Rama pengesa e vërtetë e integrimit tonë, jo Brukseli e as MV

May 7, 2022 | 7:38
SHPËRNDAJE

tritan shehu3

TRITAN SHEHU

Përsëri dhe sot në Konferencën Parlamentare Adriatiko-Joniane, Rama kërkon të fajësojë qëndrimin e Brukselit dhe pengesat ndaj MV, për bllokimin e procesit tonë të integrimit (në fakt, kemi bërë hapa prapa), prej vitit 2014.

Kjo është spekulative për të fshehur të vërtetën.

Për kujtesë, në ato vite u tha se Shqipëria nga mospërmbushja e standardeve po pengonte edhe MV. E vërteta është se as Brukseli, që përkundrazi ka qenë gjithmonë i hapur për një Shqipëri të integruar në varësi të standardeve tona të realizuara, dhe aq më pak MV ka qenë pengesë për ne, kjo e fundit as mund të jetë.

Shqipëria jo vetëm ka bërë hapa mbrapa në atë proces prej shumë vitesh, por dhe po largohet nga niveli i kërkesave europiane. Kjo manifestohet nga rritja e kushteve për çeljen e negociatave, prej tre aktualisht në mbi 15, gjë që na largon nga e ardhmja jonë jetike dhe e vetme.

Ishte Rama që nxiti e stimuloi “pengesën” maqedonase, pikërisht për të maskuar dështimin e qeverisë së tij në atë proces unik për ne. Është Rama që po e vështirëson edhe më shumë këtë proces, duke e lidhur tashmë Shqipërinë edhe me Serbinë nëpërmjet Ballkanit të Hapur, kur orientimi i saj është Unioni Euro-Asian i Moskës.

Është ai që qëllimisht kërkon të anashkalojë projektet e BE-së për bashkëpunim rajonal e integrimin, si Procesi i Berlinit, me të tilla nisma antieuropianiste, vuçiçiane e me shtyrje drejt Rusisë e Lindjes si “Jugosllavia e Re”.

Rama nuk është faktor integrues, përkundrazi, ai me koshiencë a detyrim lindor, e pengon këtë proces për Shqipërinë, shqiptarët e Rajonin. Dhe për këtë, nuk mund të fshihet me as prapa “Brukselit”, as prapa Shkupit.

Kjo ka të bëjë me lidhjet e detyrimet e tij prej faktorëve, që nuk dëshirojnë e nuk u intereson integrimi ynë europian, për interesat apo reminishencat historike të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura