“Procesverbali i mbledhjes themeluese të Partisë u zhduk në vitet e Luftës”

Jun 26, 2017 | 14:45
SHPËRNDAJE

Të çuditshëm dhe provokues e vlerëson Muharrem Xhafa, ish-zyrtar i rëndësishëm në Komitetin Qendror të Partisë, debatin e çelur së fundi në gazetën “Panorama” për odisenë e zhdukjes së procesverbalit të themelimit të Partisë Komuniste shqiptare. I palëkundur në bindjet e hershme, njeriu që ka drejtuar sektorin e edukimit dhe propagandës për disa vite me radhë në forumin më të lartë të partisë, përshkruan me detaje të njëjtin version si shefi i tij Hoxha për rrethanat dhe protagonistët e themelimit të PKSH në nëntor të vitit 1941.

“Partia Komuniste e Shqipërisë është themeluar në Tiranë, thekson Xhafa, në kryeqytetin e Shqipërisë, më 8 nëntor 1941, nga komunistët shqiptarë, jo në Beograd dhe as nga komunistët jugosllavë, siç sot bërtasin tellallë të ndryshëm të serbëve e të tjerë!” I revoltuar me shënimet e Ngjelës se Zef Mala në burg i ka treguar se në procesverbalin e mbledhjes së themelimit të PKSH, Miladin Popoviç figuron si kryetari i përkohshëm i PKSH, ndërsa Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol në këtë mbledhje, ish-zyrtari i KQ thotë se është e pabesueshme që Zef Mala t’i ketë rrëfyer Ngjelës që në dokumentin në fjalë Miladin Popoviçi rezultonte se ishte zgjedhur kryetar i përkohshëm i PKSH! Po çfarë thotë tjetër në intervistën e tij Muharrem Xhafa lidhur me debatin për vendndodhjen e procesverbalit të themelimit të Partisë.

Zoti Muharrem, ju keni qenë punonjës në aparatin e KQ, madje shef i sektorit të edukimit për disa vite. A keni dijeni se ku ndodhet procesverbali i mbledhjes së themelimit të PKSH, për të cilin debatohet prej disa ditësh në gazetën “Panorama”?

Që në krye dua të them se nuk është hera e parë që bëhet kjo pyetje e diskutohet për këtë çështje, e cila (nuk e kam fjalën për ju) ngjan “e çuditshme dhe provokuese”, bëhet një çështje biznesi! Një patriot, një intelektual, një komunist, pa lëre një antikomunist, nuk mund të besohet ta ketë ditur dhe ta ketë lënë për ta thënë, pas gati tri dekadash, se ku “u ndodhka” procesverbali i mbledhjes së themelimit të PKSHsë! Unë nuk i zë besë kësaj heshtjeje! Se një antikomunist, po të kishte pasur dijeni ku ndodhej procesverbali i mbledhjes themeluese të PKSH-së, ai do të kishte “vrapuar” për ta bërë të njohur si diçka të rrallë, ashtu si është vepruar për gjëra të tjera!

Muharrem Xhafa
Muharrem Xhafa

Po diçka e zhdukur, që në kohën e fashizmit, është vështirë të dihet se kush e ka ruajtur e ku “ruhet” sot! Fashistët në Itali e bashkëpunëtorët e atyre në Shqipëri, po ta kishin disponuar në analet e veta këtë dokument të rëndësishëm, ata nuk do ta kishin lënë pa e deklaruar, qoftë edhe vetëm për presion. Po kështu do të vepronin edhe sot autoritetet shtetërore italiane. Është e sigurte që procesverbali i mbledhjes themeluese të PKSH-së është asgjësuar në regjimin fashist dhe pra askush nuk mund të dijë fatin e një diçkaje të asgjësuar. Për sa kohë që nuk ka fakte se ekziston, nuk ka as logjikë të thuhet se procesverbali i mbledhjes themeluese të PKSH-së ka “gjetur strehim” në Itali.

Pa hyrë në detaje të mbledhjes për themelimin e PKSHsë, unë mund të them si shumë të tjerë se Partia Komuniste e Shqipërisë është themeluar në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, më 8 nëntor 1941, nga komunistët shqiptarë, jo në Beograd dhe as nga komunistët jugosllavë, siç sot bërtasin tellallë të ndryshëm të serbëve e të tjerë! Di gjithashtu se në atë mbledhje shumë serioze për themelimin e PKSH-së është mbajtur një procesverbal i rregullt e me shkrim dore në disa fletore, që, e përforcoj, ka humbur e nuk është gjetur më në vitet e sundimit të egër fashist.

Nisur nga ky fakt janë “sajuar” hipoteza të ndryshme, me një synim të qartë antishqiptar: Për të shtrembëruar të vërtetën e përmbajtjes së mbledhjes historike të themelimit të PKSH-së, si edhe për të shpërndarë tym e mjegull në popull kundër Enver Hoxhës në veçanti. Sado të abuzohet me mungesën e procesverbalit, ky synim i lig bie poshtë shpejt e kollaj, po të mbahet parasysh se nga procesverbali i mbajtur në mbledhjen për themelimin e PKSH-së është nxjerrë dhe ekziston edhe sot e kësaj dite Rezolucioni i Mbledhjes për themelimin e PKSH-së i hartuar nga dy figura të shquara pjesëmarrëse të asaj mbledhjeje, Enver Hoxha e Qemal Stafa, dhe i miratuar me debat po në atë mbledhje, pa i mbyllur punimet e saj.

Po kështu është edhe Thirrja e parë e Partisë Komuniste shqiptare! Kushdo që është i interesuar për t’i parë këto dy dokumente historike të mbledhjes themeluese të PKSH-së, ai mund të shkojë t’i shohë a t’i studiojë ato në origjinal në Arkivin Qendror të Shtetit. Dua ta përforcoj këtë mendim: Ok nuk është procesverbali i mbledhjes, po është Rezolucioni i saj bashkë me Thirrjen drejtuar popullit shqiptar, të nxjerra, që të dyja, pa u mbyllur mbledhja themeluese. Që është mbajtur procesverbal në mbledhjen e themelimit të PKSH, kjo nuk mund të vihet në dyshim.

Po edhe që ky procesverbal është zhdukur në kohën kur vendi ynë ishte nën sundimin fashist italian, as kjo nuk mund të vihet në dyshim! Përjashtuar ndonjë zë i dalë vonë në vitet e sundimit të borgjezisë për qëllime të caktuara antikomuniste. Dhe tani vitet e fundit është dëgjuar ndonjë zë se procesverbali i mbledhjes për themelimin e PKSH-së ka humbur në prag të çlirimit të atdheut, kur komunistët morën pushtetin, pra për t’ia hedhur fajin pushtetit popullor.

Pa qenë nevoja të sjell për këtë argumente të tjera kundër, po përmend se historiani i njohur, Profesor Kristo Frashëri, në librin e tij “Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së (1941) sqaron, ndër të tjera, edhe çështjen e fletoreve me procesverbalet e mbledhjes që çoi në themelimin e PKSH-së, ku del qartë se procesverbali i mbledhjes për themelimin e PKSH-së ka humbur në vitet e pushtimit fashist.

Në rrëfimet e tij, Zef Mala, treguar Spartak Ngjelës në burg, rezulton se në procesverbalin e mbledhjes së themelimit të PKSH-së Miladin Popoviç figuron si kryetari i përkohshëm i PKSH-së, ndërsa Enver Hoxha nuk kishte asnjë rol në këtë mbledhje. Keni një qëndrim ndaj këtij pretendimi?

I nderuar, kundër PKSH-së dhe Enver Hoxhës nuk është lënë gjë pa sajuar, pa shpifur e pa thënë prej armiqve të saj, e sidomos gjatë gati tri dekadave të pas përmbysjes së socializmit prej shërbëtorëve të borgjezisë! Por asnjë historian i fashizmit ose bashkëpunëtor i nazifashizmit në vendin tonë, nuk ka mundur të thotë një gjë të vetme me dokumente, ndryshe nga si është thënë për mbledhjen themeluese të saj nga vetë PKSH dhe Enver Hoxha. Është “për të qeshur” kjo që thoni ju për Ngjelën! As di se në çfarë konteksti e ka risjellë Ngjela në kujtesën e tij Zef Malën!

Zef Mala
Zef Mala

E askush nuk mund të besojë që Zef Mala i qenka rrëfyer Ngjelës në burg për themelimin e PKSH-së dhe se ky Zefi, që sa më kujtohet ka vdekur vonë, i paska thënë Ngjelës që në procesverbalin e mbledhjes për themelimin e PKSH-së Miladin Popoviçi figuronte, d.m.th. ishte zgjedhur kryetar i përkohshëm i PKSH-së! Pse Ngjela flet sot që Zefi ka vdekur? E zëmë që nuk e tha, kur rronte Zefi, se kishte frikë të vërtetën, po pasi erdhi në fuqi pushteti i tij, përse Ngjela e la ta thotë sot?! Ndaj, miku im, them se gazetat e borgjezisë hanë çfarëdo lloj silazhi që u serviret! Ju të “Panorama” mos e lejoni një gjë të tillë. Për dijeni të publikut Zef Mala nuk ka qenë fare në mbledhjen themeluese të PKSH-së. As ishte një njeri që mund t’i rrëfehej në burg një Spartak Ngjele! Për më tepër që nuk ekziston ndonjë dokument që Zef Mala ta ketë thënë një gjë të tillë. Të abuzosh me emrin e Zef Malës se vdekur ose të një tjetri, ky është “mëkat”. Zef Mala qe armik i PKSH-së, por jo i pamend, siç e paraqet Ngjela.

Në kujtimet e Zef Malës, kryetar i parë i PKSH-së rezulton Miladin Popoviçi. Si qëndron e vërteta?

Nuk është e vërtetë që Popoviçi të jetë zgjedhur në mbledhjen themeluese kryetar i partisë. Nuk dua të bëj historinë e arrestimit të Miladinit, të internimit të tij nga fashistët në Burgun e Peqinit, të lirimit me aksionin e komunistëve shqiptarë e të thirrjes së tij në mbledhjen themeluese të PKSH-së, por dua të bëj të qartë se si mund të zgjidhej kryetar i PKSH-së Miladin Popoviçi, kur ky në mbledhjen themeluese as u propozua e as u zgjodh anëtar i KQ (provizor) të PKSH? PKSH-ja, Enver Hoxha dhe askush tjetër nuk e kanë mohuar rolin e Miladin Popoviçit në mbledhjen për themelimin e PKSH-së, përkundrazi e kanë vlerësuar lart, siç e meritonte.

Asnjë njeri i vdekur ose i gjallë, sado antikomunist i egër të ketë qenë e të jetë, as ka gjetur e as nuk do të mund të gjejë, përveç ndihmës së dhënë në mbledhjen themeluese të PKSH-së, një veprimtari të vetme që ta ketë drejtuar Popoviçi, duke filluar me mbledhjen për themelimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, më 23 nëntor 1941, pra fill pas themelimit të PKSH-së, ku i deleguar i KQ ishte Enver Hoxha. Tito, Mugosha, Rankoviçët e udhëheqës të tjerë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (lexojini mirë) nuk e donin Enver Hoxhën, as PKSH-në, por nuk thanë asnjëherë se Miladin Popoviçi ka figuruar apo ka qenë kryetar i përkohshëm i PKSH-së.enver

Këtë nuk e bënë as Koçi Xoxe e as armiq të tjerë të partisë e të Shqipërisë. Po të kishte qenë, këta nuk do të kishin lënë pa e thënë, nuk do t’ia linin Ngjelës për ta thënë. Krejt e trashë e absurde është ajo që thuhet se Enver Hoxha nuk paskësh pasur asnjë rol në mbledhjen themeluese të PKSHsë, kur ai ishte koka e saj. Çfarë thashë deri më tani e çfarë do të them në vijim, unë ia drejtoj popullit, njerëzve të ndershëm, jo armiqve të Partisë Komuniste e të Shqipërisë. Nuk do të hyj në hollësi për kontributet e Enver Hoxhës në luftën për unifikimin e grupeve komuniste.

As në detaje për rolin e tij në mbledhjen themeluese të PKSH-së. Veç po kujtoj disa. A e caktoi Grupi Komunist i Korçës Enver Hoxhën në përbërje të përfaqësuesve të tij për të marrë pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH-së, më 8 nëntor 1941? Po që Enveri të fliste në emër të Grupit Komunist të Korçës, d.m.th. të hapte punimet e mbledhjes themeluese, më 8 nëntor 1941, a e caktoi po ky grup? Se si grupi më veteran e më i madh i lëvizjes komuniste në Shqipëri, nderi për të çelur mbledhjen themeluese të PKSH-së i takoi Grupit Komunist të Korçës. Po propozimin me një tekst të plotë për themelimin e PKSH-së, lexojeni, a e propozoi dhe e hodhi në votë me miratimin e mbledhjes Enver Hoxha? Po në debatet teorike për sqarimin e çështjeve gjatë seancave të mbledhjes, a ka ndonjë kundërshtar që të ketë mohuar rolin e Enver Hoxhës?

Po që me votim të fshehtë, madje me pseudonime, a ka njeri të mohojë që Enver Hoxha është zgjedhur ndër 7 veta anëtar i KQ (të përkohshëm) të PKSH-së? Po Rezolucionin e mbledhjes themeluese të PKSH-së që e ka përgatitur Enver Hoxha i ndihmuar nga shoku i tij i ngushtë, Qemal Stafa, a guxon kush ta mohojë! Enver Hoxha e thotë vetë se për të siguruar unitetin në parti e nën udhëheqjen e saj askush nuk u zgjodh si kryetar ose sekretar i Komitetit Qendror (provizor) dhe se kjo u bë për të respektuar paritetin e plotë e për të shmangur gjithçka që mund të krijonte përshtypjen se një grup kishte më shumë të drejta e përparësi mbi tjetrin.

Nuk po i përmend të gjitha, por askush në botë nuk mund të mohojë se Enver Hoxha fill pas 8 nëntorit 1941 u zgjodh sekretar politik i qarkorit të Tiranës. Se në Konferencën e Parë Nacionale të Partisë në Labinot (mars 1943) Enver Hoxha u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i partisë. Se të gjitha ngjarjet e mëdha të partisë e të LANÇ-it, pa përjashtim, i ka drejtuar Enver Hoxha? Besoj se është mjaft kaq sa thashë!

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura