Roland Olli: Asnjë ndërtim në qendrën arkeologjike të Durrësit

Mar 25, 2011 | 9:26
SHPËRNDAJE

Pas vitesh debatesh, shkeljesh, dëmtimesh, penalizimesh, më në fund duket se u zgjidh dilema mes zhvillimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore në dy qytete të rëndësishme të vendit, në Durrës dhe Korçë.Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave miratoi rregulloret e administrimit të zonave arkeologjike, A dhe B të Durrësit si dhe qendrës historike të qytetit të Korçës. Tanimë rregullat e lojës janë të qarta. Në rast se shkelen ato, ka penalizime. Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve Arkeologjike, Roland Olli, shpjegon se ku konsistojnë këto dy rregullore. Ndër të tjera, mësojmë se nuk do të ketë më as edhe një ndërtim në zonën arkeologjike A të Durrësit, e cila paraqet zonën me vlerat më të rëndësishme arkeologjike dhe monumentale të këtij qyteti. Ndërsa në zonën B, nuk do të ketë më ndërtime pa bërë më parë sondazhe arkeologjike.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave mori dy vendime që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Përse bëhet fjalë konkretisht?
Bëhet fjalë për rregulloret e administrimit të zonave arkeologjike, A dhe B të Durrësit si dhe qendrës historike të qytetit të Korçës. Është punuar gjatë për të arritur në finalen e djeshme, ku morën miratimin. Këto rregullore kanë qenë një detyrimin që në momentin e miratimit të ndryshimeve në Ligjin e Trashëgimisë Kulturore në Shqipëri, por, për efekt të ngarkesës së madhe dhe punimeve në terren që kërkonin, morën një kohë të gjatë për t’u finalizuar. Rregullorja e qytetit të Durrësit ndahet në dy pjesë. Së pari, janë rregullat që do të aplikohen në zonën arkeologjike A, që përfaqëson zonën me vlerat më të rëndësishme arkeologjike dhe monumentale të Durrësit. Në këtë zonë, rregullorja përcakton se ndalohet çdo lloj ndërhyrjeje me karakter ndërtimor, me përjashtim të rikonstruksionit të rrjeteve infrastrukturore, apo siç quhen, rrjeteve inxhinierike dhe të restaurimit të monumenteve dhe ndërtesave monumentale. Pra, në zonën arkeologjike A të Durrësit, nuk do të ketë më ndërtime të reja.
Po zona B?
Sa i përket zonës B, u bë një zgjerim i zonifikimit të vitit 2003. Ky zgjerim u përcaktua në radhë të parë si rezultat i gjetjeve arkeologjike të këtyre viteve të fundit, si pasojë e gërmimeve të ndryshme rastësore, me qëllime ndërtimi kryesisht. Duke qenë se Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ka detyrë primare evidentimin e gjetjeve rastësore dhe mbulimin e gjithë aktivitetit arkeologjik, që vjen si pasojë e aktivitetit ndërtimor në territorin e Shqipërisë, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve, bëmë një përpunim të të gjithë zonës B së Durrësit. Pra, kanë ndryshuar kufijtë territorialë të kësaj zone. Është zgjeruar me gati dyfishin e zonës së vjetër, duke marrë në konsideratë të gjitha gjetjet arkeologjike që ka pasur qyteti i Durrësit në 10 vitet e fundit.
Si do të procedohet me ndërtimet në këtë zonë?
Në zonën B, rregullorja përcakton që lejohet ushtrimi i aktivitetit ndërtimor, por pasi kryhet sondazhi arkeologjik për ndërtimet e planifikuara, pra ASHA-ja i paraqet Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë për miratim çdo leje ndërtimi që është dhënë paraprakisht nga Bashkia e Durrësit. Kryhen sondazhet arkeologjike dhe në rastin e gjetjeve të rëndësishme në territorin e planifikuar për ndërtim, bëhen ndryshime në projekt, merren masa për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe në rast kur këto gjetje paraqesin vlera unikale, anulohet totalisht ndërtimi.
Po në raste shkeljesh, cilat janë penalizimet?
Rregullorja parashikon penalizime mjaft të rënda për kompanitë ndërtuese, që dëmtojnë pasuritë arkeologjike, ose shkelin procedurat, si marrja e lejeve, kryerja e sondazheve arkeologjike para fillimit të aktivitetit ndërtimor. Përveç gjobave të nivelit administrativ, që janë jashtëzakonisht të larta e që variojnë nga 1-5 milionë lekë të reja, parashikohen penalizime deri në ndjekje penale. Kur ka raste të dëmtimit të trashëgimisë arkeologjike, parashikohet dhe përjashtim nga aktiviteti ndërtimor i subjektit që shkel ligjet, për 5 vjet. Heqje licence dhe e së drejtës për të ndërtuar në atë qytet ose në zona të tjera arkeologjike. Nëse një kompani ndërtimore shkel rregulloren e administrimit në qytetin e Durrësit dhe i bie rasti të ketë një aktivitet ndërtimor, p.sh., në Berat apo Shkodër, ku ka zona arkeologjike, ajo është e penalizuar në mënyrë kategorike. Nuk jepet më asnjë leje për atë subjekt. Rregullorja përcakton edhe disa rregulla të tjera që kanë të bëjnë me përdorimin e monumenteve dhe rrënojave arkeologjike, për qëllime të turizmit dhe të aktiviteteve kulturore e artistike. Vendosen rregulla të qarta që nuk ka ndërtime definitive në këto zona, por vetëm provizore, nuk lejohen vendosjet e pankartave që dëmtojnë monumentet etj.
Si janë vendosur kufijtë mes zonave?
Tanimë kufijtë që ndajnë zonat arkeologjike janë shumë të qarta në terren dhe kjo është një risi. Në hartën e vjetër kishte raste kur kufiri ndante një ndërtesë në dy pjesë dhe i binte që ajo të ishte gjysmë A dhe gjysmë B dhe në gjysmën e shtëpisë lejohej ndërtimi, në gjysmën tjetër jo. Tani janë përcaktuar kufij të qartë fizikë në terren, ku është mjaft e lehtë të përcaktosh se për çfarë zonë bëhet fjalë. Në të kaluarën ky fakt është bërë burim spekulimi. Interpretimi që i është bërë si zonës A, apo B ka lënë vend për abuzime dhe ndërhyrje ndërtimore të paautorizuara në zonën A. Tani kjo hartë do t’i vihet në dispozicion Bashkisë së Durrësit, e cila, mbi bazën e vendimit, duhet që këtë hartë ta ketë si bazë për të gjitha lejet e ndërtimit dhe për studimet urbane që do të bëhen në qytetin e Durrësit.
Thatë se keni bërë sondazhe, si është gjendja në terren?
Jo për të marrë meritat, por ndërtimet e paligjshme në qendrën arkeologjike të qytetit të Durrësit kanë ardhur duke rënë. Në dy vitet e fundit, ne nuk kemi as edhe një ndërhyrje në zonën arkeologjike A të Durrësit, ndërkohë në zonën B jemi në një moment shumë interesant. Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë do të trajtojë mbrojtjen e rrënojave arkeologjike për dy sheshe ndërtimi, në të cilat ASHA-ja, në bashkëpunim me subjektet private të licensuara në arkeologji dhe Institutin e Arkeologjisë, ka kryer ndërhyrje arkeologjike shpëtimi. Është momenti kur do të bëhen ndryshimet në projektet ndërtimore, që të merret parasysh edhe mbrojtja e trashëgimisë që është zbuluar në këto zona. Por, ka pasur edhe ndërhyrje të paligjshme në zonën B dhe ndaj tyre janë ndërmarrë ndjekje penale. Vitin e shkuar, në dy raste shkeljesh janë bërë kallëzimet në Prokurori, pra nuk tregohet asnjë lloj tolerance.
Megjithatë, Durrësi është një qytet në zhvillim, si janë gjetur ekuilibrat mes nevojave për ndërtim dhe ruajtje të trashëgimisë?
Kjo është dilema e madhe që na ka shoqëruar gjithë këto vite. Qyteti i Durrësit do të zhvillohet si gjithë qytetet e tjera dhe nuk mund të jetë i privuar për hir të një mire që ka, për shkak të trashëgimisë arkeologjike dhe monumentale që ka. Pikërisht, rregullorja vendos këtë balancë. Aty ku zbulimet janë me vlera unikale, ndalohet ndërtimi dhe merren të gjitha masat për mbrojtjen dhe konservimin e tyre. Në një të ardhme të afërt, me ndryshimet ligjore që jemi duke përgatitur, shteti merr përsipër deri në shpronësimin, kompensimin e pronarit dhe të firmës që ka kryer ndërtimet dhe kthimin e këtij territori dhe shndërrimin e tij në një vend muzeal, në interesin e publikut.
Po rregullorja e qendrës historike të Korçës ku synon?
Edhe krijimi i rregullores dhe hartës së qendrës historike të qytetit të Korçës ka një histori të gjatë, por është një hap shumë pozitiv, pasi më në fund vendosen rregullat e lojës, përcaktohet qartë se si do të ndërtohet në këtë zonë të qytetit. Përcaktohen normat e lartësisë, të nivelit të ndërhyrjeve, të mbrojtjes së fasadave, përcaktohet një brez i qartë nën mbrojtje, ku përfshihen ndërtesat më karakteristike dhe më përfaqësuese të historisë së qytetit të Korçës. Ashtu si edhe Durrësi, krijon atë balancë mes zhvillimit dhe ruajtjes së trashëgimisë, duke krijuar hapësira ndërtimi.
Ndërtimet në qendrën e Korçës kanë ngjallur debate të forta…
Ka qenë një zonë me një shtrirje shumë të madhe dhe e vështirë për ta menaxhuar si nga ana administrative, ashtu edhe financiare, por mbi të gjitha kishte bllokuar zhvillimin e qytetit. Studimi që ishte bërë përpara arritjes në miratimin e hartës së zonës mori në konsideratë ndërtimet më përfaqësuese të Korçës, kurse ato territore që nuk përbënin ndonjë vlerë monumentale dhe i merrnin frymën zhvillimit të qytetit, nuk kishin pse të ishin pjesë e Qendrës Historike. Me këto dy rregullore, dy institucione bazë, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimeve operojnë me rregulla të qarta loje dhe i mbyllet shtegu çdo lloj abuzimi. Më konkretisht, nëse paraqitet një projekt për Qendrën Historike të qytetit të Korçës, duhet që të jetë ndërtim deri në tri kate, dhe nuk mund të ketë një të katërt.
Përmendët pak më sipër reformën në sistemin e trashëgimisë kulturore, e cila duhet thënë se ka pasur shumë kundërshtime. Nuk mendoni se centralizimi i gjithçkaje në duart e IMK-së ja bën asaj të pamundur kontrollin në gjithë territorin?
Diskutimi për reformën është shoqëruar me dy qëndrime, një pro dhe një kundër centralizimit që sjell kjo reformë. Unë them se ia vlen që të bëhet për një periudhë të caktuar kjo lloj mbikëqyrjeje, për të forcuar kontrollin. Studimi i reformës ka nxjerrë se ajo ka një ndikim ekonomik të jashtëzakonshëm. Synimi i reformës është efekti ekonomik dhe përdorimi me efiçencë i fondeve të dhëna nga shteti për qëllim të monumenteve, dhe jo për shpenzime administrative. Këtu e bazojnë argumentimin e tyre ata që janë pro reformës. Sa i takon zbatimit dhe efektit në terren, i mbetet kohës.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura