Prostitucioni, tetë muaj burg shokut të Xhuvanit. Prokuroria: Pagoi një vajzë për seks e drejtoi mjetin nën efektin e drogës

Mar 31, 2015 | 4:06
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës dënon me tetë muaj burg Erald Sidën, shokun e Kostandin Xhuvanit. I riu është arrestuar nga policia në të njëjtën kohë me Kostandin Xhuvanin, pasi ky i fundit kishte vrarë katër persona në lokal. Pas hetimeve të kryera nga organi i akuzës, ka rezultuar se Erald Sida ka qenë në tavolinë me Kostandin Xhuvani deri pas mesnate, dhe më pas ka dalë nga lokali “Ante Grand” duke u takuar me një vajzë.

Policia në vendin ku ndodhi ngjarja

Pas këtij takimi, Erald Sida është kthyer te lokali ku ndodhej shoku i tij Kostandin Xhuvani, i cili gjatë kësaj kohe kishte vrarë katër shtetas, përfshi edhe shokun e tij Arbër Demiraj. Erald Sida është ndeshur në hyrje të lokalit me Kostandin Xhuvanin dhe shokun tjetër A.B, të cilët kanë qenë duke nxjerrë nga pub-i Arbër Demirajn në gjendje të rëndë. Me një vendim të datës 16 mars 2015, togat e zeza kanë shpallur fajtor të pandehurin për akuzën e “prostitucionit” dhe “drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt”.

Sipas Prokurorisë, vepra e parë penale ka ndodhur natën e 4 nëntorit 2014, kur Kostandin Xhuvani vrau katër persona në lokalin “Ante Grand” te Rruga e Elbasanit në Tiranë. Në vendimin e gjykatës thuhet se më datë 4 nëntor 2014, i pandehuri Erald Sida ka qenë duke qarkulluar me automjetin tip “ML” me targë TR 0250N. “Në këtë makinë ai ka kryer marrëdhenie seksuale me një femër kundrejt pagesës. Pasi ka kryer marrëdhenie seksuale dhe i ka dhënë shumën përkatëse vajzës, ka shkuar te lokali ‘Ante Grand’, ku është arrestuar nga forcat e Policisë”, citohet në vendimin e gjykatës së kryeqytetit.

Ky vendim citon edhe aktet e ekspertimit, që kanë zbardhur faktin se i pandehuri kishte përdorur atë natë lëndë narkotike. “Sipas aktit të ekspertimit Nr.1055, datë 12 nëntor 2014, rezulton se në mostrën e urinës objekt ekspertimi, marrë te Erald Sida, u zbuluan gjurmë të kokainës dhe benzoilegoninës (produkt i metabolizmit të kokainës), si dhe u zbulua prania e produkteve të metabolizmit të kanabinoideve (cannabis sativa) duke konsumuar veprën penale të drejtimit të mjetit nën efektin e lëndëve narkotike”, citohet më tej në vendimin e gjykatës.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka vendosur dënimin e Erald Sidës me 9 muaj burg për veprën penale të “prostitucionit”, si dhe tre muaj burg për veprën penale të “drejtimit të mjetit në mënyrë të parregullt”. Gjykata më pas ka bashkuar këto dy dënime dhe ka aplikuar uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke vendosur përfundimisht 8 muaj burg për të pandehurin Erald Sida.
TRAZHGIM SOKOLAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura