Racizmi ideologjik i Kryeministrit

Dec 16, 2015 | 12:03
SHPËRNDAJE

gjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Amor fati” është një mak simë latine, që përkthehet si “dashuria për faktin”, të cilin më vonë e ka pas përdorë Frederik Niçe për natyrën e “mbinjeriut” në një tjetër kontekst. M’u kujtua termi, tek lexoja portalet që sillnin lajmin se Kryeministri ynë, i lëshuar nervash, i zhveshur kujdesit, i frikur proteste, në rrugëtimin drejt mendimit halucinant, me gjuhë raciste, në skajin më jugor të vendit, paskësh fyer veriorët dhe Veriun e Shqipërisë, herë me nuanca e herë drejtpërdrejt, pa “lezetin” që e karakterizon.

Para se ta bëjë me fjalë, e ka bërë me akte, me përfaqësimin që u ka bërë në Parlamentin e Shqipërisë. Fjala është e para, thuhet në Bibël, ndërsa tani ajo vjen së fundmi. Formalisht, deri sa plasi dekriminalizimi, nuk bzahej për këtë punë. Duket se burri, i cili na qeveris, nuk i duron dot veriorët, demokratët, të varfrit, ku i dihet ndoshta një ditë, me të njëjtat blasfemi, do të gjuajë të gjithë ata që janë hetero etj. Personalisht, nuk kam asnjë meritë, asnjë faj, jam verior e mbi të gjitha shqiptar, nga ata që, që fëmijë kanë mësuar vjershën “nga Tivari në Prevezë, nji asht giuha, kombi nji” e besoj ende, ndonëse e pranoj gjeopolitikën e këtij shekulli, ngaqë nuk jam vizionar sa Albin Kurti.

Edhe në ëndrrën më të keqe, zor se do të guxonte të kërkonte mikpritje një fakt kësodore. Jo, një Kryeministër nuk flet kurrë kështu. Një vend normal do të çmeritej, do të befasohej, do ta përjetonte si çrregullim gjenetik, nga ato që ndodhin në të rrallë dhe do t’i mblidhte shkencëtaret në kuvend tutje tehu për të rrahur ndodhinë. Po a jemi ne vend normal me të tillë politikanë? Sigurisht jo.

Këtu gjithçka është e mundur. Por me gjasë Edi Rama, Kryeministri ynë, paskësh ëndërruar çmos kurrkush dhe tani mendon se mbërriti vakti për t’i dizenjuar ëndrrat në realitetin tonë mbingopur varfërie e trullosjeje. Kur ai përbuz gjysmën e vendit. duke përçuar ndasi e urrejtje, zor se meritojmë të quhemi Republikë Demokratike. Më mirë na rri emërtimi “Republikë Teveqelësh” të denjë për vargun “skllevër bij skllevërish jeni, liri nuk doni”. Por për “amor fati”, këtij “mbinjeriu” duhet t’ia themi disa të vërteta. E para, Shqipëria pa Veriun dhe verioret është si Shqipëria pa Jugun dhe jugorët, një trup dhe shpirt sakat.

Një Kryeministër, edhe sikur të ketë konvulsione mendore, kaq duhet ta dijë, kaq duhet ta kuptojë, kaq duhet ta thotë. Një Kryeministër i një vendi të vogël me shumë plagë historike e ndarje po të tilla, kur flet dhe përç- mon gjysmën dëshmohet si problemi më fatkeq, më i madh i kohës së tij, vetë shkandulli i saj. Deklarata si ato që Rama bëri në Sarandë janë produkt i një formimi të verbër ideologjik, sa i dëmshëm, aq edhe i dënueshëm, janë produkt frustrimesh gjithfarësoj. E vërtetë, Enver Hoxha pat dhënë urdhër “mbë ta”, “kaloni Shkumbinin për të shkatërruar reaksionin në Veri”.

Rezultati dihet, vrasje, burgime, internime, dhunë, terror në fazën e parë dhe përçarjen kombëtare e thyerje sociale si modus vivendi të regjimit të tij. Pa kurrfarë mëshire a shenje humanizmi për vendin e tij, projektoi kundërvënien Jug-Veri si pjesë të paradigmës “zhvillim-prapambetje”, “e ardhme – e shkuar”, “komunizëm-antikomunizëm”, megjithëse edhe Jugu ka vuajtur po kaq barbarisht pasojat e “birit të vet” dhe të komunizmit. Por Veriut, jo vetëm ideologjikisht, por edhe kulturalisht, iu shpall luftë.

E para e pësoi gjuha, diskriminimi i dialektit, i cili u shndërrua në të folme personazhesh negative, diversantësh dhe priftërinjsh dhe afërmendsh bartësit e saj, shkrimtarët dhe librat. Veriu u shpall si Shqipëria e vjetër, me të cilën hesapet i lan revolucioni dhe bijtë e tij proletarë. U ngritën këmbët dhe i ranë kokës, sa deshën e sa munden. Koka dhëmb ende. Me propagandën, me filmat, me letërsinë, me puthadorët e çdo spektri që dinin shkrim e këndim, apo ia merrnin zurnasë u mundua të krijojë mitin e veriorit, të paditur, anakronik e “reaksionar”.

Po, “reaksionar” ndaj aksionit të tij ishim pa dyshim, dje e sot. Një perversitet i ndyrë, si tentativë dhe rezultat. Përça e sundo, luftë klasash dhe luftë krahinore. Këtë perceptim filluan ta besojnë edhe vetë gradualisht arkitektët, vit pas viti, brez pas brezi. Të menduarit e të sjellurit i modeluan sipas tij. Besuan se inteligjenca rritet në raport me dhunën, besuan se bëhesh aristokrat, duke i marrë tjetrit gjithçka. Një iluzion me origjinë kriminale, që pas 1990-s shqiptarët u munduan ta tejkalonin duke bashkuar vuajtjet dhe aspiratat edhe për meritë të dy partive të mëdha politike që i qeverisën.

Gërdallat e socrealizmit e të strukturave kriminale të diktaturës sokaqeve të këtij qyteti, kujtojnë me nostalgji motin e madh të “dominimit” mbi Veriun, rrugëtimin e tyre “cilivizues”, pas të cilit lulëzonte vdekja dhe shija që ajo lë pas. Demokracinë dhe pluralizmin e përjetuan si më të madhen gjëmë. Janë matur gjithmonë me vitin 1938. Ndonëse koha ecte me galop, aty se aty u rrinte mendja.

Por Mbreti “malok” u kishte dhënë betejë në fushën e madhe të historisë dhe i kishte mundur përgjithmonë, në gjithç- ka, komunistët shqiptarë dhe trashëgimtarët e tyre hajdutë, paçka se ia çuan “partizanin Meke” në pallat. Tepër trishtuese e skolareske më ngjan t’i kujtoj Kryeministrit tim se çfarë përfaqëson Veriu, se kush janë gegët e mëdhenj të Alpeve. Por u dashka, ndonëse vetëbezdisem pa masë.

Pse duhet t’i kujtoj atij, kur ai duhej të na i kujtonte ne për të na bashkuar rreth tyre Skënderbeun e Nënë Terezën, Barletin e Fishtën, Bogdanin e Koliqin, Beçikemin e Camajn, Budin e Migjenin, Bardhin e Anton Pashkun, Docin e Mjeden, Dedë Gjo Lulin, Isa Boletinin, Mic Sokolin, Ymer Prizrenin, Hodo Sokolin, Sef Kosharen, Bajram Currin e Adem Jasharin, Luigj Gurakuqin e Ibrahim Rugovën, Anton Harapin e Fehmi Aganin, Shtjefen Gjeçovin e Sami Repishtin, Hasan Prishtinën e At Zef Pllumin, Gjon Shllakun e Sabri Hamitin, Pashko Gjeçin e Idriz Ajetin, Lukë Kacajn e Nexhmije Pagarushën, Çesk Zadenë e Bekim Fehmiun, Prenkë Jakovën e Fadil Berishën, Angjelin Prelocajn e Rita Orën, Lin Delinë e Anton Çeten, Gjelosh Gjokën e Engjell Sedajn, Prek Calin e Shaban Polluzhën, Ahmet Zogun e Sali Berishën e qindra të tjerë?!! Asnjëri prej tyre nuk do të donte të identifikohej si verior, por thjesht shqiptar.

Por ky është kurthi ku i fusim ne pasardhësit, duke i mbështjellë me emocione që vetë nuk i kanë pasur. Ah po, ky i fundit, Sali Berisha, duket e ka trazuar më së shumti, ku bashkë me mijëra mbështetës të Opozitës e jo u shfaq poshtë zyrës së tij, duke i kujtuar sa vulnerabël është në pushtet. Duket, të gjithë ata protestues i duken si nga Alpet, megjithëse vinin nga e gjithë Shqipëria, që zbresin turravrap për t’i kërkuar llogari, për t’i dridhur karrigen e fikur llambën, si njerëz të cilëve Berisha u tregoi detin Jon për herë të parë, si ndërtues pa leje, si vetë dreqi me brirë, që trazon gjumë e shkakton ankth.

Jugu, si gjithë Shqipëria, ka nevojë për vizione, investime, mirëqenie, punësim e standarde demokratike e jo t’i ofrosh në pjatë një armik, bashkëkombësin e vet verior, për të harrur mjerimin e vet. Edi Rama e shaloi gjokun dhe kaloi Shkumbinin për të shkuar sa më larg Tirane, për në Jug, në një të bukur vend, me njerëz nga më të fismit, për të trimëruar vetën dhe të “tijtë”, duke detraktuar ata që në mendje i vërtiten si armiq e kundërshtarë. “Të pastrojmë Shqipërinë” është motoja e tij. Kësaj here deshi ta “pastronte” nga veriorët. Çfarë nisme!!!

Haxhi Qamili desh ta pastronte nga të gjithë ata që nuk donin flamurin me sorrë e nuk e njihnin sulltanin për Babë. Foli si përçarës, foli si njeri për të cilin Shqipëria është veç fshat i dajës. Foli si ndo Zot flisnin grekofilët në vitin 1913, kur përcaktoheshin kufijtë kombëtarë.

E pra, edhe nëse një ditë Edi Rama e kupton se çfarë ka thënë, ai nuk na kërkon dot falje, duke na kujtuar Veqilharxhin, Isamil Qemalin, Konicën, Naimin, Samiun, Abdylin, Mit’hatin, Vreton, Koto Hoxhin, Negovanin, Petro Ninin, Themistokli Germenjin, Butkën, Motrat Qirizai, Gramenon, Asdrenin, Nolin, Çajupin, Bulkën, Malëshoven, Branko Merxhanin, Vangjel Koçen, Tajar Zavalanin, Abaz Ermenjin, Eqerem bej Vlorën, Petro Markon, Eqrem Çabejn, Lasgushin e Mitrushin e “Poemit kosovar”, apo mbi të gjithë, Ismail Kadarenë, i cili i kushtoi disa vite punë këtij fenomeni, me librin “Mosmarrëveshja” e shumë të tjerë, se loja me emrat të lë borxhli, një listë e gjatë, sepse të gjithë këta e përbuznin levantinizmin dhe diskurin e përçarjes.

Po aq jam i sigurt se çdonjëri prej tyre do të fyhej po të përzgjidhej thjesht si toskë e jo si shqiptar. Po ja për “amor fati” Kryeministri të fut në një të tillë fantashkencë. Kryeministri mbetet i pashoq në këtë urrejtje sot, por binom me Enver Hoxhën në histori, ndonëse për hir të së vërtetës Enveri bënte kujdes me fjalët, në shërbim të thelbit të tij kriminal. Një Kryeministër që urren, i cili racizmin e ka tipar të identitetit kulturor e politik, nuk duhet neglizhuar, sepse ai ka instrumente për ta zmadhuar gjeografinë e urrejtjes, për ta shndërruar në problem të madh ekzistencial të vetë Shqipërisë.

Edhe Kryeministri ka të drejtë për një kurë. Edhe ai mund të shërohet, por jo me vullnetin e tij. Për “amor fati”, “mbinjeriu” më rrasi në një analizë të tillë, të padëshiruar, vjegë e mundshme për shumë keqkuptime. Ani, aferim u qoftë keqkuptuesve, ndonëse shkrova për ndërgjegjen time, e jo të tyren.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura