Rishkrimi i historisë, apeli i veteranëve: Përdorni kujtimet e Parllakut e Belishovës

May 25, 2021 | 15:48
SHPËRNDAJE

HALIL RAMA

veteranet

Gjeneral Rrahman Parllaku: “OBVL u formua që të vlerësojë realisht historinë e Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E. Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ”.

Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ kërkon rishkrimin me vërtetësi të historisë së Shqipërisë, veçanërisht të periudhës së Luftës Antifashiste. Për këtë qëllim, Kuvendi VIII Kombëtar i OBVL që u mbajt të shtunën, duke mos paragjykuar komisionin e ngritur nga Akademia e Shkencave, miratoi një rezolutë, në të cilën shprehet se: “Megjithë tolerancën patriotike, nuk mund të mos distancohemi nga veprimtaria për«arëse dhe krimet gjatë kohës së diktaturës, si dhe nga historia e shkruar në mënyrë të njëanshme, ndryshe do pranonim deformimin e së vërtetës”.

Në raportin e mbajtur nga nënkryetari i OBVL, Maksim Vinçani, si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi VIII Kombëtar i kësaj organizate, shprehet gatishmëria e personaliteteve të saj për të kontribuar në funksion të pasurimit të projektit të pjesës së periudhës së Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare, duke ofruar kujtime apo shënime të paraardhësve tanë, si pjesëmarrës e dëshmitarë okularë të asaj historie. Për këtë qëllim mund të shërbejnë si referencë librat me kujtime të gjeneral Rrahman Parllakut – “Hero i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”- si dhe intervistat televizive të Liri Belishovës, të përfshira në librin “Gruaja që sfidoi diktaturën”. Kjo, edhe për faktin se një nga pikat kryesore të programit themeltar të OBVL (krijuar para 27 viteve, më 18 korrik 1994 nga dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Liri Belishova, Skënder Malindi, Edip Ohri e dhjetëra personalitete tjera) ka qenë rishkrimi me vërtetësi e Historisë së Luftës së Dytë Botërore në trevat shqiptare.

“Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e Luftës së lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E. Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ”, shkruan ndër të tjera gjeneral Parllaku në librin e tij “Një shekull në memorie”. Për të penguar këtë qasje negative, këtë tendencë të dëmshme si për demokracinë, ashtu edhe për historinë e popullit shqiptar, me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, u formua Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL). Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane (e me vonë disa edhe ministra), siç ishin: Dr.Ymer Dishnica, Rrahman Parllaku (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçami, Maqo Çomo, Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant-Hero i Popullit), Muhamet Prodani (gjeneral lejtnantHero i Popullit), gjeneral-majorët: Nexhip Vinçani dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani, Mine Doraci e të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.

Kuvendi i 8-të Kombëtar i kësaj organizate vendosi që OBVL të vijojë me këtë platformë, duke mbrojtur e vlerësuar lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, duke dënuar krimet e komunizmit si dhe duke mbrojtur Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare.

PERSONALITETE AKADEMIKE VLERËSOJNË QËNDRIMET E OBVL

Kuvendin e 8-të Kombëtar të OBVL e përshëndetën personalitete akademike që vlerësuan qëndrimet e kësaj organizate.

Prof. dr. kol. R. Bernard Zotaj, kryetar i Shoqatës së Historianëve Ushtarakë, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar (OBVL) ka mbështetur fuqimisht dhe pa ekuivok Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë. “Duke pasur në krye figura të tilla si dr. Ymer Dishnica, Gjeneral Rrahman Parllaku, kolonel Myfit Guxholli etj., ajo është përfaqësuar me dinjitet edhe në arenën ndërkombëtare, në Federatën Botërore të Veteranëve, me një ideal dhe një devizë: mbrojtjen e luftës Antifashiste të popullit shqiptar nga deformimet dhe sulmet dashakeqe politike”, tha prof. dr. Zotaj.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe prof. dr. Tatjana Dishnica (e bija e themeluesit dhe kryetarit të parë të OBVL, dr. Ymer Dishnica). Ajo deklaroi se “Historia e periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nuk mund të jetë një histori gazetash, nostalgjikësh apo mohuesish, ajo duhet të jetë një histori faktesh të pakundërshtueshme dhe analiza e saj për të vlerësuar si duhet, pjesëtarët e saj duhet bërë në kontekstin e asaj periudhe”. Kjo, sipas prof. dr. Dishnicës (një pedagoge e nderuar dhe respektuar në UBT), për faktin se, “Brezi i luftës, meriton shumë, veç të tjerave, duhet vlerësuar përkushtimi i tij në luftë sepse zgjodhi sakrificën, duke iu bashkuar gjithë forcave përparimtare të botës në atë periudhë. Ai kërkoi sakrificën. Kjo sakrificë, pavarësisht vlerësimeve me ulje e ngritje, do të mbetet ndër breza sakrifica më e madhe, sepse ajo kish si produkt lirinë e vendit tonë”. Prof. dr. Tatjana Dishnica shprehu krenarinë se kishte dy prindër, që ishin pjesë e kësaj sakrifice. Nëna e saj, Gjystina (Flora) Sata- Dishnica, luftoi dhe përballoi dy burgje e tortura në kohën e pushtimit, ndërsa babai, dr. Ymer Dishnica, pavarësisht kontributit te tij në luftë (idealet e saj, e sollën atë 28-vjeçar, të laureuar me doktoraturë në Universitetin e Sorbonës, për të kontribuar në luftë, në atdheun e tij të pushtuar), pas çlirimit u “mënjana” shumë shpejt, gradualisht dhe më pas tërësisht, nga jeta politike, pa mbajtur mbi ndërgjegje, tragjedinë e pas viteve 1943, por duke e përjetuar këtë tragjedi, me shpërfytyrimin e rëndë që pësuan idealet e tij të fillimit.

Qëndrimi konsekuent i OBVL për domosdoshmërinë e rishkrimit të historisë me objektivitet, duke e pastruar atë nga shtrembërimet e historiografisë komuniste u vlerësuan edhe nga shkrimtari e publicisti i mirënjohur Shpendi Topollaj. Ndërkohë, duke i konsideruar të një rëndësie të veçantë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ kërkon nga palët kompromisin historik, që ato të shërbejnë për kapërcimin e problemeve të evidentuara në të kaluarën. Për këtë qëllim, Kuvendi i 8-të Kombëtar i kësaj organizate u bëri thirrje organeve kompetente që të avancojnë hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të krimit zgjedhor, të denoncuara nga opozita, në mënyrë që kjo t’i shërbejë qëllimit final: përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë të partive, sipas peshës së tyre reale elektorale.

KOLONEL SOTIR BUDINA ZGJIDHET KRYETAR I OBVL; PROF. DR. TATJANA DISHNICA NËNKRYETARE

Kuvendi i 8-të Kombëtar i OBVL zgjodhi kryetar të kësaj organizate kolonel Sotir Budinën. Ai është ndër bashkëthemeluesit e OBVL në 18 korrik 1994 me dr. Ymer Dishnicën, Gjeneral Rrahman Parllakun, Skënder Malindin, Edip Ohrin, Hamit Keçin, Tahir Voshtinën, Shaban Reçin, Liri Belishovën, Myfit Guxhollin etj. Për disa vite ka qenë sekretar organizativ i OBVL dhe njihet si një nga veprimtarët me kontribut të shquar në mbarëvajtjen e kësaj organizate.

Ai u lind në qytetin e Korçës, më 14.03.1926, në një familje patriotike, e cila njihet për kontributin e shquar që ka dhënë për rritjen e ndjenjave patriotike dhe për pjesëmarrjen me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare. Nga kjo familje në luftën partizane kanë marrë pjesë katër luftëtarë: babai, nëna, vëllai dhe vetë Sotiri. Mbasi mbaroi shkollën Normale të Elbasanit, si i ri antifashist bëhet anëtar i njësitit gueril të qytetit të Korçës dhe me formimin e Brigadës IV S u rreshtua në Batalionin III të kësaj brigade, fillimisht me detyrën përgjegjës rinie kompanie dhe më vonë përgjegjës rinie i këtij batalioni.

Sotiri, si ish-pjesëmarrës aktiv në LANÇ, dërgohet për studime në ish-Bashkimin Sovjetik, ku mbaroi me rezultate të larta shkollën 3-vjeçare të xhenios në Leningrad dhe Akademinë Ushtarake të xhenios “Kujbishev”, 6 vjet në Moskë. Si kuadër ushtarak i përgatitur dhe i pajisur me njohuri të thella të artit ushtarak të kohës, ai mbas mbarimit të Akademisë, në të gjitha funksionet që iu ngarkuan: Shef i Xhenios së Mbrojtjes Bregdetare, Shef i Xhenios së Mbrojtjes Kundërajrore të vendit, Shef i Katedrës së Xhenios në Akademinë Ushtarake dhe më vonë nga viti 1974-1982 për 9 vjet, nëndrejtor i Drejtorisë së Xhenios e Fortifikimit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke punuar me përkushtim, dha një kontribut të vyer në përgatitjen xheniere të ushtrisë. Ai e mirëpriti zgjedhjen në funksionin e kryetarit të OBVL dhe u angazhua se do ta drejtojë këtë organizatë me përkushtim të rrallë, siç e drejtuan edhe dr. Dishnica, gjeneral Parllaku e kolonel Guxholli. Gjithashtu, në Kuvendin VIII Kombëtar të OBVL, prof. dr. Tatjana Dishnica u zgjodh nënkryetare e kësaj organizate.

Titulli origjinal i autorit: Rishkruarja e historisë me vërtetësi, domosdoshmëri jetike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura