Rreziqet nga unanimiteti dhe manipulimi

Mar 29, 2018 | 12:00
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Historiani dhe filozofi an glez Arnold Toynbee, në librin e tij “Studimi i historisë”, e konsideronte artin e përshtatjes si orvatjen më shkatërruese të natyrës njerëzore. Toynbee jep një përshkrim të jashtëzakonshëm të shkatërrimit, që vjen nga edukimi drejt unanimitetit, aty ku ka humbur të menduarit kritik dhe identiteti. Shqetësimi i historianit dhe filozofit anglez rreth humbjes së individualitetit ishte shumë i madh kur ende rrjetet sociale nuk kishin përfshirë furinë e debatit, duke bartur peshën e madhe të reklamës dhe propagandës. Se sa i shqetësuar do të ishte ai sot, mund ta marrim fare lehtë me mend, pasi tashmë joshja e madhe e botës virtuale ka bërë që të menduarit kritik të vijë e të ngushtohet, duke i lënë dorë të lirë pushtetarëve që të formatojnë një projekt lehtësisht të arritshëm, përmes manipulimit të realitetit apo përmes gjysmë të vërtetave që shtojnë radhën e “miratuesve unanimë”.

Duhet më së pari të theksojmë se, sipas sociologëve dhe psikologëve, mjaft njerëz kanë nevojë për ndërmjetës në përcaktimin e realitetit rreth tyre. Kështu, mjaft persona i lexojnë fenomenet përmes përvojave të të tjerëve apo përmes interpretimeve të paraardhësve dhe rrallëherë duke menduar dhe gjykuar vetë. Pikërisht këtë pafuqi për të lexuar vetë realitetin, e shfrytë- zojnë manipuluesit, të cilët diktojnë më pas debatin përmes krijimit të një realiteti të ri dhe të kontrolluar përmes sugjerimeve dhe gjykimeve të hedhura prej tyre në rrjetin e komunikimit online. Po përse është e rëndësishme që të flasim për manipulimin dhe pasojat e tij?

A mund të kuptohet manipulimi kur bëhet kaq hapur përmes medias apo formave të tjera të komunikimit? Historia e sotme e komunikimit tregon se thuajse të gjithë mund të jenë viktima të manipulimit. Por më të ekspozuar janë ata që, për shkak të nivelit jo të lartë kulturor apo të zhytur në pellgun e mbijetesës, nuk munden dot të lexojnë rrethanat dhe t’i gjykojnë ato në bazë të vlerave dhe moralit. “Viktima e manipulimit nuk e di që është viktimë. Atij i janë mbyllur muret e burgut dhe beson se është i lirë. Që ai nuk është i lirë, kjo është e qartë vetëm për dikë tjetër”, shprehej vite më parë filozofi dhe shkrimtari anglez, Aldous Huxley, duke shpjeguar ndoshta një nga pikëpyetjet e përhershme që shtron shoqëria, sidomos pas ndodhive negative, kur mjaft njerëz pyesin- “Përse nuk reagojnë njerëzit ndaj së keqes?”.

Dhe me një publik të deformuar nga televizioni, manipulimi është bërë “arti i madh i pëshpëritjes”, duke i hapur rrugën joshjeve dhe deformimit të realitetit. Manipuluesit përdorin “të menduarit e shpejtë dhe irracional”, si dhe përdorin gjuhë me efekte të drejtpërdrejta socio-psikologjike, duke future në një qorrsokak gjykimin e qytetarëve ndaj asaj që i sugjerohet pandërprerë. Gërshetuar me varfërinë, manipulimi i ka dyert edhe më të hapura, pasi nevoja për ushqyerjen e familjes i bën mjaft qytetarë lehtësisht të manipulueshëm, për shkak se shumë prej tyre duan të besojnë se dikush do t’i nxjerrë nga hallet e mbijetesës.

Njëkohësisht, ideja se njeriu është gjithnjë i hapur drejt së ardhmes, e kthen atë në një qenie të ekspozuar ndaj instiktit dhe joshjes. Pa dyshim që komunikimi virtual, për shkak të shpejtësisë dhe përhapjes, i jep shumicës së njerëzve idenë se mund t’i përkufizojnë vetë rrethanat e së ardhmes, duke humbur shpesh komunikimin njerë- zor. Nga ana tjetër, nuk është ndonjë çudi që kjo liri për t’u shprehur për gjithçka në rrjete sociale, që josh gjithnjë e më shumë njerëz në botë, të jetë e mbështetur apo dirigjuar nga pushtetarët, të cilët përmes protestave në rrjete sociale, u japin mundësinë shfryrjes së problemeve, duke shmangur kështu protestat në sheshe apo bashkimin e shumë njerëzve në kërkimin e ndryshimeve të mëdha politike.

Gjithashtu, identifikimi i problematikave përmes debatit online rezulton se ka shërbyer më shumë për ndërtimin e strategjive për fushatat politike sesa për të evidentuar të keqen. Përballë frikës për manipulim, që çon më pas në unanimitet, në humbjen e plotë të individualitetit, është me rëndësi që të gjenden rrugë për të zhvilluar mendimin kritik që në shkolla, që fëmijët të kenë të paktën një model debati për të mos qenë thjesht miratues, por edhe gjykues dhe sugjerues. Nëse nuk kujdesemi për të formuar nxënës që të kenë qëndrimet dhe mendimet e tyre, atëherë lehtësisht vetëm sa kemi prodhuar ushtarë unanimë, për të vijuar më tej botën e pandalshme të spektaklit dhe manipulimit, ku e vërteta vlen dhe kërkohet gjithnjë e më pak.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura