Prokuroria, 120 faqe material për ekstradimin e Frrokut nga Holanda

Apr 30, 2016 | 8:28
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Përgjithshme nisi dje procedurën ligjore për ekstradimin e Arben Frrokut nga Holanda në Shqipëri.

Arben Frroku në Gjykatë
Arben Frroku në Gjykatë

Burime zyrtare pohuan se dosja në ngarkim të Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm me një vendim të formës së prerë për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, është depozituar në Ministrinë e Drejtësisë.

Në dosje, në një total prej 120 faqesh, përveç kërkesës për ekstradim, gjenden bashkangjitur edhe vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe të Apelit për Arben Frrokun.

Referuar procedurës, gjatë ditëve në vijim, dosja do të përkthehet në Ministrinë e Drejtësisë dhe pastaj do t’u dërgohet përmes letërporosive autoriteteve të drejtësisë në Holandë, ku edhe u arrestua pak ditë më parë Arben Frroku.

Dosja është administruar nga zyra e marrëdhënieve me jashtë dhe ekstradimeve në Ministrinë e Drejtësisë.

“Referuar procedurave të parashikuara në ligj, materiali prej rreth 120 faqesh po përkthehet dhe pritet të dorëzohet pranë autoriteteve holandeze brenda mesit të javës së ardhshme.

Pas dorëzimit të kërkesës, janë autoritetet holandeze që do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendimin mbi miratimin ose jo të ekstradimit”, njoftoi dje zyra e shtypit pranë kësaj ministrie.

Shteti shqiptar nuk ka një marrëveshje ekstradimi me shtetin holandez, por kjo nuk pritet të krijojë problem, pasi kërkesa është bazuar në Konventën Ndërkombëtare të Ekstradimeve, e cila është e nënshkruar nga të dyja palët në këtë rast.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura