Saimir Pirgu sjell Verterin në skenën shqiptare

Apr 12, 2011 | 11:30
SHPËRNDAJE

Tenori Saimir Pirgu dhe mexosopranoja Vikena Kamenica sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit një nga operat më të bukura të repertorit francez, mbështetur në një nga veprat më të mëdha të letërsisë botërore.“Verter” (“Werther”), opera me tri akte e kompozitorit Jules Massenet vjen për herë të parë për publikun shqiptar në datat 20, 22, 24 dhe 26 prill, si një nga projektet më ambicioze për gjysmën e parë të sezonit artistik të TKOB-it për vitin 2011. I ftuar special për këtë shfaqje është tenori Saimir Pirgu, një nga yjet më të shndritshëm të artit shqiptar jashtë kufijve. Sapo ka përfunduar suksesshëm shfaqjen e “Flautit magjik” në skenën më të rëndësishme operistike botërore, në “La Scala”, ku interpretonte rolin e Paminos dhe tani ndodhet në Tiranë, për t’u përgatitur për sfidën e radhës. Do të interpretojë Verterin, një nga personazhet më tragjikë të operistikës botërore, mbështetur në një nga personazhet më të njohur të Johan Volfgang Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe). Në krahë të tij do të interpretojë mexosopranoja Vikena Kamenica, një nga garancitë më të mëdha të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Jules Massenet e kompozoi “Verterin” mbi libretin e shkruar nga Edouard Balu, Paul Milliet dhe Henri Grémont Hartmann, bazuar në veprën e Gëtes, “Vuajtjet e djaloshit Verter”. Kjo vepër e pati premierën në Opera Imperial të Vienës, në 16 shkurt të vitit 1892. Pavarësisht se “Manon” është opera më e famshme e Massenet, thuhet se “Verteri” është më e mira e tij. Opera flet për një dashuri të pashpresë, me një fund tragjik, por ndryshe nga të gjitha veprat e tjera të këtij lloji, ku në fund vdes heroina, kësaj here është heroi. Pasi ka parë të japin shpirt sa e sa Violeta e Mimi, Saimir Pirgu kësaj here duhet të vendoset në vendin e partnereve të tij, madje në një situatë edhe më tragjike, pasi duhet të kryejë një vetëvrasje për hir të dashurisë. Karakteret kryesore të veprës janë, Verteri, një poet 23-vjeçar, Sharlota, Alberti i fejuari i Sharlotës, Sofia, Shmidi dhe Johani.
Vuajtjet e Gëtes
“Vuajtjet e djaloshit Verter” është një nga veprat më të njohura të Gëtes, e cila ka një bazë të fuqishme autobiografike. Është botuar fillimisht në vitin 1774 e më pas e ripunuar në vitin 1787. Pjesa më e madhe e veprës paraqitet si një koleksion letrash të shkruara nga Verteri, një artist i ri me një ndjeshmëri të lartë dhe temperament pasional. Letrat ia drejtonte mikut të tij Vilhelmit. Në këto letra, Verteri tregon mbi qëndrimin e tij në një fshat të trilluar, ku është magjepsur nga peizazhi dhe jeta e fshatarëve. Aty ai takon Sharlotën, një vajzë të re e shumë të bukur, e cila në fakt ishte e fejuar me Albertin, i cili është shumë më i madh se ajo. E ndërsa miqësohet me të dy, Verteri bie në dashuri me Sharlotën dhe kjo e bën atë të vuajë jashtëzakonisht shumë. Kjo e detyron të largohet nga fshati e të shkojë në vajuar, por kur kthehet e gjen Sharlotën të martuar. Pas një gjendjeje shumë të rënduar shpirtërore, me qëllim që të mos i bënte askujt keq, Verteri vendos të vrasë veten. Sipas psikanalistëve, Gëtja e shkruajti “Verterin” për të shpëtuar veten, e vetëvrau atë për t’i shpëtuar një vetëvrasjeje të mundshme.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura