Rrëfehet vëllai i agjentit sekret që do vriste Enver Hoxhën: Takimi pas 10 viteve në qelitë e Burrelit, na hodhën ‘bombën’ në mes të shtëpisë kur…

Feb 6, 2022 | 13:01
SHPËRNDAJE

Avdul Banushi-Hodo-Banushi1AFRIM IMAJ/ Në rastin e Avdul Banushit, njeriut që kishte ardhur nga Perëndimi për të vrarë Enver Hoxhën, Sigurimi i Shtetit ka operuar me një skemë të veçantë duke ruajtur të fshehtë arrestimin, procesin gjyqësor dhe dënimin e tij.

Duke hedhur dritë mbi arsyet e këtij fakti të panjohur, Piro Nuredimi, ish-operativi i burgut të Burrelit, pohon përpjekjet e policisë sekrete për të zbuluar misteret që i dënuari VIP nuk pranoi ti zbardh gjatë procesit maratonë që zgjati dy vjet.

“Avduli kishte dhjetë vjet në burgun e Burrelit dhe familja nuk dinte gjë”, dëshmon Hodo Banushi, vëllai i tij, duke kujtuar momentin si janë njohur për herë të parë me lajmin tronditës.  Ai e ka të fiksuar në kujtesë atë pasdite dimri, kur mysafiri panjohur që vinte nga Burreli, u ka hedhur “bombën” në mes të shtëpisë: Vëllai i arratisur para 25 viteve, tanimë ishte në qelitë e burgut, jo si i dënuar i zakonshëm, por si atentatori i Enver Hoxhës! Në rrëfimin për Gazetën “Panorama.al”, Hodo Banushi, tregon përjetimet nga takimi pas tri dekadash me Avdulin dhe peripecitë që i kanë ndjekur pas zbardhjes së historisë…

Hodo Banushi1

Zoti Hodo! Në kujtimet e Piro Nuredinit, ish-oficer i Sigurimit në burgun e Burrelit, zbulohet një takim i fshehtë që keni bërë në Gjirokastër me Avdul Banushin gjatë kohës që vuante dënimin…

Përballja me Avdulin pas 25 vitesh, ishte vërtet diçka tronditëse. Mbaj mend që na thirri Piro Nuredini dhe shkuam për ta takuar në një nga qelitë e Degës së Brendshme të Gjirokastrës ku e kishin sjellë në fshehtësi të plotë nga burgu i Burrelit. Ky ritual zgjati plot katër ditë. Kanë qenë momente prekëse, sidomos për Avdulin, që na pyeste e interesohej jo vetëm për të afërmit, por për tërë të njohurit dhe fshatarët e tjerë. I vetmi peng që shprehte ishte fakti që nuk harriti të takohej me babanë. Sidoqoftë, ndihej i lehtësuar që më në fund mundi të shoh e të flasë nga afër me njerëzit e dashur të zemrës.

Pra, nuk shkuat ju për ta takuar në burg, siç ishin rregullat e kohës për të dënuarit, por e sollën aty nën përkujdesjen e Sigurimit. Çfarë fshihej pas këtij fakti pa precedent?

Në atë kohë nuk bëhej fjalë të merrnim vesh se çfarë fshihte Sigurimi pas lëvizjeve të tilla. Më vonë, kur Avduli doli nga burgu, na tregoi se ky takim i fshehtë ishte një lojë e sigurimit për të vjelë të dhëna mbi zbulimet e huaja që operonin në vendin tonë. Ishte si të thuash një lloj përpunimi psikologjik që Avduli të “dorëzohej” e të rrëfente gjëra që nuk i kishte pohuar kurrë…

Çfarë pretendonte të zbulonte Sigurimi nga Avduli, kur ishin mbyllur hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj tij?
Gjatë procesit maratonë që zgjati dy vjet, Avduli kishte pohuar gjithçka mbi veprimtarinë e vet. Kishte pranuar madje se kishte ardhur t’i bënte atentat Enverit në ditën e paradës ushtarake. Ndërkaq, nuk kishte dëshmuar asgjë mbi bazat dhe bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Nuk dha asnjë informacion mbi planet e zbulimeve perëndimore për përmbysjen e pushtetit popullor. Shkurt, i gjithë deponimi i tij përmblidhej fund e krye te akti që do kryente në Tiranë. Kaq, padyshim  nuk ishin pak për Sigurimin e Shtetit, por ishin të pamjaftueshme për të depërtuar në planet e zbulimeve perëndimore kundër regjimit komunist në Shqipëri. Avduli deri në fund nuk ofroi asnjë të dhënë, edhe pse iu nënshtrua një kalvari të tërë torturash e vuajtjesh nga më çnjerëzoret…

Ndërkaq, ju e dinit pse akuzohej Avduli gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor?
Në rastin e tij sigurimi i shtetit ka operuar me një skemë të veçantë, sa cinike aq dhe djallëzore. Arrestimi, hetimet dhe procesi gjyqësor i Avdulit janë mbajtur sekret nga fillimi në fund. Gjithçka ndaj tij është ndjekur nga një grup i vogël i policisë sekrete. Madje, edhe kur është dënuar, është proceduar me fshehtësi, duke e mbajtur në një qeli të veçantë në burgun e Burrelit…

Pra, as familjarët nuk kishin dijeni…
Në kohën që Avduli gjykohej, bile edhe kur ishte në burg, ne e dinim jashtë shtetit. Vetëm pas disa vitesh e kemi marrë vesh që ishte gjykuar dhe vuante dënimin. Lajmin na e ka sjellë Piro Nuredini, operativi i Sigurimit të burgut. Nuk e di në çfarë rrethanash, por mbaj mend që një pasdite na mblodhi të gjithëve dhe na tregoi se Avduli ishte dënuar si agjent i zbulimeve të huaja që kishte ardhur me mision të vriste Enverin. Madje, na njoftoi se kishte 10 vite që ndodhej në Burrel. Pikërisht atëherë për ne morën fund legjendat që fliteshin lart e poshtë për të.

Piro Nuredini në këtë rast ishte një ndërmjetës midis jush dhe Avdulit…

Pavarësisht detyrës dhe misionit të besuar, Piro Nuredini, mbi të gjitha ishte një djalë fisnik që na ofroi ngrohtësi e solidaritet në momente shumë të vështira. Pikërisht për këtë dhe sidomos për pjekurinë me të cilën kapërcente raportet delikate midis nesh, ai u bë i afërt e i respektuar për familjen tonë. Jemi takuar e kemi biseduar me të shumë herë, kemi qarë hallet e kemi dëgjuar mendimet e njëri tjetrit si atëherë kur Avduli ishte në burg, por edhe kur doli nga ferri i Burrelit. Lidhjet e afërta me të kanë vazhduar pashkëputje deri në momentin kur Pirua ndërroi jetë nga një aksident automobilistik. Më ka mbetur peng që nuk mora pjesë në varrimin e tij. Në atë kohë isha në Greqi dhe e kam marrë vesh shumë vonë tragjedinë e tij. Sidoqoftë, Pirua ka lënë mjaft kujtime të mira te ata që e njohën dhe i lidhi puna me të..

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  “Unë, operativi i burgut të Burrelit, që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit’”- Rrëfimi i oficerit të Sigurimit: Si i regjistruam fshehurazi të dënuarit kur vdiq Enver Hoxha

Ra në grackë nga gruaja e agjentit “Malësori”/ Operativi i burgut rrëfen prapaskenat: Si u miqësova me njeriun që do vriste Enver Hoxhën! Kishte në plan të vendoste bombë në…

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura