veten, për atë që mund të arrij. Sepse unë e dua shumë atë që bëj. E dua operën pa masë, e dua perfeksionin dhe zërin e bukur me të njëjtin idealizëm si atëherë kur ika dhe i thashë vetes që do t’ia arrij.
Të duket ndonjëherë e mërzitshme kjo jetë që bën?
Nuk ke mundësi të mërzitesh. Çdo rol të fut në një botë tjetër. Zbulon epoka, gjeni që të kanë lënë pas histori dhe vepra që ti të mund t’i interpretosh. Nuk ka kohë për të përsëritur veten.
Nuk ju duket si një ëndërr gjithë ky rrugëtim që keni bërë? E ktheni ndonjëherë kokën pas?
Nuk e kisha menduar më parë, por tani që e mendoj… Kur erdha në Shqipëri, avioni me të cilin erdha zbriti me një rrotë dhe krahu i djathtë preku në tokë e bëri xixa. Në atë moment më kaluan para syve këto dhjetë vitet e fundit të jetës sime. Por jo, nuk kam qëndruar të mendoj se çfarë më ka ndodhur. Dhe nuk dua të kthej kokën pas, sepse po ta mendoj, atëherë do të kënaqem, do të ulem në kafe dhe do të filloj të rrëfej ato që kam bërë, por jo nuk kam kohë. Tani e deri në 50 vjeç është periudha më e mirë gjatë së cilës mund të jap dhe për të arritur atë ëndrrën time, jo thjesht për të kënduar në një teatër të madh, por për të arritur më të mirën e mundshme. Kjo është pjesë e ambicies sime personale për të bërë maksimumin.
Jeni gjithnjë në udhëtime, nuk keni kohë, por a ju intereson politika, dëgjoni ç’ndodh në Shqipëri?
Kur ke familjen që jeton këtu, aq më tepër kur njëri është i majtë dhe tjetri i djathtë, padyshim që do t’i dëgjosh të dyja palët, por konkluzioni që nxjerr nga kjo është që papërgjegjshmëria në Shqipëri është e çuditshme. Por nuk ia vlen që të flasim për këtë, sepse ne jemi një popull i vështirë dhe vështirësitë më të mëdha ia shkaktojmë vetë vetes. Dhe nëse ka fajtorë këtu, janë vetëm njerëzit. Jashtë dilet në mitingje vetëm kur nuk ka ujë, rrugë, kur priten buxhetet për kulturën, kurse këtu dilet në mitingje si majtas dhe djathtas dhe vetë pushtetarët nuk e kuptojnë nëse njerëzit i ka me vete, apo kundër. Unë nuk merrem me politikë, sepse nuk kam kohë, por nuk kam as interes e as ambicie.
E meqë jemi në këto ujëra, është suksesi i një artisti pushtet?
Jo. Nuk ka lidhje. Pushtetin ta japin njerëzit. Unë jam po ai Saimir që kam qenë gjithnjë. Është e vërtetë që nuk kam më aq kohë sa dikur për t’ju dedikuar njerëzve, sepse puna që unë bëj, të vjedh, por jo, nuk e shoh si pushtet. Unë lë një dokument pas dhe shpresoj që njerëzor të marrin më të mirën prej saj. Unë jam argëtues, jam xhongler, nuk kam asnjë lloj pushteti.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura