Provimet e Maturës, si ndryshon struktura e testit. Ja çfarë duhet të dini

May 27, 2019 | 13:33
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Zbardhen ndryshimet në Maturën Shtetërore dhjetë ditë para nisjes së sezonit të provimeve.

maturante3

Nga pesë, maturantët do të japin sivjet katër provime me detyrim e me zgjedhje, të cilat do t’i nënshtrohen një vlerësimi të dyfishtë, profesional dhe elektronik për pyetjet me alternativa. Kjo e fundit ka çuar edhe në ndryshime në mënyrën e plotësimit të tezës, e cila do të shoqërohet me një fletëpërgjigje, që lehtëson më shumë punën e korrigjuesve.

Risi e këtij viti është fakti që maturantët e pakënaqur kanë mundësi të aplikojnë online për të marrë një kopje të testit të Maturës, pa pasur nevojë t’i drejtohen zyrës arsimore më të afërt dhe pa paguar asnjë tarifë.

1

Sa u takon provimeve, mësohet se do të ketë më shumë pyetje me alternativa, duke e çuar në 60 numrin total të pyetjeve në tezë, nga 50 të tilla. Minutazhi nuk ka ndryshuar, ndërsa numri i pikëve po (dhjetë pikë vlerësimi më shumë). Çdo maturanti do t’i nevojiten 20% e pikëve për t’u konsideruar kalues. Ata që nuk ia dalin, i nënshtrohen sesionit të vjeshtës, i cili zgjat nga 27 gushti deri më 6 shtator.

UDHËZUESI

Në provimet e Maturës nevojitet përqendrim maksimal. Jo vetëm në dhënien e përgjigjes së saktë në pyetjet me shtjellim, por edhe në rrethimin e së duhurës. Si asnjëherë më parë, pyetjet me alternativa do të alternohen me ato që kërkojnë shtjellim. Për korrigjimin e shpejtë elektronik, bashkëngjitur testit, do të jetë një fletëpërgjigje ku kërkohet edhe një herë rrethimi i përgjigjes së duhur.

Një pasaktësi e vogël apo veprim i gabuar në këtë fletë çon në penalizmin e maturantit, ndonëse në test mund ta ketë bërë saktë. Nëse për një përgjigje mbushen dy rrathë, pyetja konsiderohet e pavlefshme dhe vlerësohet me zero pikë. E njëjta gjë vlen edhe nëse qarkohet alternativa e saktë në test, por nuk mbushet rrethi përkatës në tabelën në krah të shkrimit.

DATAT E PROVIMEVE

Sezoni i provimeve të Maturës Shtetërore nis me provimet e detyrueshme në datën 7 qershor me Gjuhën e Huaj, për të vijuar me Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë pesë ditë më vonë, më 12 qershor, dhe Matematikën në datën 17. Të vetmin provim me zgjedhje, të rinjtë do ta japin më 24 qershor, duke përmbyllur kështu Maturën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura