Raporti i FMN, Ahmetaj: Lajm i mirë, inkurajim i drejtpërdrejtë për reformat

May 28, 2016 | 19:33
SHPËRNDAJE

Për ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, vlerësimi që i ka bërë performancës së ekonomisë shqiptare FMN, është një lajm i mirë që konfirmon faktin se ekonomia shqiptare e ka konsoliduar trendin e qëndrueshëm të rritjes.

arbenahmetaj

Në raportin e FMN-së, vlerësohej se rimëkëmbja ekonomike në vendin tonë po pëshpejtohet.

“Lajm i mirë sot nga FMN për performancën e ekonomisë shqiptare dhe inkurajim i drejtpërdrejtë për reformat! Në përfundim të rishikimit të shtatë të performancës së ekonomisë shqiptare në kuadër të programit tre-vjeçar me qeverinë, Bordi Ekzekutiv i FMN vlerëson se:

1. Rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë, po përshpejtohet ndërsa parashikimi në afatmesëm është i favorshëm.
2. Qeveria shqiptare ka marrë autorësinë e programit dhe vendosmëria e treguar për implementimin e reformave ambicioze dhe të vështira strukturore dhe fiskale është e lavdërueshme.
3. Angazhimi i autoriteteve për të vijuar me konsolidimin fiskal është thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit dhe ulur risqet fiskale.
4. Planet e autoriteteve për t’i fokusuar përpjekjet e tyre të axhustimit fiskal në kahun e të ardhurave, është e përshtatshme.
5. Vendosmëria e qeverisë për implementimin e reformave strukturore fiskale për të reduktuar risqet fiskale është inkurajuese.
6. Autoritetet kanë bërë progres mbresëlënës në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në nivelin e qeverisë qendrore – thotë FMN”, deklaroi Ahmetaj.

Sipas tij është fakt që ekonomia shqiptare e ka konsoliduar tashmë trendin e saj të qëndrueshëm të rritjes dhe zhvillimit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë. Ndajmë të njëjtin qëndrim me FMN se është thelbësore të ruajmë ritmin e reformave në ekonomi; se do të duhet të punojmë ende për përmirësimin e klimës së biznesit, se e kemi sfidë rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe mbi të gjitha, të implementojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, për të hapur një kapitull të ri në perspektivën europiane të Shqipërisë”, tha Ministri i Financave Arben Ahmetaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura