“Provocateur”, Mustafa Nano: Nuk e korrigjoj veten në tezat e mia

Nov 13, 2018 | 9:14
SHPËRNDAJE

“Unë dija të shkruaja. E dija megjithatë që kjo nuk mjaftonte. Për të bërë opinionistin lipset që, përveç penës së zhdërvjelltë, të kesh ndërtuar, zhvilluar e konsoliduar një marrëdhënie tënden me botën, gjë që vjen prej aftësisë për të vëzhguar e për t’u thelluar, por mbi të gjitha prej leximeve të shumta.

nano

Kisha lexuar, ç’është e vërteta, por leximet e mia deri në atë moment kishin qenë shkel e shko, të rrëmujshme, në një masë të madhe të pavlera. Nuk është se kisha pasur shumë për të zgjedhur”. Kështu i kujton fillimet e veta si opinionist, Mustafa Nano, plot 20 vjet më parë. Kur i ka mbushur dy dekada në këtë lëmë, Mustafa Nano i ka dhënë të drejtën vetes të marrë frymë dhe të kthejë pak kokën pas. Si për të qenë tërësisht i vërtetë, pasi vetes nuk mund t’i ikësh, Mustafa Nano apo Muç Nano siç e njohin të gjithë, ka vendosur t’ia bëjë vetë pyetjet vetes dhe këtë përballje para pasqyrës, ka vendosur ta botojë. Dhe si njeri që i pëlqen të provokojë, e ka quajtur vetë veten “provokues”.

“Provocateur”, ky është titulli i librit më të ri të Mustafa Nanos, botuar nga UET PRESS, në kolanën “esse / ide & debate”. Përveç kohërave kur i hyri kësaj pune, Nano ndalet edhe në ca tema të nxehta, të cilat i merr dhe rimerr vazhdimisht dhe me të cilat gjithnjë ka trazuar ujërat. I ka përmbledhur në kapitujt “Propaganda është për demokracinë si dhuna për diktaturën”; “Është e vërtetë që shkje e shqiptarë n’mni të sho-shoqit kanë le?”; “Ne korrupsionin e shohim si zgjidhje, jo si problem”; “Unë, falë Zotit, jam ateist”. Gjatë promovimit që u zhvillua mbrëmë, nën praninë e shumë miqve dhe lexuesve të autorit, arkitekti dhe shkrimtari Maks Velo do të ndalej te modeli që ka sjellë në gazetarinë dhe mendimin shqiptar Mustafa Nano.

nani

Si një ndjekës i shkrimeve të Nanos, Velo u shpreh se temat që ai trajton në to janë gjithë me interes dhe të trajtuara me objektivitet. Te karakteri provokativ i shkrimeve të Mustafa Nanos do të ndalej prof.dr Belina Budini, shefe e Departamentit të Komunikimit në Universitetin Europian të Tiranës. “Ai mishëron opinionistin par excellence. Edhe kur ndërmerr një studim, e bën këtë nga pikëpamja e opinionistit në lidhje me objektin e studiuar, pa merakun e vendosjes së distancës emocionale, orientuar nga kriteri i shijes dhe preferencës personale.

E bën këtë si kur shprehet për librat e shenjtë, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu edhe kur shprehet për librat e Kasëm Trebeshinës apo hiperseksualizimin e mediave. Kriteri kryesor i përdorur është pra mendimi i ngritur mbi opinionin personal. Me Mustafa Nanon gjithçka nis nga opinioni i vet. Është sikur të thotë ‘Kam një opinion, prandaj jam!’ dhe shpallja hapur e kësaj motoje e shndërron atë jo vetëm në opinionistin, por edhe në provokuesin par excellence”, shkruan Budini në parathënien që shoqëron librin e “provokatorit”. Vetë Mustafa Nano do të shprehej se, “me këtë libër nuk kërkon të korrigjojë vetveten” dhe se tezave të mëparshme, të cilat kanë gjetur kundërshti të forta, vazhdon t’u qëndrojë.

E tillë ishte çështja për origjinën sllave të nënës së Skënderbeut. Nano do të shprehej se ai vazhdon t’i qëndrojë kësaj teze dhe se diçka e tillë në Mesjetë nuk përbën asgjë të veçantë, përderisa krushqitë me fqinjët kanë qenë mëse të zakonshme. Pikërisht, çështjen e fqinjësisë ai e quan shumë të rëndësishme, ndaj edhe i rikthehet fqinjësisë mes shqiptarëve dhe serbëve, të cilat nuk kanë qenë armiqësore në krye të herës, por morën këto trajta shumë më vonë.

“Historiografia shqiptare e ka stërtheksuar këtë armiqësi, e ka kërkuar edhe atje ku nuk ka qenë, duke lënë përshtypjen se ka pasur e ka për detyrë ta përcjellë brez pas brezi si një amanet të të parëve, madje si shpëtimin tonë. Uf! Edhe sikur të ishte kështu, edhe sikur kjo armiqësi të ishte amanet i të parëve, ne do të duhej të mos ia vinim veshin një amaneti të tillë, do të duhej të bënim çmos ta minimizonim këtë urrejtje, pasi nuk kemi se ç’të bëjmë metë. Serbët janë fqinjët tanë. Dhe do të jenë, me shumë gjasë, për sa kohë do të ekzistojë planeti Tokë”, shprehet Mustafa Nano.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura