Rama: Të vetmit me Kryeministër 70 vjeç

Jun 13, 2013 | 12:48
SHPËRNDAJE

Rama dje në Peshkopi
Kreu socialist zhvillon tur takimesh në qarkun e Dibrës: Tregohuni të zgjuar më 23 qershor.

“Votoni doktor Hasanin, mos e hidhni votën te doktori i gabuar”

Kryetari i Partisë Socialiste, gjatë mitingut të zhvilluar dje pasdite në Burrel, tha se jemi i vetmi popull që kemi një Kryeministër 70-vjeçar. “Më 23 qershor zgjedhja është shumë e qartë; ose me katranjosin për ta katranosur fare duke mbajtur katragjyshin si asnjë vend tjetër në botë, se jemi një nga popujt më të rinj të botës dhe jemi i vetmi popull në botë me një Kryeministër 70 e ca vjeç; ose pastaj me numrin e ditës së bekuar të çlirimit të këtij vendi, me 29, që do çlirojë energjinë e jashtëzakonshme pozitive të këtij populli”, tha Rama. Sipas tij, me votën për Partinë Socialiste “do çlirohet edhe katragjyshi nga antiplumbi, do çlirohen edhe snajperët që nuk do rrinë me pushkë mbi turmën se mos ndonjëri ngacmon katragjyshin”. Ai u kërkoi matjanëve që të votojnë doktorin e spitalit të tyre, Hasan Cenin, që është kandidat për deputet, dhe jo Berishën. “Unë jam po ashtu shumë krenar dhe mirënjohës që në këtë skuadër të Rilindjes është përfshirë edhe doktori i duhur, doktor Hasani. Na e ka lehtësuar shumë punën edhe me demokratët, sepse demokratët e kanë edhe si forcë zakoni që duan me votu patjetër Doktorin, dhe ja ku e kanë doktorin e duhur, ndaj s’kanë pse e hedhin votën te doktori i gabuar”, tha Rama. Në mbyllje të mitingut të Peshkopisë Rama u kërkoi dibranëve të votojnë me zgjuarsi. “Dibranët thonë se ‘japim ujë në bisht të lugës’. Shpresoj që më 23 qershor do të tregojnë zgjuarsi të madhe në shkëputjen nga rruga e rrënimit dhe bashkimi me Rilindjen”, tha Rama, ndërkohë që një prej rapsodëve i ka dhuruar Ramës një çifteli.

Një banor, batuta me Ramën për jelekun
Një nga banorët e Klosit, në bashkëbisedimin me Ramën ka shkëmbyer batuta në lidhje me jelekun antiplumb. “Unë vij nga një kamp tjetër. Unë e kam prit me pushkë këtu Sali Berishën. Kishte pas qenë me ia fut ballit dikur por…”, u shpreh banori. Por kryesocialisti Rama i tha që plumbi nuk bën dot gjë. “Jo, nuk i bën dot gjë, se ka antiplumb ai….”, ia ktheu Rama një ishpërkrahësi të Partisë Demokratike. “Tani i jam bashkuar alternativës suaj. Vetëm dy herë kam votuar për PS, të tjerat për PD. Në ’94-n kam fut 30 vota përnjëherë në kutinë e votimit, në referendumin për Kushtetutën”, tha banori i Klosit.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura