Rreh bashkëshorten pas divorcit: Do të vras nëse kërkon fëmijën

Jan 28, 2016 | 8:20
SHPËRNDAJE

Divorci mes dy të rinjve nuk ka mjaftuar për t’u dhënë fund konflikteve mes tyre. Molla e sherrit mes tyre është bërë fëmija 3 vjeç, i cili me vendim gjykate iu besua rritja e përkujdesi nënës. Por babai nuk është pajtuar me këtë vendim dhe e ka mbajtur të miturin vetë, duke mos e përmbushur vendimin gjyqësor.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Debatet mes 27- vjeçarit, Ervin Saliaj, dhe ishbashkëshortes së tij, me inicialet E.S., 27 vjeçe, kanë vijuar pas kësaj, pasi nëna e re kërkonte vazhdimisht të merrte fëmijën e saj.

DHUNA

Dy net më parë, i riu i ka shkuar në punë ish-bashkëshortes 27- vjeçare duke e rrahur atë me grushte e duke e kërcënuar se do të kishte pasoja nëse do të vijonte të kërkonte fëmijën e saj. E.S. punonte në një agjenci udhëtimesh dhe është ndeshur në agresionin e ish-bashkëshortit të saj pa pasur mundësi të bënte asnjë manovër për të shpëtuar prej tij. Fatmirësisht kanë qenë disa kalimtarë që kanë parë skenën e dhunshme dhe sinjalizuan policinë.

Kjo e fundit mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ndërhyri në kohë, duke shmangur kështu një ngjarje të rëndë të mundshme. Pas marrjes në pyetje të palëve në vend, blutë bënë të ditur se arrestuan 27-vjeçarin Ervin Saliaj, banues në lagjen “29 Nëntori”, Fier.

“Rreth orës 17:00 të ditës së sotme (e martë), në lagjen ‘Apolonia’, në ambientet e një agjencie udhëtimesh, shtetasi Ervin Saliaj ka rrahur e kanosur për jetën ish-bashkëshorten, E.S., 27 vjeçe, banuese në lagjen ‘8 Shkurti’, Fier, punonjëse në këtë agjenci.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar patrulla e policisë duke bërë të mundur neutralizimin e autorit dhe ndalimin e tij. Nga martesa, çifti i divorcuar kishte një fëmijë 3-vjeçar, për të cilin Gjykata ka vendosur të mbahet nga nëna. Por Ervin Saliaj, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, e mban vetë dhe nuk e kthen atë tek e ëma”, bënë të ditur burime të Policisë së Fierit.

DESHMITARET

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, burri po e godiste gruan vazhdimisht me grushte, duke i thënë se nuk do t’ia jepte kurrë fëmijën dhe madje e kanoste që ajo të mos e kërkonte më atë, ndryshe do të kishte pasoja të rënda.

“I thoshte se do ta vriste dhe nuk do ta shihte më kurrë dritën e diellit nëse do të kërkonte fëmijën”, u shprehën dëshmitarët. Sipas Policisë, i riu u arrestua në kushtet e flagrancës, i akuzuar për veprat penale “Dhunë në familje”, “Kanosje serioze për hakmarrje”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.

Ndërkohë pas marrjes në pyetje gruaja e dhunuar ka thënë se ajo ka fituar të drejtën e kujdestarisë së fëmijës nga Gjykata nga ku ishte argumentuar fakti se i mituri ka nevojë më shumë për nënën. Ajo është përpjekur pas kësaj kohe që të merrte fëmijën e saj, por ish-bashkëshorti nuk e lejonte ta merrte, madje as ta takonte.

Përpjekjet e vazhdueshme të gruas për të takuar fëmijën e saj e kanë acaruar 27-vjeçarin deri në atë pikë sa ai ka shkuar ta dhunojë e ta kërcënojë në punë, në mënyrë që ajo të tërhiqej dhe të mos e kërkonte më të birin.

MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura