Rajmonda Bulku: Si më kërcënuan 1 vit rresht për thirrjet në shesh

Feb 21, 2016 | 18:50
SHPËRNDAJE

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991 është servirur gjithnjë si një akt burrëror, kryesisht si një meritë e politikës, konkretisht i Partisë Demokratike. Sigurisht që PD-ja ka pasur kontributin e saj madhor, por asnjëherë nuk është folur për rolin e gruas në këtë ngjarje unike.

Edhe vetë Rajmonda Bulku, që është një ndër protagonistet kryesore të asaj dite të mërkurë të 25 viteve më parë, nuk i kishte shkuar në mendje që ta shihte në këtë këndvështrim.

“Në fakt duhet theksuar roli i artistëve në përgjithë- si për ndryshimin e sistemit. Institutet e artit kanë qenë çerdhet antikomuniste, ndërsa çdo grua që doli në rrugë më 20 shkurt mbetet një heroinë”, thotë aktorja e njohur, teksa realizojmë një intervistë për gazetën “Panorama”. “Patjetër që ka pasur edhe burra heronj, por për ata është folur gjithmonë”, shton Bulku, duke dashur që për herë të parë të zbulojë sakrificën e grave në përmbysjen e sistemit komunist, ato që me një mikrofon në dorë, ajo i quajti “nëna dhe motra”.

Një thirrje komplet pa skenar, sa e fortë, aq edhe emocionale, që bashkoi mijëra qytetarë, duke i drejtuar ata drejt sheshit, ku edhe u rrëzua busti i diktatorit…

Deputetja Rajmonda Bulku

Si u gjendët më 20 shkurt në Qytetin Studenti, ku edhe drejtuat thirrjen e famshme (pak a shumë): “Le të shkojmë para televizionit, nëna dhe motra… Le të mblidhemi dhe të bëjmë një marshim proteste në solidaritet me shokët ose fëmijët tanë, me vëllezërit dhe motrat tona!”?

Isha 33 vjeçe dhe punoja në Teatrin Kombëtar. Shumë pak luanim në teatër, për të mos thënë se kishte edhe ndërprerje dhe nuk funksiononte 100 për qind, për shkak të situatës që ishte krijuar. Kishim me muaj në rrugët e Qytetit Studenti, nuk ishte e vetmja ditë që ne si artistë shkonim atje. Por me nisjen e grevës së urisë së studentëve, situata mori përmasa më të jashtëzakonshme, të tensionuara, alarmante për ne. Greva e urisë na u duk një veprim heroik, shumë i rrallë dhe i padëgjuar. Ajo ndodhte në burgjet komuniste me të dënuarit politikë, por informacioni ishte i censuruar. Kjo ishte hera e parë që një grevë urie dilte jashtë, ndaj ne, si artistë, shkuam që t’u bashkoheshim studentëve, pasi kishim frikë se mund t’u ndodhte jo vetëm diçka, por gjithçka. Mund t’i rrihnin, arrestonin, edhe vrisnin. Atë të mërkurë të 20 shkurtit vitit 1991, kam dalë në mëngjes nga shtëpia dhe fëmijët i çova te tezja, që për fat të mirë e kisha afër dhe ia lija shpesh. Burrin e kisha në punë. Por, gjithsesi, nuk është se i merrja leje kujt. Kështu dola… Dua të theksoj këtu se në vitet ’89, ’90, ’92, Teatri, Opera, Kinostudioja dhe institucione të tjera artistike me peshë, kanë qenë vatra të rëndësishme antikomuniste, kanë qenë promotorë të ndryshimeve që kanë folur nën zë dhe me zë. Në Kinostudio propagandohej hapur kundër sistemit, por nuk mund të them se na gjeti ndonjë gjë, ose spiunonin kolegët. Ka pasur solidaritet, edhe kur forcat policore kanë ushtruar dhunë mbi artistët.

Dhunë të tipit?

Ka pasur rrahje dhe arrestime ndaj artistëve asokohe, p.sh. Hektor Pustina, Ilir Demaliaj, Reis Çiço etj. kanë qenë viktima të grahmës së fundit komuniste. Roli i artistëve kundër diktaturës ka qenë i madh, pasi nëse politika dilte haptazi, artistët e kanë bërë luftën e tyre pas kuintave. Artistët kanë qenë shumë afër njerëzve të politikës, duke i mbështetur, duke u bërë pjesëtarë të çdo evenimenti antikomunist. Ka qenë një koherencë brenda shpirtit dhe mendjes sonë. Ne artistët dëshironim një gjë të përbashkët me politikën: rrëzimin e diktaturës. Kjo dëshirë më nxori nga shtëpia dhe atë 20 shkurt 1991. Pasi sigurova fëmijët, u lidha me koleget/ët e mi për t’u ngjitur në Qytetin Studenti. Po afronte ora 1 e drekës dhe vijonim të qëndronim aty, prisnim që të vinte një lajm nga Presidenti i asaj kohe, Ramiz Alia, lidhur më kërkesat e studentëve, në mënyrë që ata të dilnin nga greva.

Pse mendonit se Alia do të përgjigjej?

Mendonim se Alia do të përgjigjej, pasi situata ishte shumë keq dhe një mospërgjigjie e tij, mund të çonte në luftë civile. Studentët po vuanin aty brenda, ndërkohë që ishte frika se ata mund edhe t’i bastisnin me polici dhe t’i vrisnin. Ne që ishim jashtë, po shtoheshim nga ora në orë. Në Qytetin Studenti u krijua një Shqipëri e vogël, pasi erdhën njerëz nga rrethet, prindërit dhe të afërmit e studentëve, por edhe antikomunistë nga çdo cep i vendit, që po mbështesnin kauzën e tyre. Ishte një tension i paparë, nuk dinin se çfarë të bënin. Nga Alia nuk po vinte asnjë lajm, asnjë shenjë për negociatë. Në këtë moment, disa artistë pararendës që kanë qenë gjithmonë për ndryshimin e sistemit, si Lili Cingu, Rexhep Çeliku, valltarë të tjerë, solistë, soprano, artistë të Teatrit e Kinostudios etj., menduam që të bënim diçka…

Çfarë ishte kjo “diçka”?

Që t’i thoshim Ramiz Alisë se nuk kishte të drejtë. Kështu na lindi ideja, që të vepronim ne gratë.

Pse pikërisht të vepronit ju gratë?

Pasi ne rrezikoheshim më pak që të na vrisnin. Kudo në botë, në çdo lëvizje, është ideja që gratë të vihen përpara, pasi ato janë më me pak risk që të preken, që të qëllohen. Ne kishim ftuar shumë gra që të na bashkoheshin dhe dëshironim që të shkonim te RTSH-ja ose Presidenca.

Pse në këto dy vende pikërisht, RTSH dhe Presidenca?

Sepse në atë kohë, Televizioni ishte shndërruar totalisht në një përcjellëse zëri e çjerrë e rinisë komuniste, e punë- torëve pa vizion, e ushtarakëve të egër, edhe pse kishin mbetur pak. Në TVSH lexoheshin deklaratat e turpshme për glorifikimin e komunizmit, të dhimbshme, të tmerrshme, duke pasur parasysh se çfarë po ndodhte realisht në anën tjetër, që nuk shfaqej në televizion. Ne dëshironim që të shkonim në Televizion dhe t’i detyronim ata që të lexonin një deklaratë tonën për ndërrimin e sistemit.

Vetëm për kaq, leximin e deklaratës?

Po, por kjo nuk bëhej, nuk ndodhte, ishte ëndrra e atyre orëve. Kush do ta pranonte deklaratën e një pjese që donte të shembte komunizmin…?

Po te Presidenca, pse dëshironit të shkonit?

Kërkonim që të takonim Presidentin Ramiz Alia dhe t’i kërkonim që të shkonte të negocionte me studentët, t’u plotë- sonte kërkesat, pasi ata rrezikonin që të vdisnin aty.

Për të dyja këdo ide, që po përpiqeshit të orientonit turmën, kryesisht atë të grave, a ishit e koordinuar ndërkohë me PD-në, d.m.th. a ishte një skenar i përbashkët i juaji me këtë parti?

PD komunikonte paralelisht me qeverinë e asaj kohe, që ishin negociata politike, por që nuk kishin koordinim me dëshirat tona dhe angazhimin tonë si artistë. Minilëvizja jonë e grave dhe e artistëve ka qenë e shkëputur nga politika dhe pa asnjë skenar, gjithçka ka ardhur spontanisht. Grupimi ynë ka qenë nga thirrja gojë më gojë, por nuk kemi pasur një organizim të mirëfilltë. Aq sa disa gra arritën të shkonin te Presidenca, por nuk e takuan dot Alinë. Ai u nxori para kryetaren e gruas së asaj kohe, por që nuk kishte asnjë vlerë. Ndërkaq, unë dhe shumë gra artiste të tjera, mjaft të njohura, mbetëm në Qytetin Studenti. Aty dëgjojmë se kishte ardhur një qendër e zërit. Menduam se mos ka ndonjë lajm që vjen nga qeveria dhe duan të na e thonë përfaqësuesit e tyre. U stepëm të gjitha gratë dhe po prisnim se çfarë do të thuhej. Papritur kuptuam që nuk kishte lidhje me qeverinë, por ishin sindikalistë të Uzinës Autotraktori, që kishin gjetur një qendër zëri dhe e kishin sjellë aty. Ata flisnin kundër qeverisë, shanin regjimin, patjetër që ishte në solidaritet me grevën e urisë, por nuk kishte të bënte me këtë minilëvizjen tonë që kishim nisur. Na erdhi keq të gjithave si gra, pasi dëshironim të jepnim kontributin tonë për ata djem e vajza në grevën e urisë, por edhe për të gjithë shqiptarët. Ishte një gjendje kritike, e vështirë, e rëndë psikologjikisht, por edhe shumë idealiste. Në këto rrethana, jam gjendur poshtë asaj ndërtese. U thashë dy punonjëseve të mia të Teatrit, nuk ishin aktore: “E tmerrshme, nuk qenka qendër zëri për negociata me qeverinë, por punonjësit e Uzina Traktori! Eja të ngjitemi dhe ta themi me mikrofon në dorë, këtë që po ua propozojmë grave, që të takojmë Ramiz Alinë”. Kështu ne shkuam aty, por kishte roje. Ata më lanë vetëm mua ngaqë më njihnin si aktore, por jo dy punonjëset. U ngjita lart dhe duhet të kem qenë aq e shqetësuar, sa nuk mbaj mend njeri. Nuk e mbaja mend as Ilia Terpinin, i cili më ka dhuruar një foto pas 20 vitesh, nga ai moment ku unë kam marrë mikrofonin në dorë. Pas meje, hyn një polic dhe thotë që “do t’jua heqim qendrën e zërit”. U krijua një tension i madh, sepse unë doja që të bëja thirrjen. Pas meje ishte kolegia ime, aktore e njohur shumë, që gjithnjë kemi qenë bashkë. U morëm ca me policin. I kërkuam që të na linte. Nuk tregoi forcë për të na kërcënuar me jetë, por nuk mund të them se na toleroi. Kolegia ime mbajti policin, ndërsa unë arrita të marr mikrofonin në vetëm pak sekonda, aq sa kam bërë thirrjen.

E kishit menduar më përpara thirrjen, se çfarë do të thoshit aty para turmës?

Jo, siç e thashë, gjithçka ishte spontane. Thjesht doja t’i bëja thirrjes turmës, njësoj siç kisha mbledhur më parë gratë në rrugë. Nuk e kisha të menduar, ashtu u krijuan rrethanat. Ishte një thirrje në emër të gruas, të nënës, të motrës. Nuk e mbaj mend saktë që ta riprodhoj fjalë për fjalë…

A u bind turma?

Kur kam marrë mikrofonin dhe kam dalë në ballkon, kam parë se sa e madhe ishte turma, mijëra qytetarë në pritje të lirisë. Kam ngelur si e shtangur, ishte një emocion i paparë. Pasi u bëra thirrjen, pashë se ata më dëgjuan, u bindën dhe ishin gati që të shkonim te Presidenca dhe RTSH-ja. Kaq kishin dashur, vetëm një thirrje.

Çfarë mendoni se e bindi turmën? Ju si grua, si zë, si personazh i njohur apo… çfarë tjetër?

Nuk kam bërtitur, por mbase ishte diksioni, mbase bindja që kisha thellë meje kur bëra thirrjen, apo mbase idealet me emocionet e brendshme. Di të them vetëm që thirrja ishte e natyrshme dhe me gjithë shpirtin tim si grua, si nënë, si motër. Thirri e gjithë qenia ime! Deri në atë kohë, dëgjoheshin plot opinione të ndryshme që merrnin mikrofonin, që vërtet mbronin studentët, flisnin kundër sistemit etj., pra ishte bërë një punë voluminoze paraprake. Dhe në atë moment që fola unë, turma ishte në vlim, në kulm. Fjalët e mia kanë qenë thirrëse, jo thjesht fola. Unë thirra, unë i zhvendosa njerëzit! Thirrja me dy fjali bëri që më pas të shkallmohej monumenti i Enver Hoxhës nga mijëra njerëz. Besoj se ka qenë forca e gruas në përgjithësi që ka çuar atë ditë në rrëzimin e bustit, ndërsa unë kisha të veçantën, që isha zë i njohur. Po kujtoj një episod këtu. Një i burgosur politik më takoi atë ditë në rrugë dhe më thotë: “Më duket se më ke nxjerrë ti nga burgu”.

Thirrja juaj me mikrofon ishte që të shkonit të Presidenca ose te RTSH, si përfunduan qytetarët te sheshi, duke rrëzuar bustin e Enver Hoxhës?

Sepse po ruhej RTSH dhe ana e majtë e Presidencës, që ishte Blloku, kishte gardh policor. Por asaj lëvizjeje nuk i bënin dot më ballë forcat policore e ushtarake, nuk kthehej më mbrapsht. Nuk kishte asnjë shenjë që ajo lëvizje do të shkonte nëpër shtëpi, kështu që njerëzit filluan të shkojnë drejt qendrës dhe nisën thirrjet: Te sheshi, te sheshi…

Ju arritët të shihnit “live” rrëzimin e bustit?

Jo, unë isha duke hyrë te rrugica e Liceut për të shkuar drejt sheshit, kur kolegia ime më thotë se kemi tre njerëz me radio pas, që transmetonin: “Këto të dyja i kemi këtu, na thoni se ç’duhet të bëjmë”. Pra nuk arrita dot te sheshi kur u rrëzua monumenti dhe mbetëm aty nën tension, se çfarë do të bëhej me ne. E mbaj mend edhe sot njërin nga ata të tre, një kaçurrel me sy bojëqiell. Kur njëri me biçikletë na dha lajmin se ra busti i Enver Hoxhës, unë iu drejtova atij: Po tani, ç’do të bësh? Nuk e di pse u detyrua që të na thoshte: Ne po ju mbronim.

Nëse ju do të kishit qenë studente në atë kohë, mendoni se do të kishit hyrë edhe ju në grevën e urisë?

Nëse do të kisha qenë studente, edhe unë do të isha futur në grevë urie, pa diskutim. Ashtu siç isha një grua e re me dy fëmijë të vegjël dhe çdo ditë i lija, duke dalë rrugëve të Tiranës në tubime, për të dhënë kontributin tim kundër rrëzimit të sistemit. Doja të tregoja edhe epërsinë numerike, se jemi më shumë ne.

Pas asaj thirrjeje në shesh, a patët ndonjë pasojë?

Jam kërcënuar për një vit rresht. Pa fund, me letra anonime, telefoni nuk pushonte në shtëpi, përfshirë kërcënime edhe nga femra.

Keni identifikuar ndonjë/rën?

Letrat anonime vinin nga grupimi i vetëquajtur “Detashmenti i kuq”, që shkruanin se do të më vrisnin, më shanin, më masakronin me fjalë, mua, familjen time, fëmijët e mi. Njëherë e kam njohur një femër nga zëri në autobus, nuk ishte më shumë se sa 27 vjeçe. Po shkoja në Institutin e Fizkulturës me një shoqen time dhe dëgjoj dikë që fliste në autobus. I them: E tmerrshme, ky zë më kërcënon në telefon. Kthehem dhe shoh një vajzë të re, u tmerrova. Zbritëm dhe po ecnim për atje ku ishim nisur dhe shoh që, edhe ajo po vinte në të njëjtin drejtim, punonte tek Instituti. E pyes një mikun e burrit tim që punonte gjithashtu aty: E di ti që zëri i kësaj femre është një nga ato që më thotë se “do të të vras ty dhe fëmijët?”. Kishte qenë vërtet ajo. Miku i burrit tim kishte folur me atë dhe ajo e kishte pranuar, madje e revoltuar i kishte thënë: Çfarë i duhej asaj të dilte të thërriste ashtu, na shembi Enver Hoxhën etj. Unë për një kohë të gjatë nuk kam mbajtur fëmijët për dore, se kisha frikë. Burri im hoqi emrin nga dera se nuk pushonin letrat dhe telefoni. Më vjen shumë keq që nuk i kam ruajtur ato letra anonime…

Po nga kolegët artistë, a ke pasur probleme?

Me zë të lartë, askush nga artistët nuk na ka dalë përballë, ne grupimit kundër komunizmit. Edhe pse i dinim se kush mund të ishin pro regjimit, gjithsesi nuk na kanë rënë në sy, nuk kanë reaguar keq. Qëndruan në llogoret e tyre, por nuk u sollën egër. Të paktën, jo ballë për ballë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura