Rreziku Champions/ Rikuperohet Ibrahimoviç, por Piolit nis t’i dridhet… stoli

Apr 29, 2021 | 11:33
SHPËRNDAJE

Mosarritja e një kualifkimi për në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm do të ishte një tronditje për Milanin, veçanërisht pas një pjese të parë mahnitëse të kampionatit, e cila përfundoi me titullin e kampionit të dimrit. Nëse “Djalli” nuk arrin në katër të parët, në diskutim do të përfundonte edhe Stefano Pioli, i cili ka pesë ndeshje për të konsoliduar punën e shkëlqyeshme që ka bërë deri më tani në stolin kuqezi.

pioli

Në momentin vendimtar të kampionatit, i cili gjithashtu përkon me çastin më të komplikuar, Milani ka shumë nevojë për liderin e tij, për atë Zlatan Ibrahimovic, i cili është i gatshëm të kthehet në fushë ndaj Beneventos. Suedezi ka dy ditë që punon me grupin dhe do të ketë disa ditë kohë për të përmirësuar gjendjen e tij fizike në funksion të sfidës së “San Siro”- s. Sulmuesi 39-vjeçar mund të mos jetë risia e vetme në formacioni duke pasur parasysh që Stefano Pioli po konsideron gjithashtu ndryshime të tjera në krahasim me ndeshjet e fundit.

KTHEHET ROMANJOLI? – Sipas raportimeve të fundit nga “La Gazzetta dello Sport”, mes titullarëve të së shtunës mund të jetë edhe Alesio Romanjoli. Ai që do t’i bënte vend kapitenit do të ishte Fikajo Tomori që pas disa paraqitjesh të nivelit të lartë, është shfaqur në rënie në sfidat e fundit, në të cilat ai gjithashtu bëri disa gabime mjaft të dukshme e deri diku vendimtare. Balotazhi është i hapur, ndërsa në rolet e tjera të prapavijës milaniste mund të konfirmohen Kalabria në të djathtë, Hernandez në të majtë dhe Kjaer në qendër.

ibrahimovic

RISI NË SULM – Zlatan Ibrahimoviç nuk duhet të jetë e vetmja risi në sulm, ku si Samu Kastijeho ashtu edhe Brahim Diaz po ngrohin motorët. I pari mund të zërë vendin e Selemekersit, ndërsa spanjolli i huazuar nga Reali i Madridit kërcënon Çalhanoglunë, i cili ka përfunduar në syrin e ciklonit të kritikës pas disa paraqitjesh zhgënjyese. Sidoqoftë, kujdes ndaj një hipotezë tjetër, e diktuar mbi të gjitha nga vështirësitë e Milanit në shënim, çka do të sillte praninë e njëkohshme në fushë të Ibrës, Rebiçit dhe Leaos.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura