PS: Berisha ka nxjerrë në shitje kombin

Aug 31, 2012 | 11:50
SHPËRNDAJE
Mimi Kodheli

Nënkryetarja e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, duke folur për privatizimet, akuzoi qeverinë se ka nxjerrë në shitje kombin në 100-vjetorin e Pavarësisë. “Në 100-vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë, Sali Berisha ka nxjerrë kombin në shitje. Pasi fali plot qindra km katrorë të hapësirës ujore, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese, sot Sali Berisha parashikon të shesë plot 95 për qind të pronës publike, ku midis të tjerash përfshihen 1.2 milionë metra katrorë toka në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi 500 objekte e asete të tjera, gjithmonë publike”, u shpreh Kodheli. Duke folur për guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Kodheli tha se shpenzimet e Bankës, në kushtet kur më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në kufijtë e varfërisë, janë jashtë çdo logjike. “Guvernatori i Bankës rezulton të jetë guvernatori i dytë më i paguar në botë, në raport me të ardhurat për frymë. Jo vetëm kaq, por në një kohë kur Banka Botërore deklaron se shumica e shqiptarëve, plot 58 për qind e tyre, jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, guvernatorit i duket një gjë normale të shpenzojë miliarda lekë për mobilimin e zyrës, po kaq për udhëtime jashtë shtetit apo që punojnë si të mos marrin bukë me vete, apo për ekipin e volejbollit të punonjësve të Bankës, për të cilin guvernatori po e mburr se ka zënë vendin e dytë, në Ballkaniadën e bankave qendrore”, tha Kodheli. Sipas saj, qeveria dhe autoritetet vendimmarrëse po tallen me qytetarët e thjeshtë të goditur nga kriza ekonomike. “Asgjë nuk tregon më qartë se këto shifra se çfarë përmasash ka marrë tallja që po i bën Berisha dhe pushteti i tij këtij populli, në një kohë kur varfëria ka arritur në një nivel rekord, kur qindra-mijëra shqiptarë nuk ia dalin dot të mbyllin muajin”, tha Kodheli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura