Rama ndan 150 certifikatat e para të pronësisë në Novoselë

Apr 3, 2016 | 12:21
SHPËRNDAJE

Nis procesi i dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën në fshat. 150 certifikatat e para të pronësisë mbi tokën u shpërndanë sot, në Novoselë, ku i pranishëm ishte Kryeministri Edi Rama.

“Koha që nga dita që kemi marrë këtë zotim është 2 vjet e gjysmë, por, nëse do t’i kërkoja Drejtorit të Përgjithshëm të hipotekës të tregonte gjithë kalvarin për të përgatitur këtë proces, do duhej të rrinim këtu deri në mbrëmje, pasi situata ​që trashëgua edhe në hipotekë ishte një situatë katastrofike. Këtë situatë kemi vendosur ta ndryshojmë rrënjësisht dhe jemi duke e ndryshuar, edhe pse jemi të vetëdijshëm që ka ende jashtëzakonisht shumë probleme që lidhen me bazën e të dhënave të informacionit,” – u shpreh Kryeministri.

Argjinatura Novoselë 1

Certifikata e pronësisë për tokën bujqësore do të jenë falas dhe për këtë do të ndiqet modeli i legalizimit të shtëpive në zonat informale.

“Një mesazh, të gjithë fermerëve, të gjitha familjeve që jetojnë prej vitesh me tokën, por që edhe pse e kanë punuar atë, ende nuk e kanë marrë në zotërim, se ka ardhur momenti i tyre për të marrë një shërbim plotësisht falas nga ana shtetit, përmes një bashkëpunimi tanimë të ndërtuar plotësisht mes bashkive, njësive administrative dhe hipotekës. Atë që po bëjmë me sukses për legalizimet, do ta bëjmë me po kaq sukses, edhe për tokën bujqësore, pra, certifikatat e pronësisë për tokën bujqësore falas. Përveç burokracisë, problem tjetër ka qenë tarifa e papërballueshme për të përgatitur dokumentacionin, nga ana e kryetarëve të familjeve në fshat. Kjo i ka penguar që t’i hyjnë kësaj rruge, prandaj ne e morëm tërësisht përsipër këtë kosto,” – shpjegoi Kryeministri.

Deputetja e zonës Valentina Leskaj nënvizoi se edhe ky proces është dëshmi se qeveria ka kthyer vëmendjen nga bujqësia dhe fshati.

Ndërsa deputeti Koço Kokëdhima solli në vëmendje një problem të mprehtë, të përvetësimit të padrejtë të 11 mijë hektarë tokë, të evidentuar nga Task Forca e qeverisë, nga një grusht njerëzish në qeverisjen e kaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura