Rënie-ngritjet e demokracisë sipas Meidanit

Apr 18, 2011 | 10:48
SHPËRNDAJE

Doli në qarkullim libri me titull “Rëniet–ngritjet e demokracisë”, me autor ish-Presidentin e Republikës, Rexhep Meidani. Në të, ndër të tjera, trajtohen disa elemente e konsiderata “filozofike” mbi qeverisjen, format e ndryshme të saj. Një shtjellim më vete zë aty “masa” e demokracisë dhe matja e saj në klasifikimin e qeverisjeve të ndryshme: me demokraci të plotë, me demokraci me defekte, regjimeve hibride apo atyre autokratike, të ndeshura në pamje konkrete, në sisteme parlamentare, gjysmëpresidenciale apo presidenciale, në organizime republikane apo monarkike, në formacione politike demokratike apo autokratike etj. Një analizë më të veçantë zë dhe tranzicioni shqiptar, si një tranzicion i shumëfishtë (si tranzicion politik e kushtetues, si tranzicion ekonomik e social, si tranzicion identitetit dhe si tranzicion diplomatik).  Një vlerësim të veçantë ndaj kësaj vepre ka dhënë akademiku Rexhep Qosja. Sipas tij, “Kjo vepër është shumë e rëndësishme dhe e botuar në çastin e duhur për lexuesit shqiptarë dhe për politikën shqiptare. Rëndësia e saj është e përmbajtur edhe në titull: “Rëniet–ngritjet e demokracisë”. Sa titull i bukur! Dhe i shumëkuptimshëm. Titull vërtet demokratik për demokracinë, që mund të krijohej vetëm prej një demokrati të vërtetë. Tiranët, despotët, diktatorët kanë menduar dhe kanë thënë se regjimet e tyre, “demokratike”, nuk njohin rënie, por vetëm ngritje!  Nuk ka dyshim se kjo vepër do të jetë shumë e dobishme për lexuesit dhe për historianët e demokracisë në përgjithësi dhe ata të shtetit shqiptar në veçanti. Prej saj do të mësojmë çka nuk kemi ditur fare dhe çka kemi ditur pasigurt për tipat e shtetit, për tipat e demokracisë, për rëniet dhe ngritjet e saj gjatë historisë dhe sot. Por, prej saj do të mësojmë shumë edhe për përtashësinë politike shqiptare, madje edhe për tranzicionin shqiptar. Lexojeni këtë vepër!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura