Ra në grackë nga gruaja e agjentit “Malësori”/ Operativi i burgut rrëfen prapaskenat: Si u miqësova me njeriun që do vriste Enver Hoxhën! Kishte në plan të vendoste bombë në…

Feb 3, 2022 | 23:58
SHPËRNDAJE

Agjenci Avdul banush1111PIRO NUREDINI/ Ishte nëntori i vitit 1978, kur nisa punë në burgun e Burrelit si punëtor operativ. Në të njëjtën kohë sollën aty për të vuajtur dënimin edhe Avdul Banushin. Qysh ditën e parë më ngacmonte kureshtja për t’u takuar me të.

Përballja e parë me Avdul Banushin u bë në qelinë e tij. Pastaj takohesha me të herë pas here. Tani e kisha përpara syve përditë njeriun “mit”. Disa ditë më vonë erdhi edhe shkresa, ku jepeshin porosi që ai ta vuante dënimin në kushtet e konspiracionit të plotë dhe të mos merrte takim me të dënuarit e tjerë. U izolua në birucë, me të dënuarin Sh.N., ish-oficer aviacioni, për të shmangur rrezikun e ndonjë vetëvrasjeje të mundshme. Duke qenë se Avduli mbante një kapele të bardhë, rojet e burgut e thërrisnin me nofkën “kasketa”. Në dosjen e Avdulit kishte mjaft të dhëna interesante. Ai vazhdonte të ndiqej në përpunim aktiv, megjithëse kishte përfunduar procesi i hetimit dhe dënimit të tij.

Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Gjatë gjykimit, Avduli nuk kishte treguar asgjë për bazat e organizatës në Shqipëri. Pikërisht ky ishte tashmë objektivi kryesor i përpunimit të tij. I studijova me një frymë dosjen e përpunimit dhe atë hetimore. Evidentova konkluzionin se kisha të bëja me një subjekt kundërshtar të vendosur të regjimit komunist, një tip të guximshëm, të patrembur përpara vështirësive. Ai shprehte hapur ndjenjat kombëtare, si dhe mallin për vendlindjen. Mua më konsideronte si bashkëpatriot dhe dëshironte që të bashkëbisedonim. Ndërsa dashurinë për të afërmit e treste përbrenda vetes dhe nuk e shfaqte. Vlerësonte mirësinë dhe ndiente detyrimin për ta shpërblyer atë. Sidoqoftë, mbetej një nga njerëzit më të rrezikshëm të pushtetit…

HISTORIA E AVDUL BANUSHIT
Emri i Avdul Banushit ishte kthyer në një legjendë për Sigurimin e Shtetit në vitet 1972-1974. Të dhënat operative konfirmonin angazhimin e tij si eksponent kryesor i Frontit të Rezistencës Antikomuniste Shqiptare (FRASH) dhe përpjekjen e dështuar të kësaj organizate në vitin 1974 për sabotimin e paradës ushtarake në Tiranë, me rastin e 30-vjetorit të çlirimit. Sipas dokumentit sekret, kjo organizatë kishte planifikuar vendosjen e eksplozivit në tribunën e paradës ku do të qëndronte udhëheqja e shtetit, ose goditjen e drejtpërdrejtë nga një bazë e FRASH-it në një nga pallatet e Shallvareve. Për Avdulin, që në bazë të informacioneve rezultonte të ishte në krye të këtyre veprimeve, ishte krijuar profili i njeriut mit, sadist, kriminel, vrasës. Po në fakt cila ishte biografia e tij? Avdul Banushi kishte lindur në Golem të Gjirokastrës. Në vitet 1943-1944 ishte inkuadruar në njësitet guerile të qytetit të Durrësit, ku ishte kapur nga gjermanët dhe ishte internuar në Mauthauzen.

Në vitin 1946, pas kapitullimit të Gjermanisë, ishte i lirë dhe iu nënshtrua procedurave për t’u kthyer në atdhe. Në rrugën e rikthimit u sistemua për një farë kohe në një kamp refugjatësh, në Regio Emilia të Italisë. Aty ra në kontakt me një oficer amerikan me origjinë shqiptare, i cili “tregoi interes” për të dhe e lidhi me krerët e politikës shqiptare në mërgim të arratisur në prag dhe pas çlirimit të vendit, si Abaz Ermenji, Abaz Kupi, Hasan Dosti, etj. Gjatë marrëdhënieve që u krijuan, Avduli ra në influencën e tyre. Ata e instruktuan që pasi të kthehej në Shqipëri, të takohej me disa nga lidhjet e tyre. Midis të tjerash i dhanë edhe një letër për Lahe Nuron, nga fshatrat e rrethit të Vlorës, kundërshtar i sistemit. Ky qëndronte i fshehur brenda vendit. Organet e Informacionit, më vonë organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin shtrirë rrjetat edhe në këto kampe, u vunë në dijeni menjëherë mbi misionin e Avdulit. Sapo zbriti nga avioni në Rinas, gjatë kontrollit iu kap dhe letra në fjalë. Për këtë u dënua dhe u dërgua në një kamp pune në Tiranë. U lirua andej në vitin 1957.

Më pas filloi punë si dizenjator në qytetin e Patosit. Një ditë dimri të vitit 1960, e shoqëruan për një verifikim në Degën e Punëve të Brendshme Fier, duke u lënë që ta kalonte natën në dhomën e shoqërimit, nga ku mundi të arratisej. Fillimisht mbërriti në Greqi. Prej aty kaloi në filtrat e zbulimit amerikan, i cili vërtetoi pozitën e Avdulit dhe miratoi kërkesën e tij për të shkuar në Amerikë. U stabilizua me punë e banim në New York. Atje u takua me krerët e emigracionit politik: Vasil Gërmenji, Hasan Dosti, Halim Begeja, Rexhep Krasniqi, etj. Përçarja e tyre la një përshtypje jo të mirë te Avduli.

Gjatë kohës që qëndroja me të në burg, si rastësisht mbaja në dorë librin e Nasho Jorgaqit, “Mërgata e qyqeve”. Avduli nuk ndenji pa më pyetur se përse bëhej fjalë në të. I thashë se i kushtohej një agjenti shqiptar që operoi në radhët e emigracionit, e kryesisht të oborrit të mbretit Zog. Kishte dëgjuar për të dhe kërkoi ta lexonte. Pasi e lexoi, më tha: “Autori e ka përshkruar me vërtetësi gjendjen e emigracionit shqiptar në botë. Titulli ‘Mërgata e qyqeve’ është shumë i përshtatshëm për historinë e tyre”. Në vitin 1972, me krijimin e FRASH-it në Amerikë, Avdul Banushi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i saj, ndërkohë që kryetar u zgjodh Vasil Gërmenji dhe zëvendës Stavri Skëndi. FRASH-i mbante kontakte me oficerin e CIA-s, Xhon.S.

Anëtarë të saj ishin edhe Sabaudin Haznedari, i cili në tetor 1982 erdhi në Shqipëri me grupin e Xhevdet Mustafës. Ajo kishte baza të rëndësishme në Europë, si Subadie Koka në Milano-Itali, Lefter Guveli dhe Nikolla Plasoti në Greqi, etj. Subadie Koka ishte me origjinë nga fshati i Avdulit, që në vitin 1943 ishte birësuar nga një çift italian. Pas çlirimit, ajo bashkë me prindërit birësues u sistemua në Milano. Deri në vitin 1975, FRASH-i veproi shumë aktivisht dhe dërgoi me mision në Europë, disa grupe që udhëhiqeshin nga Avdul Banushi. Ata kryen akte terrori në përfaqësitë shqiptare në Paris, Romë, Madrid e gjetkë. Gjithashtu, tentuan në vazhdimësi të hynin në Shqipëri për të vepruar me objektiv kryesor, terror kundër udhëheqjes së shtetit dhe vendosje eksplozivi në ATSH e Ambasadën Kineze. Në nëntor të vitit 1974, një grup me në krye Avdul Banushin, tentoi të hynte në Shqipëri, duke pasur detyrë kryesore vendosjen e eksplozivit në tribunën e paradës, organizuar me rastin e 30-vjetorit të çlirimit, si dhe hedhjen në erë të ATSH-së e Ambasadës Kineze në Tiranë. Kontribut të veçantë për kapjen e Avdulit dha agjenti i Sigurimit, “Malësori”.

Agjenci Avdul banush11111
Avdul Banushi

Ai penetroi në radhët e FRASH-it në Amerikë dhe fitoi besimin e saj, deri në atë shkallë sa të caktohej edhe si një nga pjesëmarrësit kryesorë të grupit që u nis ilegalisht në Shqipëri. Me mjaft vlera ishte edhe kontributi i bashkëshortes së agjentit tonë, Prendës, e cila mbajti kontakte të vazhdueshme me agjentin tonë nëpërmjet telefonit gjatë gjithë kohës që grupi endej nëpër Greqi e Jugosllavi për të gjetur momentin e duhur të kalimit të kufirit të Shqipërisë. Në Janinë, Avduli i tha “Malësorit” të bënte bisedën e fundit me gruan në Amerikë, sepse pas kësaj do hynin në territorin e Shqipërisë, pa i treguar se në cilin drejtim do ta kalonin kufirin. Në momentin e duhur, gruaja e tij informoi Sigurimin e Shtetit. U vendos gatishmëria në kufi. Duke qenë se ata ndodheshin në Janinë, forcat kryesore u vendosën në rrethin e Gjirokastrës, Sarandës e Përmetit. Por Avduli vendosi të mos hynte në Shqipëri nga kufiri me Greqinë, pasi dyshonte se aty e prisnin forcat e Sigurimit. Në momentin e fundit, plani i kalimit të kufirit ndryshoi.

Malësori u befasua, por tanimë nuk kishte mundësi të informonte. Ata u nisën për në Selanik me autobusin e linjës dhe prej andej kaluan në Shkup. Aty morën trenin dhe shkuan në Mali të Zi. Fjetën atë mbrëmje në shtëpinë e agjentit, në një fshat pranë kufirit dhe planifikuan që në orët e vona të natës të hynin në tokën shqiptare. Për të gjitha këto lëvizje, Sigurimi i Shtetit nuk kishte dijeni, sepse Avduli nuk e la më agjentin tonë të fliste me gruan e tij, kanali i vetëm prej nga mund të mësohej itinerari i lëvizjeve të tyre. Por, megjithëse forcat kryesore të Sigurimit ishin dislokuar në kufirin me Greqinë, gatishmëria ishte vendosur gjatë gjithë kufirit të shtetit shqiptar. Pikërisht kjo bëri që në përfundim, aksioni për kapjen e Avdulit të përfundonte me sukses. Në këtë situatë, Prenda u porosit të ndërpriste çdo lidhje me të njohurit e saj dhe të burrit nga radhët e emigracionit politik në Amerikë dhe të largohej menjëherë në Mal të Zi.

Nga Mali i Zi, ajo do të kalonte kufirin për në Shqipëri. Çdo gjë shkoi sipas planifikimit. Nuk kishin kaluar më shumë se dy ditë që kur ishte kapur Avduli, kur i çuan në ballafaqim gruan e bashkëpunëtorit. Ai u befasua dhe më pas, gjithmonë do më thoshte se nuk mund ta kuptonte, si arriti të besojë aq shumë tek ata që e futën në këtë kurth. “Nuk do ta besoja kurrë, po të më thoshin më parë, se Sigurimi do të penetronte deri në këtë pikë”, shprehej ai i menduar, sa herë që diskutonin për aventurën e tij. Avduli, që e kishte të vetin parimin “dysho për këdo”, jo vetëm që nuk i tregoi “shokut” të tij drejtimin, ku do ta kalonin kufirin, si dhe nuk i tregoi asnjë nga bazat, ku do të mbështeteshin në Shqipëri, por i sabotoi edhe armën personale, duke i hequr gjilpërën. Këto baza nuk u identifikuan dot edhe gjatë hetimit, me gjithë hetuesinë intensive, me aplikimin e të gjitha formave, madje dhe atë të shtrëngimit fizik. Në gjyq u dënua me vdekje, dënim të cilin Kuvendi Popullor i Shqipërisë e ktheu në 25 vjet heqje lirie.

BALL PER BALL ME ATENTATORIN E ENVERIT

Edhe pse hetimi ndaj Avdulit vazhdoi dy-tre vjet dhe ai u shtrëngua me të gjitha format për të treguar bazat e FRASH-it në Shqipëri, nuk u arrit asgjë në këtë drejtim. Gjatë këtij procesi, me të u takua edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Rexhep Kolli, por çdo gjë rezultoi e kotë. Në burg, Avduli, si asnjëri prej të dënuarve, nuk kishte asnjë ndihmë ekonomike. Edhe pse në këtë gjendje, ai nuk ndërmori veprime për të kërkuar ndihmë nga komanda e burgut. Pasi krijuam një farë afërsie, i rekomandova që t’u shkruante vëllezërve për ta ndihmuar. Nuk e pranoi edhe këtë sugjerim, duke argumentuar shkurt: “Kur unë u hyra këtyre punëve, nuk i pyeta ata, prandaj edhe tani nuk mund të kërkoj të më ndihmojnë”.

Gjatë bisedave të mëvonshme me të, më tregoi edhe disa momente që e pasuronin më tej profilin e tij si patriot. Ai ndodhej në Amerikë, kur Kina u pranua në OKB, gjë për të cilën Shqipëria luajti një rol vendimtar. “Megjithëse kundërshtarë të regjimit të Enver Hoxhës, u ndiemë krenarë kur stacionet televizive në Amerikë njoftuan se Shqipëria e vogël goditi me grusht të madh në OKB!”, kujtonte ai përjetimet e asaj ngjarjeje. Gjatë bisedave me të, flisja edhe për disa nga të njohurit e mi nga Golemi, fshati i Avdulit. Pikërisht në këto momente, njeriu i egër zbutej, sytë i mbusheshin me lot dhe psherëtinte, duke thënë se i ishte djegur shpirti për fshatin e tij. Duke ndier këtë gjendje, mendova të kaloj në një plan tjetër. Pavarësisht nga afërsia që krijuam, nuk mund ta neglizhoja faktin që ai ishte një kundërshtar i vendosur i regjimit komunist dhe, si i tillë, kishte pak gjasa të tregonte bazat e FRASH-it në Shqipëri.

I kisha kërkuar disa herë të më fliste për këto baza, por ai shmangej. Nga format e ndryshme të punës së organeve të Sigurimit, si nga hetuesia, agjentura, kartoteka, teknika operative, etj., disponoheshin mjaft të dhëna që bënin fjalë për bazat e FRASH-it në Shqipëri, Greqi, Itali dhe Jugosllavi. I nisur nga ky fakt, si dhe nga predispozitat patriotike të Avdulit, mendova të kërkoja ndihmën e tij, për të zbuluar agjentët në shërbim të zbulimeve të huaja, me synime grabitqare kundër sovranitetit të Shqipërisë. Tashmë, Avduli ishte miqësuar shumë me shokun e dhomës Sh. N. Sapo ai ndahej nga takimet me mua, “zbrazej” tek ai për të gjitha ato që i konsideronte “ngacmime”. Ky moment u shfrytëzua për të regjistruar bisedat që do të zhvilloheshin midis tyre. Nisur nga kjo situatë, përgatita një plan të detajuar, ku parashikoja “bombardim” psikologjik të gjithanshëm, me veprime të avancuara dhe iniciativa personale të paaplikuara më parë.

Parashikoja të merrja kontakt me të afërmit e tij në Gjirokastër e t’iu tregoja atyre se Avduli ishte kapur dhe se kishte vite që vuante dënimin në burgun e Burrelit. Fakti i arrestimit të tij mbahej akoma sekret. Në varësi edhe me situatën që do të krijohej, kisha parashikuar të organizoja një takim ndërmjet tyre, madje duke e çuar Avdulin deri në Golem… Me Avdulin takohesha pothuajse përditë, duke qëndruar për orë të tëra së bashku në birucë. Më vonë, takimet me të i realizoja në një nga zyrat e komandës së burgut. Çështja kombëtare ishte thembra e Akilit për Avdulin. Ai më dëgjonte I rënë në mendime dhe i çarmatosur nga mjetet e tij propagandistike. Për mua, kjo fliste shumë. Kishte filluar të lëkundej dhe nuk ishte pak. Nga një kundërshtar i flaktë, tani ishte bërë “i bindur” dhe kishte të paktën durimin të dëgjonte, pa të kundërshtuar, siç ndodhte më parë. Paralelisht me përpunimin ideologjik, ishte planifikuar edhe përpunimi psikologjik, duke shfrytëzuar lidhjet e tij në Gjirokastër. Ai që në fillimet e njohjes tregohej aq indiferent kur bisedonim për të afërmit e tij, tashmë fliste më mall. Nuk i kishte parë vëllezërit dhe motrat qysh nga koha që ishte arratisur, 25 vjet më parë. Kishte dobësi e ndiente mall veçanërisht për babanë, Hakan Banushi, për të cilin i ishte mbushur mendja që nuk rronte.

Kur gjeta rastin e përshtatshëm, shkova në Gjirokastër. Aty organizova edhe takimin me babanë dhe vëllezërit e Avdulit. Pasi u takova me xha Hakanin, ai më përshëndeti, mblodhi veten dhe i dha drejtim bisedës: “Ne mor bir, për Avdulin kemi dëgjuar legjenda nga më të ndryshmet. Thoshin se erdhi diversant, dogji, vrau, preu, u arratis përsëri e ku ta di unë. Ai nuk rrinte dot pa ardhur të më takonte me çdo çmim. Megjithatë, ti ia di historitë dhe ne presim t’i mësojmë me padurim”. Pa dashur që xha Hakani të lodhej me sqarime të panevojshme, ndërhyra: “Atëherë më dëgjoni me kujdes! Avduli u nis nga Amerika për në Shqipëri me një shokun e tij shqiptar nga Mali i Zi. Më 7 prill 1975, kaluan kufirin në Hanin e Hotit, ku u kapën nga rojet kufitare. Kaloi rreth 2 vjet në hetuesi dhe u dënua me vdekje. Presidiumi i Kuvendit Popullor ia ktheu në 25 vjet heqje lirie. Pra, ka rreth 10 vjet që është kapur dhe ka mbi 7 vjet në burgun e Burrelit. Po kaq kohë ka që e njoh dhe unë.

Me të takohem pothuajse përditë. Marrëdhëniet tona kanë qenë dhe janë të mira, prandaj jam dhe sot këtu. Por duke qenë kështu, do të thoni ju pse nuk ju kam njoftuar më parë. Edhe kjo ka një shpjegim. Avduli për ju fillimisht mundohej të tregohej indiferent dhe të mos e shfaqte mallin. Duke u munduar të argumentonte qëndrimin e tij, më thoshte: ‘Unë i kam të mijtë e këtë s’mund ta mohoj. Por njëkohësisht nuk kam të drejtë morale të kërkoj të më ndihmojnë, sepse nuk i pyeta kur u hyra këtyre punëve. Kam ardhur nga Amerika në Shqipëri për të përmbysur regjimin, gjë që vëllezërit e mi mund të mos e dëshirojnë, prandaj mendoj t’i lë të qetë. Ky ishte fati ynë dhe unë do t’i nënshtrohem atij…’ Xha Hakani u ngrit dhe më përqafoi si të isha djali që i kishte munguar kaq kohë. Kështu bënë edhe Hodoja dhe Zijai, dy vëllezërit e Avdulit.

VIJON….

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura