Rezarta Delisula boton librin e parë, “Tirana-Mahnia”: Ky libër ka nisur që fëmijë, kur shëtisja me tim atë

Dec 3, 2018 | 12:24
SHPËRNDAJE

ANI JAUPAJ/ Babai i gazetares Rezarta Delisula nuk e ka merituar dedikimin e së bijës në librin e saj të parë “Tirana Mahnia” vetëm sepse ajo e sheh si modelin e nxitësin në gjithçka ka bërë, por edhe sepse, në një mënyrë, ka qenë ai nismëtari i këtij libri.

tirana_mahnia-770x470

Marrëdhënien e parë me qytetin, Tiranën, ajo e ka ndjerë kur ishte fëmijë e me të atin përdore shëtisnin rrugëve duke treguar histori që sot nuk dëgjohen më. As qyteti nuk është më ai i kujtimeve, por falë rrëfenjave, do ta njohin edhe ata që nuk e kanë parë. Edhe Rezi, që është lindur në Tiranë, ka zbuluar plot gjëra që nuk i dinte, ndërsa gërmonte nëpër Tiranë për materialet që i duheshin, dikur për një temë shkrimi e sot librit. Botimi i saj nuk lindi sot. Të dhënat shtoheshin e arkivoheshin deri sa një ditë ajo u ndje e gatshme t’i ndajë me të gjithë përmes një libri. Rezi na tregon sot për Tiranën e saj, siç nuk e kemi njohur e po e humbasim përditë. Ajo e ka në zemër, sido të jetë, por dashurinë, në këtë rast, ia mbajnë të gjallë kujtimet… Disa prej tyre i kemi shkëputur më poshtë…

Duket sikur vjen një moment që të gjithë që kthehen te qyteti, edhe nëse jo fizikisht, jetojnë mendërisht aty, nëpër historitë që kanë jetuar. Ti nuk ke pritur kohën, sepse e ke pasur gjithmonë me vete, por, kur je ndjerë gati që ta ndash me të tjerët?

rezi-770x433

Mendoja gjithnjë që për të bërë një botim, duhet të kesh moshë të pjekur, të kontrollosh ndjenjat e të selektosh materialet më të mira. Por, në fakt, kur hapa materialet e mia të dikurshme, kuptova që atëherë sinqeriteti i të shkruarit dhe menduarit kishin shumë vlerë. Ato vinin rrjedhshëm gati naivisht dhe kjo i jepte një formë ndryshe. Këto materiale unë nuk i preka më, pra, i solla si dikur. Me gjithë këtë, duke jetuar me dhimbjen që qyteti im po zhduket çdo ditë, mendova se ky ishte momenti i duhur për të fiksuar atë çka ishte e çka kishte mbetur.

Sa e njihje Tiranën dhe sa e si ndryshoi ky perceptim pas informacioneve e kërkimeve që t’u desh të bëje për këtë libër?

Tiranën e njoh mirë, çdo rrugicë të saj dhe përveçse jam rritur këtu, kam punuar 20 vjet duke gërmuar në memorie e materiale historitë e saj. Në fillim më dukej sikur dija shumë e ndërsa ecja, njihesha me tipare të reja, copëza historish fantastike dhe detaje kurrë të hasura më parë. Kuptova që brenda thjeshtësisë së një qyteti, fshihej madhështia e tij. Sa më shumë e njoh Tiranën, aq më shumë e dua.

Qofte edhe prej fanellave të ekipit, ty të njohin të gjithë si tironse përfaqësuese. A janë zhvilluar këto ndjenja nga familjarët, që në fëmijëri, apo…?

rritjen, bashkë me mua, të respektit për qytetin. Mbaj mend e vogël, që rrija shumë me tim atë, i cili rrekej të më shpjegonte si kishte qenë një vend apo tjetër dikur. “Kjo zona e ‘Shallvares’ ka qenë fushë. Vinim me shokët e luanim futboll. Këtu mblidhej gjithë Tirona, jo vetëm sportistë, po dhe fëmijë e çuna e goca të reja”, thoshte ai sa herë kalonim mes Parkut Rinia. Kur unë i bëja ndonjë pyetje, qoftë dhe kot, ai e merrte shumë seriozisht. Fliste për njerëz që kishin studiuar në Sorbonë, Grac… fqinj të mi, duke më treguar pa e thënë që tiranasit ishin intelektualë dhe të pasur, më tregonte historinë e shtëpisë përballë një vile në pronë të ndihmësit të mbretit, që iu nda rreth 7 familjeve, pa thënë pse nga frika, se mos më shpëtonte goja e pale ç’mund ta gjente. Më mësoi të dua ekipin e Tironës, gjuhën e trevës, duke mos lejuar të ma quanin të trashë, më njihte me objekte që i trashëgojmë edhe sot e 400 vjet më parë. Më tregonte mes urtësisë së tij që kështu janë burrat e këtij vendi. Nuk ka rëndësi nëse ti nuk e do aq sa unë origjinën time, sepse do tënden, por sot, të gjithë ne, vendalinj e të rinj, jetojmë këtu, kështu që Tirana na identifikon të gjithëve. Dhe historinë e qytetit ku jeton duhet ta dijë çdokush.

Cili ka qenë ‘zbulimi’ më i madh gjatë punës me këtë libër?

Ka qenë historia e linjave ajrore ndërqytetëse dhe me botën jashtë, Tiranë-Berlin-Kabul, e paparë…

Përgjatë viteve të tua si gazetare, ka qenë në mendime ky libër apo punët e herëpashershme të kanë drejtuar atje?

Me thënë të drejtën, që 20 vjeçe ma shtinë në mend dy kolege të miat, zonja Lila Plasari dhe Ana Matraku. I ra goja; mblidhi moj vajzë, botoi… por për mua ishte shumë herët. Gati-gati ma bënë obsesion. Pastaj, çdo punë e bëja duke menduar që ia vlente ta kisha apo jo në librin tim. E, sot 22 vjet më pas, thashë; tani s’ke ç’i thua më vetes duke nxjerrë justifikime. Është koha e duhur.

Pse ke zgjedhur këtë titull?

Mahnia është një lojë fjalësh mes manisë dhe mahnitjes, është ta adhurosh qytetin tënd, nisur dhe nga moria e mundësive që i jep çdonjërit që jeton këtu. Ky titull më ngjiti që në fillim dhe këtë mbajta.

“Carnavon”, rruga ku jetonin princesha e adjutantë

Lulishtja Popullore e ndërtuar në vitin 1923 apo sot Lulishtja e Parlamentit, ndodhej në të djathtë të rrugës “Carnavon”. E vetmja gjë që ka mbetur si relikte e së shkuarës është shatërvani i vogël ngjyrë gri, që u ruajt me shumë përpjekje, pasi gjatë rikonstruksionit të saj në vitin 2001 donin ta zëvendësonin me një të ri. Sipërfaqja e atëhershme e lulishtes ishte 2700 metra katrorë dhe për ndërtimin e saj shpenzuan 8 mijë franga ari, ndërsa sot ka mbetur vetëm një pjesë e saj. Gjatë rindërtimit të lulishtes në vitin 2001, u hodh ideja për riemërimin e saj, Lulishte Popullore dhe rrethimin me kangjella që hyrja të ishte me orare, kjo për t’i dhënë më shumë rëndësi godinës së Parlamentit, por ky plan nuk u realizua. Rruga “Carnavon”, u emërtua “Punëtorët e Rilindjes” dhe në qershor të vitit 2007, në nder të Presidentit amerikan George Bush, që vizitoi Shqipërinë, mori emrin e tij. Fare mirë ky aks mund të quhej edhe “Rruga Mbretërore”, pasi godinat më të rëndësishme të asaj kohe ngriheshin përgjatë saj. Adjuntatura Mbretërore, Pallati i Princeshave, Legata Italiane, Departamenti Ushtarak, si dhe vetë Pallati i Mbretit Zog, ndodheshin në këtë segment të kryeqytetit. Në fund të rrugës “Carnavon”, ku niste rruga e Shën Gjergjit, në vitin 1925, u ndërtua biblioteka “Carnavon”, me fondet e dhuruara nga instituti “Herbert”. Sot, ky segment ka ende peshë nga e shkuara.

Vrasja e “Rrugës së Barrikadave”

Kur tiranasit e vjetër kujtojnë “Rrugën Mbretnore” apo “Rrugën e Barrikadave”, ndjejnë keqardhje për transformimin e bërë ndër vite. “Ajo ishte një rrugë me përmasa realisht europiane. Niste te dyqani i Zingonit, një italiani, dhe mbaronte te shtëpia e doktor Glozhenit, tregon një tiranas i vjetër. Rruga Mbretnore u hap në vitin 1926. Thënë ndryshe, duke iu përshtatur Tiranës sot, aksi niste te sheshi “Sulejman Pasha” apo “Partizani i Panjohur” e mbaronte në fund, duke lënë në anë shkollën “Sami Frashëri”. Ajo ishte e gjatë 725 metra dhe e gjerë 15 metra. Në të dyja anët e saj kishte dyqane dhe restorante luksoze. Tiranasit e hershëm kujtojnë se rruga ishte e mbushur me dyqane argjendarësh dhe tregtari më i madh në atë kohë ka qenë Sheko nga Korça, i cili kishte manifakturë. Rruga e mbajti emrin “Mbretnore” deri në vitin 1945, ndërsa më pas u quajt “Rruga e Barrikadave”. Në tentativat e fundit për çlirimin e vendit, në këtë segment u vendosën barrikada, nga të cilat mbeti emërtimi i ri. Në anën e majtë të saj, duke shkuar në veri, ndodhej Mapoja e madhe dhe një kënd lojërash, ku më tipike mes argëtimeve të ndryshme ishin varkat gjigante. Në vitet 1980, rruga pësoi ndryshim të madh. Në anën e djathtë u shembën dyqanet për t’u ndërtuar të parat pallate 9-katëshe në Tiranë. Me një vendim të Komitetit Ekzekutiv, u vendos që tiranasit që u shpronësuan të mos strehoheshin në periferi, por në pallatet mbi tokën e tyre. Pak më vonë u prish edhe Mapo e këndi i lojërave, ndërsa e vetmja gjë që ka mbetur në lulishte, pas Pallatit të Kulturës, është Teqeja e Pazareve. Shumë arkitektë të njohur e kanë quajtur transformimin e “Rrugës së Barrikadave” ‘vrasje’. Të vetmet vila që kanë mbetur nga e shkuara i përkasin familjes Petrela, njëra me status “Shtëpi muze”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura