Rreth intervistës së një ish-hetuesi të Ministrisë së Brendshme

Sep 4, 2018 | 11:42
SHPËRNDAJE

LEKË TASI

leke tasi

Kohët e fundit, nëpër gazeta po dalin materiale që ritregojnë ngjarje të periudhës komuniste me do elemente plus të panjohura deri dje. Në fushën e editorisë, kjo frymë është edhe më e theksuar; kanë dalë plot libra seriozë që tregojnë të vërteta që mbuloheshin ose shtrembëroheshin në versionet zyrtare. Kur pashë të flitej për kolonel Haxhi Hajdar Manin, u bëra menjëherë kurioz dhe  u vura ta lexoj. Një zhgënjim i thellë qe rezultati. Intervista, sipas meje, dhe besoj edhe sipas shumë qytetarëve që e njohin ngjarjen, mund të duket si një qerthull fjalësh që vjen rrotull dhe nuk prek fare thelbin e çështjes. Haxhi Hajdar Mani kishte miqësi me një malësor, emri i tij Nosh Kola, i cili i dërgoi fjalë se po rrezikohej nga Sigurimi. Mani u zhduk nga Shkodra për këtë arsye: që t‘i vinte në ndihmë mikut. Kjo qarkulloi, por nën zë, e mbaj mend mirë. Mundet që ta ketë biseduar edhe me Mehmet Shehun si një shkelje të legjislacionit, sepse te disa karaktere është e vështirë të zbehet vizioni njerëzor, burrnor i gjërave dhe të zëvendësohet me një tjetër, që e quan të vdekur atë lloj raporti. Nëpërmjet njerëzve të shtëpisë, siç kam dëgjuar, ai e furnizoi me ushqime dhe ujë mikun e ngujuar në shpellë, ndofta edhe me municion. Pastaj, kur u shtrëngua edhe vetë, kur ra në sy duke blerë ushqime, shkoi te shpella dhe aty forcat e shumta u ranë me top dhe i asgjësuan. Në kuptimin literal të fjalës. Duke mos e thënë këtë fakt të plotë hetuesi i intervistuar, 90-vjeçari Shyqyri Coku, ia fsheh edhe sot gjestin burrnor Haxhi Hajdar Manit, oficer madhor, por edhe njeri i besës, gjest i rrallë, i flijimit për shokun. Me një fjalë, reduktohet vetëflijimi në një banalitet absurd, sesi dikush që ishte mirë e bukur, i shkrepet papritmas të arratiset… Nuk na e merr mendja që të harrohen, qoftë dhe në pleqëri të thellë, gjëra të tilla, shkaku dhe motivi i ngjarjes…

E kam konstatuar edhe në raste të tjera këtë negligjencë të qëllimshme të detajeve, si p.sh., në tregimin e dalë disa herë në gazeta të shoqërimit plot rreziqe të infermiereve amerikane që ranë në tokën tonë aksidentalisht në 1943 dhe u përcollën nga partizanët gjer në bregdet për t’u evaduar nga një nëndetëse. Me klimën e gëzueshme që dominon sot si pjesëtarë të NATO-s që jemi, rrethanat e rrezikut dhe shpëtimit, si dhe fotografitë, tregohen gëzueshëm si një episod i aleancës (me demek e kemi miqësinë qysh në kohën e luftës) dhe lihet mënjanë pushkatimi i Kostaq Stefës pak më vonë, që u dyshua për agjenturë, pikërisht sepse nuk e dyshoi fare rrezikun (e importuar dhe partiak që mund t’i kanosej), kur si anglishtfolës iu bind urdhrit të Shtabit të Përgjithshëm t’i përcillte. Mora vesh në artikullin e djeshëm mbi arratisjen dhe asgjësimin e Haxhi Hajdar Manit, vetë i dytë, se është realizuar edhe një dokumentar nga Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, në kuadër të ciklit “Përballje me të kaluarën”, bashkëpunim i prezencës së OSBE dhe TV publik Shqiptar, me drejtor Th. Gëllçi, nuk di se sa i plotësuar me të gjitha këto aspekte që përmenda, uroj që po. Kërkova në internet, por më tepër se 1 minutë s‘japin, sot një vit pasi është transmetuar, dhe në atë minutë nuk përmendet shkaku i vërtetë, pra, gjesti vetëmohues i kolonelit. Sidoqoftë, le të shërbejë ky shënim në shtyp që Zonja Claudia Wollmer e prezencës së OSBE, të vihet në dijeni të këtij aspekti të çështjes, për të pasur njëherazi edhe një ide më të qartë edhe për predispozitën dhe besueshmërinë e organeve të informacionit drejt një transparence reale me të kaluarën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura