Replikat e plota/Përplasen deputetët, PS kalon në sulm: Manjani pervers

Feb 1, 2017 | 8:00
SHPËRNDAJE
Shkarkimi i Ylli Manjanit ishte kryefjala e debatit politik në komisionet parlamentare. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, deputetët e PD-së akuzuan Kryeministrin se deklaratat e Manjanit e nxorën cullak për kapjen nga mafia.
ligjettt.m
Eduard Halimi tha se qeveria nuk i ka përgënjeshtruar akuzat e Manjanit dhe në këtë mënyrë ka konfirmuar vërtetësinë e tyre. Por deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ka thënë dje se Ylli Manjanit maxhoranca do t’i kthejë përgjigje, pasi atij t’i bëhen analizat që është mirë mendërisht, raporton “Panorama”.
“Meqë zoti Halimi kërkoi një prononcim të maxhorancës do t’i them që ne po presim vizitën mjekësore të atij ish-ministrit të Drejtësisë dhe pasi të dalë mirë ai do të na duhet të themi ndonjë fjalë”, tha deputeti i PS-së. Por, pas këtyre akuzave, ministri Manjani ka reaguar disa orë më pas duke e quajtur Piro Lutajn si deputet koti, duke e injoruar dhe duke mos i përmendur as emrin.
“Një deputet koti kërkon analizat e mia mjekësore. I sugjeroj të kërkojë analizat e kryetarit të vet!”, shkruan Manjani në replikën e tij. Por deputeti i PS-së ka shpërthyer në akuza ndaj Manjanit, duke e quajtur atë si “pervers”. “Keqardhje për votën që i kam dhënë këtij perversi, unë deputeti ‘koti’”, shkruan në profilin e tij në “Facebook” deputeti socialist.
Debati për shkarkimin e Ylli Manjanit është zhvilluar edhe në Komisionin e Politikës së Jashtme. Aldo Bumçi tha se shkarkimi i ministrit vetëm pse foli për hashashin është një kambanë alarmi. Por, për Arta Daden, zëvendësimi i ministrit është një proces normal, arsyet të të cilit i di vetëm Kryeministri.
REPLIKAT NË KUVEND PËR YLLI MANJANIN
Eduard Halimi: Ministri i Drejtësisë i qeverisë, i cili ka informacione për gjithçka që ka ndodhur, që ndodh në qeveri, dha të vërteta duke nxjerrë cullak qeverinë. Kanë kaluar 24 orë dhe asnjë nga ministrat, apo qoftë dhe Kryeministri, nuk ka përgënjeshtruar asgjë për ato që tha Ylli Manjani dje. S’kanë përgënjeshtruar akuzat për kanabisin se s’kanë çfarë të përgënjeshtrojnë. S’kanë përgënjeshtruar asgjë për Klement Balilin, sepse faktet dhe letrat janë aty. S’kanë përgënjeshtruar asgjë për koncesionet korruptive, s’kanë përgënjeshtruar asgjë për sa u përket edhe vendimeve të qeverisë që merreshin siç Manjani pa praninë e ministrave. S’kanë përgënjeshtruar deklaratën e ministrit dje se Kryeministri telefonon personalisht gjyqtarët për të futur qytetarët në burg. Derisa këta nuk i përgjigjen do të thotë që të gjitha ato që tha Manjani dje janë të vërteta. Duke qenë të vërteta, mendoni tani çfarë mund të diskutojmë për një ligj për ankandet. Fatmir Xhafaj: Po flet për ankandet. E nxorën dhe atë të shkretin në ankand. Faleminderit zoti Halimi që jeni kundër ligjit të ankandit publik.
Pirro Lutaj: Meqë zoti Halimi kërkoi një prononcim të maxhorancës do t’i them që ne po presim vizitën mjekësore të atij ish-ministrit të Drejtësisë dhe pasi të dalë mirë ai do të na duhet të themi ndonjë fjalë.
Gent Strazimiri: Zoti kryetar, a e keni vënë re, është një shprehje që thotë: Zoti nuk është mace me të gërric. Kalendari trijavor sot ka sjellë litarin në shtëpinë e të varurit.
Fatmir Xhafaj: Jo ore… Çfarë lloj litari është?
Gent Strazimiri: Ta shpjegoi dje Ylli Manjani, por ti mendon se e keni qafën akoma aq të fortë saqë këput litarin. Sot për ironi kalendari na ka sjellë një projektligj me firmën e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës, firmat më të inkriminuara që nga dje. Me një dëshmitar ekselent, të ndritur, që i di të gjitha më mirë se çdo njeri tjetër. Nëse sot që denoncon qoftë edhe ministri juaj deri para pak orësh konsiderohet i çmendur, apo duhet të kalojë deri në vizitë mjekësore, jeni me të dyja këmbët tashmë me zë dhe figurë në teorinë dhe praktikën e Mehmet Shehut. “Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara” është shprehje e Mehmet Shehut në ’78, këtë e dimë të tërë.
Fatmir Xhafaj: Sa mirë i dini këto!
Gent Strazimiri: I dimë o shoku Fatmir se jemi thelluar. Të bëjë gjëmën ti atëherë të mos thelloheshe te këto. Sot jeni fiks me të njëjtën shprehje. Po pse, ligjet tona do të na pengojnë ne të vrasim njerëzit tanë?
Fatmir Xhafaj: S’keni faj ju, jeni opozitë e veprave të shokut Mehmet.
Gent Strazimiri: Për sa kohë që ka 30 vjet që ka ngordhur regjimi i shokut Mehmet dhe ti je në pushtet, ke të drejtë të qeshësh.
Fatmir Xhafaj: Faleminderit dhe për kujtimet e shokut Mehmet që na e ringjalle. Të paçim dhe shyqyr që të kemi.
Gent Strazimiri: Je në pushtet ti dhe Edi Rama.
Fatmir Xhafaj: Unë, Edi dhe Saliu kemi qenë. Bashkë kemi qenë, grup i organizuar. Xhemal Qefalia: Ndoshta do të ishte mirë që ish-ministri i Drejtësisë të fliste që më 30 tetor, por ndoshta s’ka pasur kohë të tregojë pse nuk është bërë mbledhja qeverisë, ta thoshte më 31 tetor, por jo në momentin që largohen fillojnë dhe nxjerrin situata të tilla.
DEBATI NË KOMISIONIN E JASHTËM
Aldo Bumçi: Pas ngjarjes, ku ministri i Drejtësisë shkarkohet pse ka përmendur përmasën e frikshme të mbjelljes së kanabisit në Shqipëri dhe thirrjen për të futur ushtrinë për të luftuar këtë fenomen. Manjani tha se qeveria punon në kushte antikushtetutshmërie dhe në këtë rast, kur ministri shkarkohet se ka ngritur zërin për këto fenomene, duket që kambanat flasin shumë qartë se sa e rëndë është situata. Sapo është shkarkuar ministri i Drejtësisë sepse përmendi hashashin.
Arta Dade: Shkarkime të ministrave ndodhin në çdo qeveri. Këtu ndodhi diçka normale u zëvendësua një ministër, do të vijë në parlament dhe do ta votoni edhe ju.
Aldo Bumçi: Duam të dimë cilat ishin arsyet e shkarkimit?
Arta Dade: Arsyet e shkarkimit, nuk jemi ne këtu për t’i përcaktuar. Deklarimet publike janë një gjë dhe arsyet i di ai që e ngarkon Kushtetuta për të formuar qeverinë. Ne po të duam i votojmë ose nuk i votojmë.
FATION BINJAKU/PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura