Reforma/ “Halli i pasurisë se Saliut, Lulit dhe familjes së ish-Kryeministrit”

Jun 22, 2016 | 20:30
SHPËRNDAJE

Spartak Ngjela në një shkrim të gjatë për reformën në drejtësi, thotë se kjo reformë do të penalizoi abuzimet e qeverisë Berisha në dy mandatet e saj.ngjela-1024x736

Sipas Ngjelës, kreu i opozitës Basha dhe ish-Kryeministri Berisha janë të vetëdijshëm që e kanë kundër Uashingtonin në këtë proces.

Spartak Ngjela

Demokracia bie në krizë atëherë kur maxhoranca që ka fituar zgjedhjet kthehet ose në një oligarki tiranike, ose në një bandë korruptive.
Rasti i dytë është ai i qeverisë Berisha 2005-2013, e cila tani është në opozitë. Por shqiptarët masivisht votuan kundër asaj qeverie të korruptuar dhe korrupsionit në Drejtësinë shqiptare.

Kurse sot konstatohet se krizën e korrupsionit të qeverisë të korruptuar, krerët e korruptuar ia kanë transmetuar opozitës, ndërsa kjo nuk do të thotë që këtë krizë morale të qeverisë abuzive të vitit 2013, këta opozitarë mund ta kthejnë në një krizë morale të demokracisë shqiptare.

Reforma në drejtësi patjetër që do të penalizojë hordhinë abuzuese Berisha, dhe do t’i shpronësojë të gjithë të korruptuarit. Shqiptarët duan ndëshkim. Provat janë sheshit dhe të gjitha organizmat ndërkombëtarë i kanë të gjitha evidencat, prandaj: pse lodhen kot vjedhësit?

Gjykatë e korruptuar plus pushtetin abuziv Berisha: kjo ka qenë substanca juridike e vitit 2013. Prandaj, pse merren këta të mundur me gjithsejta nga populli, me zvarritje qaramane të të kapurit në vendin e krimit?

Sepse duan t’i shpëtojnë penalizmit. Nuk e shihni si vijnë vërdallë? Por më qesharakë janë ata që nuk kanë përfituar asnjë kacidhe, dhe bëjnë luftë me “mullinjtë e erës”, se kanë hallin e pasurisë se Saliut, Lulit dhe familjes së Saliut. Ky në fakt ka qenë karakteri mesjetar i vasilitetit. Vasali i shkretë nuk ka përfituar kurrgjë, por duhej të ishte besnik, se mos merrte ndonjë kockë.

Ja këta janë sot nëpër këmbë, dhe mund te hidhen të gjithë për të mbrojtur feudalin dhe rrethin e tij. Dhe kanë krijuar Venecian si çështje. E kotë: Reformën shqiptare e kanë strukturuar amerikanet. Krimin shtetëror shqiptar nuk po e luftojnë shqiptarët që të ndërrojnë Portat e korrupsionit. Gjithçka është në dore të politikës dhe ekspertizës amerikano- gjermane. Venecia është pretekst i Saliut. Amerikanëve demokracinë nuk ua ka mësuar Venezia. Amerikanëve iu desh një shekull për të demokratizuar Venecian. Korrupsioni Berisha duhet të hyjë në rresht e t’i lerë vasalët në hallet e vobektësisë së tyre në intelekt, dhe të gjejë rrugën legale për t’u mbrojtur ndaj penalizimit të tij.

Në Parlamentin shqiptar Reformën do ta votojnë mbi 115 deputetë…mund të jenë edhe më shumë. Cila Venecie ka dalë për të mbrojtur krimin shtetëror shqiptar Berisha, ajo e Dozhëve mesjetarë? Reforma shqiptare nuk ndalohet dot, pa le te kërcënojë me “trazira sociale” zëri infantil Basha. Ikë Basha në Uashington dhe jo nëpër varfërinë shqiptare! Shko i thuaj Uashingtonit që qeveria Berisha ka qenë qeveri “shenjtorësh”… se shqiptarët janë të lodhur nga grabitja dhe agresioni barbar Berisha. Fatet e shqiptarëve sot jane fate interesash shqiptaro- amerikane. Por Bashë ziu e ka të pamundur, se , sikurse Saliu, e di që Uashingtonin e ka kundër. Perëndim per Shqipërinë sot do të thotë antikorrupsion shqiptar. Të gjitha të tjerat janë fjalë pa sens.

Por, a mund ta ndalojnë vasalët Reformën. Për fatin e moralitetit shqiptar ata janë pak. Nuk bëjnë dot gjë as me Venecian dhe as me votat në Parlament. Sot shqiptarët e dinë se gjithçka që kundërshtohet nga Saliu, është një furi fëminore… sepse kanë kuptuar të vërtetën: Uashingtoni dhe Brukseli janë kundër korrupsionit shqiptar. Kjo është Venecia reale, ajo mesjetarja e Dozhëve nuk ka më funksion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura