Pronari i firmës së ndërtimit tek Liqeni: Si ma thyen këmbën protestuesit

Mar 19, 2016 | 8:30
SHPËRNDAJE

Zbardhet incidenti i mëngjesit të dy ditëve më parë mes firmës ndërtuese e protestuesve në vendin ku po ndërtohet parku për fëmijë te Liqeni Artificial.

Pronari i kompanisë “Kassel”, Kastriot Ponari, rrëfen për gazetën të vërtetën e konfliktit me aktivistët, kërcënimet që ka marrë dhe si përfundoi me këmbë të thyer. Po ashtu, ai hedh poshtë zërat për një lidhje të drejtpërdrejtë me Bashkinë, duke sqaruar se “Kassel” është palë nënkontraktore e jo firma që ka fituar tenderin. Ndërsa çështjen premton ta çojë në gjykatë, duke paditur ata që e qëlluan me mjete të forta.

Protestuesit te Parku i Liqenit
Protestuesit te Parku i Liqenit

Jeni përfshirë në një konflikt me disa aktivistë te liqeni. Cili është versioni juaj i ngjarjes?

S’kam lidhje me Bashkinë, jam thjesht nënkontraktor i firmës “Startek”, e cila ka fituar tenderin. Ne shkuam atje për të bërë rrethimin për herë të dytë. Morëm mjetet, kamionin dhe erdhëm tek objekti. Në atë moment u afruan disa tipa dhe më kërkonin lejen e ndërtimit. Miqësisht, pa qenë i detyruar, unë iu tregova kontratën e rregullt. Nuk e dija me kë po komunikoja, më vonë mora vesh se ishte një nga aktivistët Eljan Tanini.

Ky i fundit ka deklaruar në polici se keni ushtruar dhunë ndaj tij?

Ai jep versionin e tij, por e vërteta është kjo. I pari person që m’u drejtua ishte ky, i cili edhe në polici ishte prononcuar se e kam kanosur me jetë. Ndërsa ka ndodhur e kundërta. Ai bashkë me ca të tjerë më tha: “Do të të bëjmë varrin këtu! Ndërsa unë ua ktheva se me mallin tim, me pronën time, me punëtorët e mi nuk keni punë. Iu thashë që mund të protestoni, por hapeni rrugën të shkarkojmë kamionin me rrjeta rrethimi. Duke diskutuar me të, njëri prej tyre i ishte afruar kamionit dhe tentonte të priste tubat e vinçit. Ndërsa, nga ana tjetër, erdhën ca goca që tentonin të mos linin punëtorët të shkarkonin materialet. Në moment, e largoj këtë dhe iu them që të urdhërojë të tjerët të tërhiqen, se ky qëndronte në krye të turmës prej thuajse 40 personash. Aty filluan duke ulëritur, më pas një gocë erdhi drejt meje duke m’u hedhur në kurriz. Në momentin që tentoj të largoj këtë të fundit, shoh që disa të tjerë vijnë duke më qëlluar me mjete të forta hunj a çadra, nuk e di ekzaktësisht se çfarë kishin në dorë. Në vendngjarje kanë qenë edhe nëntë punëtorë të mitë që janë dëshmitarë të asaj çfarë ndodhi.

ponari

Ju pranoni të keni qëlluar?

Nga ai moment nuk e di çfarë ndodhi, nuk mbaj mend kë kam qëlluar e kush më ka qëlluar mua. E pranoj që kam vënë dorë ndaj atyre që më janë sulur, por jam vetëmbrojtur. Di të them një nga ana ime nuk është qëlluar me mjete të forta. Më shumë kam mbrojtur kokën time.

Ju përfunduat me këmbë të thyer…

Vetëm dje (pardje) në mëngjes e kam kuptuar nga ora 7 e mëngjesit, kur kam dalë nga komisariati. Nga lodhja e tronditja nuk kam kuptuar gjë veç therjes, së cilës nuk i kushtova rëndësi, pasi mendova të ishte ndonjë ndrydhje. Një grafi në spital më rezultoi që isha me këmbë të thyer. Sot (dje) përfaqësuesja ime ka bërë denoncim.

Do ta ndiqni këtë çështje më tej?

Unë nuk ua fal këtë, çështjen do ta ndjek deri në gjykatë. Kjo nuk është hera e parë që po dhunohem. E njëjta gjë më ka ndodhur edhe përpara dy javësh, ku m’u shkaktua goxha dëm material. Aty kam bërë një kallëzim penal dhe nuk është marrë kush me këtë çështje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura