Prioritetet e OKB për barazinë gjinore

Mar 20, 2024 | 8:05
SHPËRNDAJE

NGA MIMOZA DAJÇI MIMOZA DAJÇI

Vijojnë të mbahen në New York punimet për sesionin e 68 të Komisionit për Statusin e Gruas. OKB e kanë njohur muajin mars si Muajin e Gruas dhe kudo në botë organizohen konferenca e tubime për të drejtat e tyre. Kjo është mbledhja më e madhe vjetore e OKB për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave nën temën prioritare “Përshpejtimi dhe arritja e barazisë gjinore, duke adresuar varfërinë dhe forcuar institucionet”. Fokusi kryesor i këtyre takimeve është trajtimi i varfërisë dhe financimit, sipas statistikave të OKB globalisht 10.3 % e grave sot jetojnë në varfëri ekstreme dhe janë më të varfra se burrat. Progresi drejt përfundimit të varfërisë kërkon investim në politika që adresojnë pabarazitë gjinore. Për të arritur suksesin deri në vitin 2030, angazhimet e vendimmarrjet duhet të jenë shumë herë më të shpejta.

Me këtë rast OKB dhe OJQ e grave së bashku janë duke zhvilluar programe tërheqëse me folës dhe ekspertë të qeverisë, OJQ dhe aktiviste nga e gjithë bota për të rënë dakord mbi veprimet dhe investimet që mund t’i japin fund varfërisë së grave dhe të avancojnë barazinë gjinore. Për të ndjekur nga afër punimet e këtij sesioni është ftuar edhe Organizata e Gruas Shqiptare – Amerikane “Shpresë & Paqe” në SHBA. Referuar materialeve informative dalë nga OKB, mësojmë se ky program gjithashtu synon të amplifikojë zërat dhe përvojat e grave dhe vajzave rurale nga rajone të ndryshme dhe të përforcojë rolin e tyre.

Fuqizimi i grave baritore në zonat malore shihet si pritshmëri e sfidave mjedisore dhe gjinore. Rajonet malore në Europë strehojnë jo vetëm bukuri natyrore mahnitëse, por edhe komunitete që kanë të rrënjosura thellë traditat baritore. Për shkak të rolit jetik që luajnë, fuqizimi i grave në komunitetet baritore është një strategji e pazëvendësueshme dhe thelbësore, pasi siguron qëndrueshmërinë e blegtorisë dhe zhvillimet efektive ndaj kërcënimeve ekologjike dhe sociale. Sipas fushave të përcaktuara, panelistet ishin veterinere, përfaqësuese të shoqatave bujqësore, blegtore, djathëbërëse, baresha nga Austria, Italia, Spanja, Rumania, Armenia etj. Disa nga punimet e këtij komisioni po mbahen ‘online’, ku përveç të drejtave të tyre, gratë dhe vajzat janë bashkuar për të nderuar të kaluarën e punës së tyre dhe për të fuqizuar të ardhmen.

Në kuadër të Sesionit të 68 për Statusin e Gruas edhe Konsullata Italiane në New York në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Italiane në New York, organizuan një drekë pune me kreun e delegacionit italian për samitin e W7, Martina Rogato dhe presidenten e W7, Claudia Segre, W20, avokate, gazetare të televizionit amerikan dhe lidere të OJQ të grave nga vende të ndryshme të botës. E ftuar dhe prezente në këtë event ishte edhe Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe”.

Në SHBA janë themeluar disa shoqata dhe organizata të grave shqiptareamerikane, shpresojmë që edhe Misionet Shqiptare të akredituara pranë OKB, të iniciojnë takime mes tyre dhe OJQ të grave e vajzave, të cilat japin një kontribut të çmuar për barazinë gjinore, kundër dhunës në familje dhe të drejtave të grave e fëmijëve. Takimet e ndërsjella do të shërbejnë në shpërndarjen e informacioneve që do të përcjellin në Shqipëri, Kosovë e trevat shqiptare, mesazhe me vlerë bashkëkohore që ndikojnë për zhvillimin e fuqizimin e grave dhe vajzave shqiptare në fusha të ndryshme të jetës.

Për të nxjerrë në pah fuqinë dhe potencialin e grave kudo në botë, ky forum shërben si një platformë dinamike për dialogun, avokimin e bashkëpunimin e OJQ dhe palëve të interesuara, të përkushtuara ndaj drejtësisë dhe barazisë gjinore, kundër trafikimit njerëzor, ku hyn edukimi, shkollimi dhe punësimi, pasi në solidaritet hartohen ura drejt një të ardhmeje, ku çdo grua mund të lulëzojë. Të mos harrojmë dinjitetin dhe bujarinë e grave dhe vajzave kudo në botë që pasqyrojnë në angazhimin e përbashkët për avancimin e të drejtave njerëzore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura