Reali me Sitin në “grupin e vdekjes”

Aug 31, 2012 | 14:48
SHPËRNDAJE

Në Montekarlo është hedhur shorti për fazën në grupe të UEFA Champions Ligë për sezonin 2012-2013. Skuadrat italiane kanë dalë të kënaqura nga shorti i hedhur, gjë që nuk mund të thuhet për ato spanjolle. Milani që ishte në vazon e parë, është në grupin C me Zenitin e drejtuar nga Luçiano Spaleti, Anderlehtin e Besnik Hasit dhe Malagën. Juventusi që ndodhej në vazon e tretë, është në grupin E me Çelsin, fitues në fuqi i trofeut, Shakhtar Donjeckun dhe Nordsjaelland. Bardhezinjtë kanë evituar në këtë mënyrë rreziqe të mëdha, pavarësisht se nuk mund të konsiderohet një grup i lehtë. “Grupi i vdekjes” është Grupi D ku janë përfshirë tri skuadra që e kanë fituar më parë këtë trofe, si Real Madridi, Ajaksi, Borusia Dortmund, por edhe milionerët e Mançester Sitit të drejtuar nga Roberto Mançini. Duke iu referuar deklaratave të mëparshme të Mourinjos, objektivi kryesor i Realit për këtë sezon është Kupa e Kampioneve, por nisur nga sa ka dhënë dje shorti, duket se rrugëtimi i portugezit me “mbretërorët” do të jetë shumë i vështirë. Të paktën tri skuadra: Real, Borusia dhe Mançester Siti duket se janë në një staturë, ndaj mes tyre do diskutohen edhe dy vendet e para në grup që të lejojnë të kualifikohesh për më tej. Dy grupet më të lehta, gjithnjë teorikisht janë A dhe B, ku Porto do presë Dinamo Kievin, PSG-në e Ibrahimoviçit dhe Dinamon e Zagrebit. Ndërsa Arsenal nuk pritet ta ketë të vështirë me Shalken, Olimpiakosin dhe kampionët e Francës, Montpelie. Ndërkohë Mançester Junajtid i Aleks Fergusonit do ketë përballë portugezët e Bragës, turqit e Gallatasarajit dhe rumunët e CFR Kluzhit. Java e parë e ndeshjeve është në program në 18-19 shtator, ndërsa finalja do të zhvillohet në stadiumin “Uembli” të Londrës, më 25 maj 2013.

Grupet e Champions League
Grupi A: Porto, Dinamo Kiev, PSG, Dinamo Zagreb
Grupi B: Arsenal, Shalke, Olimpiakos, Montpelie
Grupi C: Milan, Zenit, Anderleht, Malaga
Grupi D: Real Madrid, Mançester Siti, Ajaks, Borusia Dortmund
Grupi E: Çelsi, Shaktar Donetsk, Juventus, Nordsjeland
Grupi F: Bajern Mynih, Valencia, Lilë, Bate Borisov
Grupi G: Barcelona, Benfika, Spartak Moskë, Sëlltik
Grupi H: Mançester Junajtid, Braga, Gallatasaraj, CFR Kluzh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura