Pronat dhe pensionet, afatet e reja dhe pagesat për të marrë dokumentet

Aug 11, 2017 | 11:05
SHPËRNDAJE

Ju duhen urgjent dokumentet e pronësisë apo dokumentet e pensionit? Mjafton të paguani më shumë dhe Arkivi i Shtetit do t’jua mundësojë brenda 5 ditëve. Tarifat e reja dhe afatet hyjnë në fuqi nga 1 shtatori, dhe për dokumentet e pronë- sisë dhe pensionet, që janë pjesa dërrmuese e kërkesave në Arkivin e Shtetit (përjashto rastet e studiuesve), me 4 mijë lekë për pensionet dhe 10 mijë lekë për pronat, do të merrni atë që ju duhet brenda një kohe rekord.

arkivi qendror

Nuk shkurtohet pak, por rreth 10 ditë, nga afati normal i kthimit të përgjigjes. Në daljen publike ditën e djeshme, zëdhënësja e Arkivit shpjegoi se Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të përmirësojë edhe shërbimet për kërkesat pronësore dhe biografike për qytetarët, duke nisur nga data 1.9.2017. Afati standard i përgjigjeve për kërkesat biografike do të bëhet 15 ditë, nga 23 që ka qenë deri më sot, sërish nëpërmjet parimit ndërkombëtar arkivor të “kërkimit me pagesë”.

Pra, qytetarët do të aplikojnë nga çdo cep i Shqipërisë në filialet qendrore të Postës Shqiptare dhe 15 ditë më vonë do të marrin përgjigjen po me postë për kërkesat biografike. Ndërkaq, prej datës 1 shtator 2017, futet edhe aplikimi me procedurë të përshpejtuar, që mund të bëhet pranë Arkivit Qendror Shtetëror, ose arkivave shtetërore vendore, ku ruhet dokumentacioni. Procedura e përshpejtuar bëhet me tarifë të diferencuar nga procedura standarde dhe përgjigjja jepet: 5 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat pronësore, 3 ditë nga çasti i aplikimit për kërkesat biografike joshkollore dhe brenda një dite pune për kërkesat biografike shkollore.

TARIFAT E REJA

Endrit Musai, drejtor i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Drejtorinë e Arkivave, në një intervistë për “News 24” sqaron modelin e ri të pagesave për çdo lloj dokumentacioni që kërkohet në Arkivin Qendror të Shtetit apo ato vendore.

“Krahas tarifave për procedura të zakonshme, do të kemi dhe procedura të përshpejtuara, ku tarifa është më e lartë se ajo që aplikohet në procedura të zakonshme. Është një praktikë e aplikuar edhe më parë, në vitet 2000. Tarifa e përshpejtuar për dokumente të pronësisë shkon rreth 10 mijë lekë për 5 ditë. Për dokumente biografike joshkollore është 4 mijë lekë, dhe për ato biografike shkollore është 4 mijë lekë dhe bëhet brenda ditës.” Për të siguruar dokumente të kohës, mjafton që qytetarët të aplikojnë me postë dhe përgjigjja vjen po në mënyrë të tillë.

“Deri në nëntor të 2016-s, aplikimet bëheshin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Prej nëntorit 2016, nëpërmjet një marrëveshje me Postën Shqiptare, këto aplikime kryhen vetëm pranë sportelit të postës, duke eliminuar kontaktin fizik dhe ulur mitmarrjen”, sqaron Musai.

BORDEROTË DHE LIBRAT E PAGAVE

Arkivit të Shtetit mund t’i drejtohen të gjithë ata qytetarë që u është afruar mosha e daljes në pension dhe vetëm tani vënë re që nuk i kanë të shënuara të gjitha vitet e punës. Drejtori i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Arkivin e Shtetit sqaron se ky institucion ka dokumente të deri përpara një dekade.

“Para viteve ‘90, pranë çdo ndërmarrjeje bujqësore, kooperative, ekzistonte një arkiv. Pas ‘90, dorëzimi i tyre u bë në mënyrë të plotë. Vitet e punës deri në vitin 2006, borderotë dhe librat e pagave të këtyre ndërmarrjeve apo institucioneve të para ‘90 që u shkrinë, si dhe një pjesë e këtij dokumentacioni u ruajt në arkivat shtetërore, kryesisht ato vendore. Më pas, i kaluan Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe ndodhen atje. Te ne ndodhen dokumentacioni i ministrive, të cilat kanë bërë emërimet e tyre nëpërmjet vendimeve të titullarëve”, bën me dije drejtori në Arkivin e Shtetit.

UNIFIKIMI I TARIFAVE

Të gjitha njësitë që përbëjnë rrjetin arkivor, ku përfshihet: arkivi qendror shtetëror, arkivi qendror teknik dhe arkivi qendror i filmit, kanë unifikuar ato tarifa që kishin. “Historikisht, që pas viteve ‘90 ka pasur një tarifë të caktuar për marrjen e të dhënave arkivore, e cila që në vitet 2000 e deri në ditët tona është ruajtur e pandryshuar, e madje edhe është ulur. Marrim rastin e kërkesave për dokumente gjeografike, për të cilat më parë tarifa ishte 1 mijë lekë të rinj dhe sot është 500 lekë. Ndërkohë, kërkesat për dokumente pronësie, tarifa e aplikimit është 1500 lekë të rinj dhe 100 lekë për fotokopje. Këto tarifa kanë ekzistuar dhe vazhdojnë të ekzistojnë. Thjesht Këshilli i Lartë i Arkivave arriti të bëjë një unifikim të tarifave”, sqaron drejtori i Inspektimeve dhe Trajnimeve në Arkivin Qendror.

Ato që drejtohen në Arkivin e Shtetit kërkojnë më së shumti dokumente pronësie, e po ashtu edhe dokumente biografike shkollore (kryesisht në arkivat vendorë). Më të paktë në numër janë ata që kërkojnë dokumente biografike. Risi për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave është katalogu online i 2 milionë titujve që janë të aksesueshëm online për të gjithë qytetarët.

tabela e tarifave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura