Refleksione mbi librin “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” të Hyqmet Zanes! Luftëtar i kauzës së çështjes çame, mblodhi dokumente autentike

Nov 28, 2023 | 8:46
SHPËRNDAJE

PROF. DR. EMINE SADIKU/ Kush nuk i do udhëtimet? Në prag festash, ato bëhen zgjedhja ideale për të kaluar disa ditë me miqtë, familjarët apo partnerin.

Snapshot_2

Tri librat e botuara nga Hyqmet Zane në harkun kohor të gati 15 vjetëve spikasin në morinë e botimeve me tematikë historikepolitike me risitë e tyre stilore. Autori gërsheton me mjeshtëri tekste llojesh të ndryshme, bashkëlidh informacione publicistike me dokumente autentike. Intervista është një mjet shumë i mirë argumentues dhe shprehës. Librat e këtij autori shquhen dhe për të dhënat fotografike – pamore që janë produkt i një pune tepër të zellshme dhe pasionante. Si redaktore e tri librave të fundit, dhe si studiuese në fushën e analizës së tekstit, mendova të shpreh disa konsiderata modeste për librin e sipërpërmendur.

Çamëria, kjo krahinë shqiptare që sot ndodhet padrejtësisht, administrativisht si pjesë e Greqisë (pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913), është në fokusin e studimeve dhe shkrimeve të këtij autori të palodhur, të këtij luftëtari të kauzës e çështjes çame. Librat e botuar: “Kosova dhe Çamëria – dëshmi rrënqethëse” (2009), “Çamëria- toka pa njerëz dhe njerëzit pa tokë” (2020, “Çamëria dhe Kosova – Gjenocid pa ndëshkim” (2021) dhe së fundi “Lidhjet e Elbasanit me Çamërinë” (2023) janë dëshmi e gjallë e punës hulumtuese dhe me shumë përgjegjshmëri të publicistit Hyqmet Zane.

Ai është bir i një familjeje që provoi tri gjenocide: atë grek, se u dëbuan me dhunë e gjakderdhje nga shtëpitë e tyre në Filat, si shumë familje çame; atë nazist: babain e tij, Nuri Zane, e deportuan në kampet e përqendrimit të Mat’hausen dhe Dakao më 1944 -45. Gjenocidi komunist e burgosi atë në vitin 1964. Këto realitete të hidhura janë një nxitje e vazhdueshme në krijimtarinë e autorit. Libri i botuar së fundi nga autori i mirënjohur Hyqmet Zane mbi lidhjet historike midis Çamërisë dhe Elbasanit na mblodhi përsëri për të festuar këtë herë daljen e tij. E kam pritur me kërshëri këtë botim dhe u gëzova kur më ra në dorë teksti i plotë dhe më vonë libri.

Autorin e përgëzoj për punën e çmuar dhe me përkushtim për të mbledhur material të vyer autentik, me vlera historike, politike, etnografike. Me katër pjesët e veta libri jep informacion të bollshëm për tematikën e zgjedhur nga autori. Krahas përmbajtjeve të ofruara me anë të teksteve, pamjet fotografike japin një ndihmesë të veçantë në prezantimin e ideve autoriale. Ndërsa në pjesën e parë përshkruhen çaste, dokumente, ngjarje në kuadrin e temës së përgjithshme, pjesa e dytë përmban krijimet poetike të autorit nga Filati, Hasan Pilavi; shtypur në shtypshkronjën “Elbasani”. Pjesa e tretë dhe e katërt merren gjerësisht me personalitetin e kulturës dhe arsimit shqiptar, patriotin Salih Çeka. Libri është lehtësisht i lexueshëm se komentet dhe analizat, gjithsesi të hartuara me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, shoqërohen bollshëm me material pamor : fotografi, piktura, vepra skulpturore, vargje, tekste origjinale-autentike etj. disa prej të cilëve janë gjetje e zbulime të autorit, si libri me poezi “Kujtimi kombëtar” i Hasan Pilavit etj.. I gjithë libri, me përmbajtjen eksplicite dhe implicite është një mesazh e një mirënjohjeje në emër të popullatës çame të Elbasanit ndaj elitave e banorëve të Elbasanit, që i kanë parë e vlerësuar çamët si bashkëkombës, si bashkëluftëtarë në misionet e përbashkëta kombëtare.

Në fillim mendova ta quaj librin “urë kulturore” midis dy grupeve demografike (çame – elbasanase). Por m’u duk pa vend një emërtim e karakterizim i tillë. Se ne jemi pjesë të një së tëre, gjymtyrë të një kombi. Kur paraardhësit tanë u larguan nga tmerri dhe mizoria e andartëve grekë, kur mërguan nga trojet e tyre në Çamëri, kur u vendosën në troje shqiptare, nuk kapërcyen ura se komunikimi realizohej normalisht me anë të gjuhës së përbashkët shqipe. Ne, që lindëm në këto anë, nuk u gjendëm asnjëherë në këmbët e urës për t’u hedhur në bregun tjetër. Ne u integruam direkt, ne vuajtëm bashkë, përjetuam bashkë të mirat e të këqijat e kohërave.

Po kush na ndau ne? Na ndau së pari politika e verbër e fuqive të mëdha të kohës kur e prenë Çamërinë dhe Kosovën nga trungu amë. Pastaj na ndau komunizmi shqiptar me partinë e punës, pasi etiketoi, sulmoi, dhe asgjësoi barbarisht të ashtuquajturin “grupin çam” të përbërë nga persona të shquar, inteligjentë dhe elitarë me origjinë çame. Në librin e Hyqmet Zanes jepet biografia dhe fati i një pjese të atij “grupi”, banorë dhe kontribuues në Elbasan. Pasi ekzekutoi mizorisht gjithë ata gjoja “bashkëpunëtorë të imperializmit amerikan dhe grek”, hodhi “hijen e dyshimit”, mbuloi me mosbesim e diskretitim tërë popullatën çame në Shqipëri. Shumë gjëra kanë kaluar, shumë gjëra kanë ndryshuar, por jo gjithçka…

Kur e zhvendosa “laboratorin” tim të punës nga Shqipëria në Gjermani, mora me vete shumë libra, shumë fletore, shënime, shumë eksperiencë pune. Mbi të gjitha mora me vete mallin e pa shuar për atdheun që më shfaqej përherë para syve e mendjes me pamje e figura nga Elbasani im i paharruar. Kjo është pjesë e historisë sonë të përbashkët si një lidhje gjaku shqiptar dhe identiteti për kombin tonë, ku Elbasani ka pjesën e mbështetjes atdhetare ku si një himn këndohej kënga “:

“Se flamuri kuq e zi.
Do valojë përsëri,
Në Kosovë e Çamëri
Plot me gaz e dashuri”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura