Rikthehen filmat e Adriana Elinit

Mar 29, 2011 | 11:04
SHPËRNDAJE

Kineastja e njohur shqiptare, Adriana Elini-Xhajanka, përkujtohet nesër në një ceremoni të organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në kinemanë e institucionit, në kuadrin e veprimtarisë “Marsi – muaji i kineastëve shqiptare”. Adriana Elini i përket brezit të dytë të regjisoreve të montazhit, që filloi punën në fund të viteve ’50, por me pasion e dashuri për profesionin, u ngjit nga regjisore montazhi në regjisore të filmit dokumentar dhe për më se tri dekada krijoi vlera të padiskutueshme në art. Adriana Elini u lind në Tiranë më 3 prill 1937. Mbas arsimit të mesëm, kreu në Tiranë Fakultetin e Histori-Gjeografisë. Në vitin 1958 emërohet në Kinostudio fillimisht si regjisore montazhi. Në vitin 1967, Adriana ishte regjisorja e montazhit në filmin artistik “Horizontet e hapura” dhe më pas në filmin tjetër “Estrada në ekran”. Në vitin 1968 realizoi filmin e parë si regjisore “Universiteti ynë”. Nga ky vit e nga ky film, për afro 20 vjet të tjera arrin të realizojë rreth 40 dokumentarë artistikë, reportazhe, kronika të ngjarjeve të kohës. Këta filma kanë sot, përveç anës artistike, edhe vlera historike, pasi dëshmojnë një kohë, një periudhë, jetën, e cila zhvillohej në një atmosferë të rëndë totalitare. Ndër filmat më të mirë të saj përmendim “Qylymat tanë”, “Art i lashtë, mjeshtër të rinj”, “Tokë e begatë”, “Me pushkë e penë për mëmëdhenë”, “Manush Alimani”, “Çdo vijë, një vizatim” – ky film u nderua me çmim për regjinë në Festivalin e VI të Filmit dokumentar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura