Protesta e 11 Shkurtit/ Berisha flet për mosbindje civile: Rama të largohet një minutë e më parë ose qytetarët do e hedhin në Lanë. Thirrja jonë është për çdo shqiptar…

Feb 1, 2023 | 20:15
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur ditën e sotme në selinë blu drejtuesit politikë dhe drejtuesit e qarqeve për të diskutuar në lidhje me protestën e njoftuar nga opozita në datë 11 Shkurt përpara kryeministrisë.

Berisha foli për mosbindje civile duke theksuar se Rama duhet të largohet një minutë e më parë, ose përndryshe qytetarët do e hedhin në Lanë. Ai i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e kombit.

“Ai nuk ndalet para asnjë akti. Nuk njeh asnjë kufi. Nuk njeh asnjë normë morale, asnjë standard, asnjë ligj kombëtar apo ndërkombëtar. Edi Rama duhet të largohet një minutë e më parë, përndryshe qytetarët shqiptarë do ta hedhin në Lanë, do të bëjnë, do të rivendosin reputacionin dinjitetin, moralin e tyre.

Kurrë ndonjëherë që nga koha e Enver Hoxhës dinjiteti i këtij vendi nuk është dhunuar në këtë mënyrë. Kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është po kaq e zezë sepse ky akt korruptiv u ndërmor me qëllimin e vetëm të shkatërrimit të pluralizmit dhe demokracisë në Shqipërisë. Demokraci pa opozitë nuk ka. Me para droge dhe para të tjerë ai u përpoq dhe përpiqet në të gjitha mënyrat për të konsoliduar monizmin e tij.

Largimi i Edi Ramës me të gjitha mjetet demokratike përfshirë mosbindjen civile është sot misioni i qytetarëve shqiptarë dhe popullit opozitar. Thirrja jonë është për çdo shqiptar në Shqipëri dhe në çdo vend të Europës të bashkohemi për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin e kombit”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura