“Revolveri” i gabuar i Ramës përballë Bashës

Nov 17, 2020 | 19:45
SHPËRNDAJE

Agim Baçi

baci agim

Kushdo që kujton fundin e komedisë “Revolveri” të Koço Devoles, momentin pasi gjendet revolveri i humbur në muze,  mund t’i kujtohet edhe mënyra se si shefi i Sigurimit të Shtetit i drejtohet atyre që kishin pranuar marrjen e revolverit nga stenda në muze e heroit: “Revolveri u gjet, por ju keni gënjyer partinë, keni gënjyer popullin!”. Pikërisht këtë fund të shfaqjes tragjikomike duket se ka marrë edhe kryeministri Rama për të vijuar akuzat për kreun e opozitës, z. Basha, edhe pasi i ra alibia për zhdukjen e kasetës së masakrës së Krushës nga ana e shefit të opozitës.

Por, atëherë, përse kryeministri Rama vijon të këmbëngulë me akuzat ndaj Bashës edhe pasi ranë skenarët për hetimin e së ashtuquajturës “shtëpia e verdhë”, ashtu edhe për kasetën për të cilën pretendoi Milaim Bellanica?

Vazhdimi i akuzave ndaj Bashës edhe pas dështimit të “skenarit Bellanica” në fakt është dëshmia më e qartë se Rama nuk kishte ndonjë merak lidhur me atë që ka ndodhur me UÇK-në. Po ta kishte këtë merak, nuk do të shkonte mbi dhjetë herë në Beograd për të takuar Vuçiçin, duke anashkaluar lehtësisht Kosovën. Madje, po të kishte këtë merak për liderët e UÇK-së apo fatinë të të zhdukurve në Kosovë, do të kishte kërkuar me ngulm gjetjen e varreve të tyre apo ringritjen e komisioneve ndërkombëtare faktmbledhëse për to, e jo dërgimin në gjykatë ish-kryeministrin Haradinaj. Për këdo që është i aftë të arsyetojë paksa mbi dritën e fakteve, duket qartë se Rama ka synimin e vetëm të përbaltë këdo që ka përballë politikisht, për të anashkaluar llogaridhënien mbi qeverisjen  e tij, e sidomos mbi menaxhimin e pandemisë dhe për politikën e rindërtimet të shtëpive të shkatërruara pas tërmetit të nëntorit 2019 . Për të arritur këtë qëllim politik ai po tregon se nuk do të kursejë as Kosovën,  as luftën e UÇK-së dhe liderët e saj që tashmë gjenden përballë Gjykatës Speciale të Hagës.

Duhet pohuar se ushqyerja e turmës me konspiracion, sidomos me spiunë,  nuk është ndonjë gjë që ndodh për herë të parë as në Shqipëri, as në shumë vende të botës. Por krijimi i skenarëve konspirativë nga politika me të shkuarën e UÇK-së, sidomos pas dërgimit në Hagë të ish-drejtuesve të saj, me pranga në duar, është një nga ato lloj krijimesh tragjike që kërkon të ngjallë një klimë urrejtjeje të panevojshme jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj, shumë të dëmshme lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Së pari, i akuzuar për takimet e pafundme me Vuçiçin duke anashkaluar Prishtinën politike, Ramës i duhet të gjejë një alibi që të harrohen faktet që po dalin gjithnjë e më shumë në pah nga dëshmi të ndryshme, si p.sh. dëshmitë e Bolton apo Biserkos, që kontributi i tij ka qenë për ndarjen territoriale të Kosovës.

Së dyti, pasojë e takimeve të shpeshta të Ramës me Vuçiçin është fakti që ky i fundit tashmë nuk flet më për krimet që ka kryer ushtria serbe në kohën që ai ishte Ministër dhe zëdhënës i Millosheviçit. Falë kontributit të “çmuar” të Ramës për bisedime lidhur me kufijtë, Vuçiç tanimë ulet si partner që flet për ndarje kufijsh dhe jo si një njeri që duhet të kërkojë falje për krimet dhe të tregojë varret e pagjetura, apo të bëjë ligjet e duhura që Kosovës t’i kthehet pasuria e grabitur.

Jo, Vuçiç tanimë flet sikur Serbia dhe Kosova të kenë qenë në një luftë të barabartë mes tyre e jo se serbët kanë vrarë e masakruar popullsinë e pafajshme, mes të cilave edhe në Krushë ku u filmuan me kurajë nga Bellanica. Do të mjaftonte vetëm kaq që Rama të ndjehej i tupëruar përballë çdo shqiptari të Kosovës që sot e sheh vendin e vet më të dobët nga të gjitha anët, me liderë të dërguar në Hagë, me humbjen e disa njohjeve ndërkombëtare të Pavarësisë dhe me mungesën totale të njohjeve të reja.

Megjithatë, edhe pse kuptohet hapur që z. Rama, nëpërmjet kërkesës këmbëngulëse për komision hetimor ndaj z. Basha,  ka në thelb nevojën për të shmangur çdo debat real mbi qeverisjen e derisotme dhe të vërë në pozitë qesharake kundërshtarin politik, ai sërish duhet ndalur, duhet injoruar nga kushdo që sheh përtej 25 prillit. Shqipëria nuk është as vetëm Rama, as vetëm dëshirat e tij politike. Shqipëria ka nevojë të shohë shumë më larg se lojërat tragjikomike të kryeministrit, i cili prej kohësh sillet  si Dorian Grei i Oskaj Uajldit, duke besuar se Shqipëria është një pellg ku pasqyrohet vetëm ai dhe askush tjetër.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura