Renato Milloshi: Policia gënjen, nuk plagosa njeri

Mar 21, 2012 | 11:23
SHPËRNDAJE

Hysni Milloshi

Djali i Hysni Milloshit: Ndërhyra për të ndihmuar dy vajza, po i ngacmonin.

Djali i Hysni Milloshit, i akuzuar nga policia për një ngjarje të ndodhur ditë më parë në Tiranë, shpjegon rrethanat se si u përfshi në incident. Sipas Renato Milloshit, përfshirja e tij në këtë ngjarje ka ndodhur krejt rastësisht mbrëmjen e së enjtes së javës që shkoi në Tiranë. Milloshi ka mohuar të ketë goditur njeri me thikë, ashtu siç u tha në komunikatën e Policisë së Tiranës një ditë pas ngjarjes. Renato Milloshi, i kontaktuar dje nga gazeta “Panorama”, tregoi se gjithçka ka ndodhur nga një konflikt i çastit, kur dy vajza i kanë kërkuar ndihmë, pasi po i shqetësonin disa djem në rrugën ku ka ndodhur ngjarja. “Ka qenë një konflikt i çastit, pasi kam ndërhyrë në mbrojtje të dy vajzave që unë i njihja, të cilat më kërkuan ndihmë diku pranë rrugës ‘Sulejman Pasha’”, tha Milloshi. Sipas tij, në këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë të plagosur me thikë. “Ishin pesë veta që ngacmonin dy vajzat dhe unë isha thjesht kalimtar në rrugë kur ato më kërkuan ndihmë dhe aty shkëmbyem llafe dhe pati një konflikt. Vetëm kaq”, u shpreh dje 32-vjeçari Renato Milloshi, djali i kreut të Partisë Komuniste, Hysni Milloshi. Ai mohon gjithashtu që incidenti të ketë ndodhur në një lokal, ashtu siç kanë pretenduar në polici dy djemtë që kanë bërë kallëzimin, Alteo Rama dhe Albi Saliasi. Nga ana tjetër, 32-vjeçari Milloshi nuk e shpjegon arsyen se përse ky incident është transformuar në polici nga një përleshje rastësore në rrugë deri te rrethana krejt të ndryshme që përshkruhen në komunikatën mbi ngjarjen. Veç incidentit të datës 15 mars, 32-vjeçari Milloshi shprehet se ndryshe nga çfarë pretendohet nga policia, ai as në vitin 2008 nuk ka qenë i përfshirë në asnjë lloj ngjarjeje dhe nuk ka qenë i dënuar asnjëherë. “Nuk kam vjedhur kurrë, jo çantë, siç pretendohet nga ana e policisë, por as edhe një majë lapsi. Nuk kam asnjë arsye për të arritur deri në atë pikë. Unë jam njeri familjar, i martuar, me fëmijë dhe nuk kam vuajtur kurrë nga probleme ekonomike sa për të arritur deri aty. Më duket absurde si mund të arrijnë të më përfshijnë në ngjarje të tilla”, shprehet ai. Gjithashtu, 32-vjeçari Milloshi tregon se nuk ka asnjë lloj problemi me Drejtësinë shqiptare, pasi nuk ka qenë kurrë i dënuar, për asnjë vepër penale, ndryshe nga ç’thuhet në komunikatën e Policisë. “Kjo deklaratë që unë po bëj për ju, është për të mbrojtur dinjitetin tim dhe të familjes sime. Nuk është hera e parë që emri im përdoret në ngjarje të tilla, por nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes”, përfundon Renato Milloshi. Megjithatë, ai tregon se incidenti është ende në hetim dhe për këtë arsye ai do të ndjekë procedurat ligjore, edhe nëpërmjet avokatit që do të pajtojë, por deri tani ende nuk është marrë në pyetje për këtë çështje.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura