Kandidati i Përmetit, Vladimir Kosta email deputetëve të PS: Largohem nga grupi. Por anulon vendimin

Apr 13, 2015 | 7:41
SHPËRNDAJE

Deputeti i qarkut të Gjirokastrës, Vladimir Kosta lajmëron daljen nga Grupi Parlamentar socialist.

Deputeti Vladimir Kosta dhe kandidati i PS ne Permet Gilberto Jace (i pari majtas)

Shkak për këtë vendim është bërë përcaktimi i Gilberto Jaçes si kandidat i Partisë Socialiste për Bashkinë e Përmetit, të cilin Kosta e kishte kundërshtuar. I fyer nga ky vendim, Kosta i ka deklaruar deputetëve të Grupit Parlamentar socialist përmes një email-i, vendimin e tij për të dalë si i pavarur në Kuvend, jashtë këtij grupi. Siç edhe shpjegon vetë në njoftimin që i bën kolegëve të tij, Vladimir Kosta e kishte denoncuar Jaçen për shpërdorime të fondeve publike në krye të Bashkisë së Përmetit dhe këtë ia kishte shpjeguar dhe Kryeministrit Rama. Por, sipas tij asgjë nga ato që ai kishte argumentuar kundër kësaj kandidature, nuk ishte marrë parasysh.

“Të nderuar kolegë, Kandidatura e Përmetit është vendosur kundër dashjes time. E kundërshtova me fakte para Kryeministrit aktual, por krye kryeministri Ahmetaj bashkë me Taulantin dhe të fortët e gazetës “Dita”, vendosën Gilberto Jaçen, të cilin unë personalisht e kam denoncuar për hetim të fondeve publike pranë KLSH. Edi Rama as nuk mori mundimin të më dëgjonte për sa i shpjegova. Për sa më sipër dhe për sa s’jam dëgjuar deri më sot në këtë Parti, me keqardhje largohem nga Partia Socialiste si deputeti i pavarur. Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin”, Vladimir Kosta”, thuhet në email-in që Kosta u ka dërguar kolegëve të tij të Grupit Parlamentar socialist.

VENDIMI

Por burime nga Partia Socialiste pohojnë se pas komunikimit që disa ministra dhe Kryeministri Rama ka pasur në mesditë me deputetin e qarkut të Gjirokastrës, që ka nën kujdestari rrethin e Përmetit, Kosta ka anuluar vendimin e tij për t’u larguar nga Grupi Parlamentar socialist edhe pse rezervat dhe kritikat e tij për kandidaturën e Jaçes dhe mënyrën se si ai u përzgjodh mbeten.

Deputetët e qarkut të Gjirokastrës, Vladimir Kosta, Dashamir Kamberi dhe Anasatas Angjeli ishin të vetmit deputetë, me të cilët kryetari i PS-së Edi Rama nuk u takua ditën e premte për të konsultuar emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish, ndërsa të shtunën, ministrat Ahmetaj e Veliaj ishin në Përmet dhe Tepelenë për të prezantuar emrat e përzgjedhur.

Vladimir Kosta është deputeti i dytë në Partinë Socialiste, i cili ka shprehur kundërshtitë e tij për mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për kryetar bashkie, pas kreut të listës së Elbasanit, Ben Blushi. Pas takimit që zhvilloi në selinë e PS-së me Kryeministrin Rama, Blushi tha se “po i vjen fundi një procesi që nuk ishte proces”. Ai nuk komentoi më shumë rreth takimit me Ramën dhe pse më herët kishte deklaruar se “procesi duhet të kishte më shumë transparencë.

Emrat nuk janë kandidatë të PS-së, por të një njeriu të vetëm”. Vladimir Kosta ishte i katërti në listën e kandidatëve për deputet në qarkun e Gjirokastrës, ndërsa PS fitoi tri mandate në këtë qark. Por pas lënies së mandatit të deputetit nga ministrat Erion Veliaj dhe Arben Ahmetaj, Kosta i katërti dhe Kamberi i pesti në listë, morën mandatin e deputetit, duke u bërë pjesë e Grupit Parlamentar socialist.

 Aristir Lumezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura