Rritja e pensioneve me 3 %, ja tri skemat e reja të përfitimit

Nov 23, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Në 2017, pensionet do të rriten me vetëm 3%. Sikundër ka ndodhur në këto dy vite, pas reformimit të skemës, edhe vitin që vjen sërish do të ketë indeksim të pensioneve. Në projektbuxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale parashikohet që shtesa të bëhet në masën 3% për rreth 640 mijë pensionistë, raporton “Panorama”.

klosi komision

Ministri Klosi e cilësoi këtë rritjen si më të lartën në raport me dy vitet e shkuara, ku indeksimi i pensioneve nuk arriti të kalonte 2%. I pranishëm në Komisionin e Shëndetësisë, Klosi tha se skema e re është e duhura, pasi mundëson përfitim më të lartë mujor për ata që derdhin më shumë kontribute.

“Është rritja më e madhe që ka ndodhur në këto dy vite. Me skemën e re, një person që del sot në pension mund të përfitojë deri edhe 40% më shumë pension, sepse llogaritë bëhen mbi bazën e re kontributeve që janë derdhur”. Por për kryetaren e Komisionit të Shëndetësisë, deputeten e PD-së, Albana Vokshi, kjo shtesë është minimale dhe është e barasvlefshme sa kostoja për blerjen e dy bukëve.

SKEMAT E REJA

Me buxhetin e vitit 2017, Ministria e Mirëqenies Sociale ka parashikuar, përveç rritjes së nivelit të përfitimeve të pensionistëve me gati 3%, edhe mbulimin me fonde për disa skema të reja që janë në proces miratimi.

Këtu përfshihet vendimi për ngushtimin e diferencave për pensionet e lidhura në periudhën nga viti 1993 deri në 1996. Kategoritë që do të përfitojnë rishtazi nga shtesa janë ishpunonjësit e industrisë metalurgjike, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistë, saldatorë etj.

Veç kësaj, vitin që vjen qeveria ka në plan që të rrisë numrin e familjeve që do të trajtohen me kompensim pas heqjes së fashës 300 kilovatë/orë. Në projektbuxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale thuhet se do të bëhet zgjerimi i numrit të përfituesve të rimbursimit të energjisë elektrike, duke futur në skemë edhe pensionistët e vetëm të fshatit.

Ndërkohë që, krahas këtyre dy vendimeve që pritet të miratohen shumë shpejt, një tjetër skemë e cila kërkon mbështetje financiare është ajo për kthimin pas të lekëve që u janë mbajtur ishushtarakëve, pas miratimit të Aktit Normativ në 2010. Pagesat që kanë nisur prej këtij muaji do të vijojnë deri në maj të 2017.

ISH-TË PËRNDJEKURIT

Deri në përfundim të këtij mandati qeverisës, dëmshpërblimi për ish-të përndjekurit që janë gjallë do të jetë një çështje e mbyllur. Ky është zotimi i përsëritur i ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

“Mendoj që është shumë e rëndësishme të përmend në komisionin tuaj që do të vazhdoj me të njëjtin ritëm me buxhet pak më shumë se vitin e kaluar, mbështetja për ish-të burgosurit politikë duke përmbushur me domosdo brenda mandatit tonë qeverisës likuidimin e tetë kësteve për të përndjekurit politikë”.

Nga ana e deputetëve të opozitës u ngrit shqetësimi se në radhët e të dënuarve ka ende nga ata, të cilët nuk kanë përfituar këstin e dytë të dëmshpërblimit. Në këtë rast bëhet fjalë për trashëgimtarët, për të cilët procesi duket se ka mbetur në vendnumëro dhe ende nuk ka asnjë afat se kur do të prekë vijën e finishit.

BUXHETI

Gjithsej për vitin e ardhshëm, Ministria e Mirëqenies Sociale ka në arkën e saj një fond që kap vlerën e 76 miliardë lekëve, e cila dyfishohet nëse përfshijmë këtu edhe të ardhurat e gjeneruara nga mbledhja e kontributeve. Kjo shifër, sipas Klosit, është rreth 27% më e lartë se ajo e tri viteve më parë.

“Për sa i përket buxhetit të vitit 2017, në krahasim me buxhetin e vitit 2013 që gjetëm nga qeveria juaj, Ministria e Mirëqenies Sociale ka 76.1 miliardë lekë dhe së bashku me shpenzimet që financohen nga të ardhurat kontributive, buxheti i ministrisë shkon në 146.39 miliardë lekë. Në qoftë se këtë buxhet e krahasojmë me atë të vitit 2013, Ministria e Mirëqenies Sociale ka 27% më shumë buxhet”.

ADA HAZIZOLLI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura