Vdekja e “vrasësit të liqenit” 8 vite pasi i mori jetën ish-gruas shqiptare dhe partnerin të saj italian! Si u dhunua brutalisht në burg! Flet motra e Silvio Mannina

May 2, 2024 | 8:23
SHPËRNDAJE

Më 27 prill mediat italiane bënë me dije se ‘vrasësi i liqenit’ kishte ndërruar jetë. Ai kishte qenë në agoni prej 8 vjetësh që kur u rrah brutalisht në burgun e Parmas, nga një tjetër i burgosur.

Dritan Demiraj

Dritan Demiraj, kishte marrë dënimin e përjetshëm për një nga krimet më monstruoze të ndodhura në Itali, ku aso kohe u tha se bëhej fjalë për një krim pasioni. Dy viktimat e tij ishin një shtetas italian dhe ish-bashkëshortja, nëna e fëmijëve të tij.

Shkak i krimit ishte ndarja e tyre dhe nisja e një romance të re e viktimës me shtetasin italianin. Pas vdekjes së tij, mediat italiane iu kanë rikthyer asaj ngjarjeje, por edhe sjellin fakte nga reagimet e familjarëve dhe të afërmeve të viktimave.

SHKRIMI I “CORRIERE”-S

Ishte i shtruar në gjendje vegjetative dhe nuk mbante më mend asgjë që kishte ndodhur. Dritan Demiraj, 39 vjeç, vdiq më 27 prill në spitalin e Parmës. I njohur ndryshe si “vrasësi i liqenit” në Romagna, mes 28 shkurtit dhe 1 marsit të vitit 2014, shqiptari vrau Silvio Manninan në Santarcangelo të Romagna-s.

Fillimisht e torturoi dhe e detyroi me anë të torturave që të linte takim me të fejuarën e tij Lidia Nusdorfi, ish-partnerja dhe nëna e fëmijëve të shqiptarit. Një kurth që të dilte në takim në stacionin e Mozzate, pranë Como-s, për ta vrarë me thikë. Për këto dy vrasje, Demiraj u dënua me burgim të përjetshëm. Por në 2016-n u rrah brutalisht nga një tjetër i burgosur në Parma. Demiraj pësoi dëmtime cerebrale. Nisi të sillej si fëmijë, duke humbur kujtesën. Megjithatë, pozicioni i familjarëve është i palëkundur.

“Nuk qaj për këtë vdekje”, – thotë motra e Silvio Mannina-s, Simona. “Ti në ferr, im vëlla në parajsë dhe gjithmonë në zemrën time. Të zgjuarit mëngjesin e së dielës me këtë lajm, nuk ka të paguar”, shkruajti ajo në një postim në “Facebook”.

Vrasjet e Dritan Demirajt, shqiptarit që në Romagna bënte pastiçierin e që me drejtësinë kishte disa precedentë si shpërndarës dhe sulme të ndryshme, tronditën mbarë Italinë në atë kohë. Ishin krime të urryeshme. Fillimisht u mësua vrasja e ish-partneres së tij, Lidia Nusdorfi-t. Krimi ndaj të fejuarit të saj Silvio Mannina, i cili jetonte me vështirësi në Bolonja, u zbulua më pas, në një moment të dytë.

Kufoma ishte fshehur në liqenin e Santarcangelo, sepse qëllimi i Demirajt ishte që vrasja e Lidias të dukej sikur ishte kryer nga Mannina. Ky i fundit ishte joshur me anë të mashtrimit që të shkonte në Rimini. Ndërkohë, Demiraj ishte njohur në Bingon e Ricione me Monica Sanchi, gruan e cila më pas u bë partnerja e tij. Ishte pikërisht Sanchi që e ndihmoi të dashurin e saj që të vinte në zbatim planet. E joshi Mannina-n nëpërmjet “Facebook” dhe e tërhoqi që të shkonte në Rimini.

Por në takim i dolën pastiçieri dhe daja i tij Sadik Dine, edhe ky i fundit i dënuar me burgim të përjetshëm si bashkëpunëtor. Ndërsa Monica Sanchi vdiq po në burg në 2019-n nga kanceri. Ajo ishte dënuar me 30 vjet burg.

“Nuk qaj për vdekjen e Dritan Demirajt”, vijon të përsërisë motra e Mannina-s. “Ne, familjarët u ndjemë të braktisur. Një njeri i tillë, që as njeri nuk mund të quhet, pati mundësinë që të kërkonte dëmshpërblim për sulmin që pësoi. Kurse ne jo”. Arsyen e shpjegon përfaqësuesi ligjor, Alessandro Buzzoni. “Demiraj u shpall i paaftë për të kuptuar dhe logjikuar, doli nga burgu dhe përfundoi në spital. Nuk ishte person i pasur ndaj dhe ishte e pamundur që të merrte dëmshpërblim”.

Ai që iu drejtua me kërkesë shtetit për sulmin që pësoi në burg, ishte ligjori i pastiçierit shqiptar Massimiliano Orrù. Sa i përket fundit të personave të tjerë përfshirë në këtë ngjarje ka një emërues të përbashkët: një fund i trishtë, tragjik dhe dramatik, i shënjuar nga fati.

“Sigurisht që ne mendojmë që ky proces është si jetë shënjuar nga fati”, shpjegon avokati Buzzoni. “Ata (familjarët) besojnë se Silvio Mannina e ka mësuar fatin e tyre nga lart. Është sikur drejtësia hyjnore të ketë goditur autorët e këtyre vrasjeve. Në fakt duket se u gjykuan nga lart, edhe pse duhet të kujtojmë që është e shëmtuar ta thuash apo ta mendosh dhe drejtësia hyjnore nuk duhet përmendur. E vërteta është se kjo histori u përshfaq për atë që është: një ngjarje dramatike dhe brutale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura