Pse ndodhi masakra në qytetin e Shkodrës? Tanush Mulleti zbulon prapaskenat: Pse “2 prilli’ dëshmoi se Byroja Politike ishte një grup kriminal dhe terrorist

Apr 7, 2024 | 10:00
SHPËRNDAJE

TANUSH MULLETITANUSH MULLETI/ Në atë kohë, Presidenti Berisha ishte angazhuar në respektimin e Konventave para BE-së dhe Departamentit të Shtetit Amerikan. Kryesorja qe se ishte fat që punoje me një ministër si Bashkim Kopliku, shumë i përgatitur e i kulturuar, i pakorruptuar, i cili nuk kishte nevojë për përkthyes.

Nëse do e quaja përplasje, problemin e kam pasur me këshilltarët e ministrit e më lartë të shtetit si: juristët, prokurorët, ushtarakët etj., që vinin nga shkollat e indoktrinuara të komunizmit. Duhet të kujtojmë se historikisht, të burgosurit edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe në kohë të Zogut, edhe në kohë të Turqisë, kanë marrë pjesë në këto ceremoni për gëzime e hidhërime. Gjek Çela nuk u shoqërua me eskortë. Respektoi lejen. Gjeka ndryshoi mentalitetin e kuadrove të lartë dhe u bë shkak që reforma të ecte më shpejt dhe pa pengesa. Për këtë dhe të tjera morëm falënderime nga Strasburgu dhe u citua në Progres-Raportin e Shqipërisë. Me ikjen e ministrit Bashkim Kopliku, reforma filloi të frenohej.

Fatkeqësia e Gjek Çelës ishte se u ndodh në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar në atë detyrë shumë të vështirë për kohën, kur sistemi komunist ishte kalbur dhe nuk mund të mbahej më. Ishte vetëm çështje kohë rrëzimi i tij. Sipas informacioneve që kisha unë, Gjeka ka qenë student model në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Mori një profesion të imponuar nga pushteti, të cilin nuk e kishte dashur. Tregoi karakter dhe ishte burrëror. Aredin Shyti ishte me një karrierë të gjatë në Polici, duke filluar nga poshtë e deri në shkallën më të lartë të drejtimit. Në faqen 184, A. Shyti shkruan se kur u emërua zëvendës i Gramoz Ruçit, disa nga shokët e tij e bashkëpunëtorë si N. Tozaj, E. Myftari e M. Muçi e kishin këshilluar që të jepte dorëheqjen, të dorëzonte çelësat e të distancohej nga politika tradicionale e PPSH. Ndër të tjera, Neshati i kishte thënë: “Zotësinë, guximin, aftësitë policore nuk duhet ta shfrytëzojë udhëheqja e sotme e PPSH. Ai që ke në krye nuk dallon nga ata që kanë qenë”.

PLATFORMAT

Edhe pas 30 vjetësh demokraci, ne vazhdojmë themi se fajin e ka Policia (që është hallka e fundit) dhe Sigurimi i Shtetit, si “dora, veshi, syri i Partisë” e “shpata”. Harrojmë se Sigurimi ka punuar me një platformë të aprovuar nga Byroja Politike. Për këtë, ISKPK me botimin “Platformat e fshehta të Punës Operative të MPB-së”, përgatitur nga Kastriot Dervishi, viti i botimit 2022, nga faqja 133-155, kreu VII, Platforma e Punës Operative e vitit 1985, datë 12 Shkurt, ku kanë diskutuar Enver Hoxha, H. Isaj, S. Stefani, F. Çami, P. Kapo, R. Alia, P. Miska, R. Marko të cilët e miratuan njëzëri Platformën “tepër sekret”, ku shprehimisht shkruhet: “Gjithë urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret që rregullojnë aspekte të veçanta të procesit të punës operative dalin në bazë dhe për zbatim të kësaj platforme. Sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha”. (AQSH /A P, F. 14 ou, V.1985, D.9/1, fleta 44-76).

Në vazhdim të zbërthimit të Platformës kanë dalë “Masat që duhen ndërmarrë ndaj elementëve me rrezikshmëri të theksuar”, me nr. 90, datë 17.04.1987, Ekzemplar 27, sekret i rëndësisë së veçantë, 12 faqe, ku flitet ndër të tjera për Listat nr. 1 e nr. 2, që sot quhen listat e vdekjes. Kjo vërteton katërcipërisht se Byroja Politike ishte një grup kriminal, i strukturuar, terrorist; parti e paligjshme, e paregjistruar sipas Kushtetutës të asaj kohe deri në vitin ’90. (Memoria 1, viti 2021, botim i ISKK, dr. Çelo Hoxha, prof. as. Afrim Krasniqi). J. P. Sartre ka të drejtë kur thotë “ne jemi veprat tona”, këto ishin “veprat e partisë”. Më poshtë do të gjeni Platformën Sekrete të Punës Operative të MPB-së të propozuar dhe miratuar nga Byroja Politike e Partisë së Punës, që do të zbërthehej e zbatohej nga Ministria e Brendshme. Për 45 vite, komunizmi me parullën “Partia mbi të gjitha”, byroja politike në mënyrë të paligjshme në bazë të Kushtetutës ka urdhëruar pushtetin ekzekutiv. Gjatë 30 vjetëve postkomunizëm, në qoftë se dje urdhëronte partia mbi policinë, sot forca e pushtetit urdhëron “Policinë e Shtetit”, që do të thotë se sa herë do të ndërrohet pushteti duhet të ndërrojmë të gjithë kupolën dhe drejtuesit e policisë. 2 prilli u përsërit pas 20 vitesh, më 21 janar 2011 në formë arkaike, ku u vranë katër demonstrues në bulevard. 2 prillin e bënë gjimnazistët dhe populli i Shkodrës, ndërsa 21 janarin e bëri partia opozitare (PSja e asaj kohe). Paqja, demokracia dhe liria nuk mund të bashkëjetojnë pa shtetin e së drejtës. Me parullat “me ne fitojnë të gjithë”, “e mira më e madhe, numrit më të madh” dhe “kap ça të kapësh” nuk do të ndërtojmë kurrë shtet të së drejtës dhe rrezikojmë lirinë e paqen.

Shkodra përballë regjimeve

Protagonistët e 14 janarit ’91, 13 dhjetori ’91, 2 prillit ’92 duhet të mbesin në kujtesën historike jo vetëm për popullin e Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë. Në Shkodër u hoq për herë të parë busti i Stalinit, Enverit, Leninit, bashkë me të edhe komunizmi. Nder e lavdi këtyre heronjve! 2 prilli 1991 është një ditë që nuk mund të harrohet nga asnjë shkodran dhe shqiptar. Është ditë që mbetet në kujtesën e secilit prej nesh, si një nxitëse e ndryshimit të madh të Shqipërisë, që nisi pikërisht nga Shkodra. Regjimet totalitare nuk bien vetë e shkodranët ishin të parët që e kuptuan këtë. 2 prilli i 32 viteve më parë i gjeti ata në shesh duke kërkuar lirinë e mohuar prej më shumë se katër dekadash dhe demokracinë, që po u vidhej në ditët e para të saj. Dhe për këtë morën pas plumbat e një regjimi në grahmat e fundit. Nderim dhe respekt pa kufi për katër heronjtë e Shkodrës, të paharrueshmit Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Çdo shkodran është krenar për veprën e tyre. Mirënjohje atyre nxënësve dhe studentëve, popullit të një qyteti që nuk u pajtua dhe nuk do të pajtohet asnjëherë me padrejtësitë. Totalitarizmat, të çdo forme dhe krahu qofshin, kërkojnë gjithmonë reagim, e Shkodrës nuk i ka munguar asnjëherë. Lavdi dëshmorëve të 2 prillit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura