Represioni i sistemit totalitar në Shqipëri/ IDMC organizon “Ditët e kujtesës”. Zbardhet agjenda

Feb 11, 2020 | 16:34
SHPËRNDAJE

Aktiviteti “Ditët e Kujtesës”, që organizohet çdo vit nga Instituti për Demokraci, (IDMC), në partneritet me fondacionin gjerman Konrad Adenauer (KAS) dhe aktorë të tjerë të fushës së kujtesës, do të sjellë në edicionin e pestë mbi 10 aktivitete në kryeqytet, që do të zgjasin për një javë.

Aktivitetet do të mbahen në datat 13-20 shkurt, ku në fokus do të jetë represioni i sistemit totalitar në Shqipëri.

jonila

Sipas IDMC, nëpërmjet këtij aktiviteti synohet ndërgjegjësimi i shoqërisë për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimi i dialogut mbi të shkuarën.

Agjenda e plotë:

DITËT E KUJTESËS V nisin me Ekspozitën Ndërkombëtare “Totalitarizmi në Europë”, e cila hapet më 13 shkurt në orën 15:00 në Sheshin Skënderbej – hapësira mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Hotel Tiranës, – në prani të Presidentit të Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjies (PEMC) Łukasz Kamiński.

“Ceremonia e hapjes” zhvillohet në orën 16:30, në Sallën Balsha të Hotel Tiranës. Ajo do të përshëndetet nga organizatorët, drejtoresha ekzekutive e IDMC Jonila Godole, drejtuesi i KAS Tobias Ruettershoff dhe Ambasadori Austriak në Shqipëri Christian Steiner.

Më pas do të ketë diskutime rreth totalitarizmit. Fjalimi kryesor do të mbahet nga historiani gjerman Jörg Baberoëski. Hapësirë të veçantë do të kenë edhe publicisti austriak Paul Lendvai, Presidenti i PEMC Łukasz Kamiński, profesori rumun i teologjisë Radu Preda dhe shkrimtarja shqiptare Alma Liço.

Dita e dytë e kujtesës, datë 14 shkurt, parashikon konferencën ndërkombëtare “Edukimi i historisë dhe kurrikula shkollore pas 1990-ës”. Aktiviteti zhvendoset në sallën Abret në Hotel Tirana, ora 8:30, dhe do të jetë i ndarë në tre sesione: Edikimi i historisë në vendet post-komuniste; Reforma në kurrikulën shkollore të historisë në Shqipëri pas 1990-ës; Eksperienca me mësimin mbi historinë në klasa.

IDMC dhe Shoqata e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë (ALBNA) do të prezantojnë rezultatet e anketimit me mësuesit dhe punën e bërë ndër vite për të nxitur plotësimin e kurrikulës shkollore. Studiues të huaj si Przemysłaë Gasztold, Ulrich Bongertman, Radu Preda, të ardhur nga vende si Polonia, Gjermania dhe Rumania, por edhe shqiptarë si Fatmiroshe Xhemalaj, Çelo Hoxha, Petrit Nathanaili, Nuredin Nazarko, Jostina Dhimitri, Myrteza Sharra do të mbajnë kumtesa rreth çështjes së edukimit mbi të shkuarën. Gjithashtu do të ketë përfaqësues nga Ministria e Arsimit, shkrimtarë, mësues dhe nxënës.

Ditën e tretë, 15 shkurt, KAS organizon në Shkodër ekspozitën “Drita përtej errësirës” në “Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës” (VDK), aktivitet që nis në orën 11:00 dhe përcjell materiale fotografike mbi ateizmin shtetëror dhe persekutimin e klerit gjatë diktaturës. Drejtuesi i KAS Tobias Rüttershoff dhe Kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi do të mbajnë fjalën përshëndetëse ndjekur më tej nga Drejtori i VDK-së Pjerin Mirdita, Arqipeshkopi Angelo Massafra dhe Myftiu Muhamed Sytari.

DITËT E KUJTESËS V vazhdojnë të hënën më 17 shkurt me prezantimin e botimeve rreth diktaturës, prezantime që do të kryhen në orën 9:30 në sallën Antigonea 1 të Hotel Rognerit në Tiranë. Një nga librat i kushtohet biologes Sabiha Kasimatit, pushkatuar nga regjimi në vitin 1951: “Kundër rrymës” Një Histori Rreth Sabiha Kasimatit – ‘Mikja e Peshkut’. Prezantimi shoqërohet me diskutime nga një panel ku do të jenë Drejtuesi i KAS Tobias Rüttershoff, historiani Uran Butka, përkthyesja lituaneze Vytenė Muschick, artistja lituaneze Lina Itagaki, Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) Çelo Hoxha. Në këtë aktivitet do të prezantohet gjithashtu volumi i radhës i Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist.

Dita e pestë e kujtesës vazhdon të martën më 18 shkurt në sallën Teuta të Hotel Tiranës dhe i kushtohet “Persekutimit të popullsisë çame gjatë regjimit komunist”. Aktiviteti do të përshëndetet nga Drejtoresha e IDMC Jonila Godole, Shpëtim Idrizi si përfaqësues i Shoqatës Çamëria dhe Simon Mirakaj, ish-i persekutuar. Studiuesi Bashkim Kuçuku do të sjellë dëshmi të familjeve çame që vuajtën persekutimin ndërsa anëtari tjetër i AIDSSH Altin Hoxha do të përcjellë statistika dhe të dhëna arkivore rreth asaj periudhe dhe më tej do të ekspozohen dosje që Sigurimi i Shtetit mbajti për familjet çame.

Paralelisht në Shtëpinë e Evropës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të prezantojë projektin “Krijimi i qendrës për drejtësi dhe transformim në Universitetin e Tiranës”. Prezantimi do të kryhet nga Lektorja Merita Poni ndërsa më pas lektoret Enkeleda Olldashi, Enriketa Pandelejmoni dhe Elona Mehmeti do të diskutojnë rreth moduleve të mësimdhënies mbi drejtësinë tranzitore.

Më 19 shkurt ora 10:30 mbahet ceremoni përkujtimore në ish-burgun politik në kalanë e Gjirokastrës. Aktivitetin do ta përshëndesin Drejtuesi i KAS Tobias Rüttershoff, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër Flamur Golemi dhe Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë Nebil Çika. Të pranishëm do të jenë ish-të burgosur politikë dhe ish-deputeti Enkeled Alibeaj.

Paralelisht në orën 16:30 në Shtëpinë e Evropës në Tiranë, IDMC do të shfaqë dokumentarin “Fëmijët e diktaturës”. Shfaqja paraprihet nga një diskutim me shkrimtarin Agim Baçi dhe ish-të persekutuarit Alma Liço, Ridvana Mena dhe Lurian Mena.

Dita e shtatë e DITËVE TË KUJTESËS parashikon prezantimin e hartës digjitale të vendeve të vuajtjes në Shqipëri. Aktiviteti nis në orën 9:00 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Marrin pjesë Drejtuesi i KAS Tobias Rüttershoff, themeluesi i “Kujto.al” Agron Shehaj dhe studiuesit Andi Pinari e Erald Kapri, të cilët do të mbajnë dhe diskutime me të rinjtë.

Më 20 shkurt 2020, në kuadër të DITËVE TË KUJTESËS, shpallen fituesit e ediconit të katërt të konkursit të IDMC “Pyet Gjyshërit”. Ceremonia nis në orën 17:00 dhe mbahet në sallën Balsha të Hotel Tiranës. Konkursi ka grumbulluar qindra punime në multimedia nga të gjitha gjimnazet e Shqipërisë, ku përcillen reflektimet e të rinjve mbi histori familjare apo të mësuara rreth së shkuarës së vendit në vitet 1945 – 1997.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura