Prindërit në panik, në ushqimet për foshnja zbulohen metale të rënda

Aug 17, 2018 | 11:06
SHPËRNDAJE

Një studim i revistës Consumer Reports ka zbuluar nivele serioze të metaleve si plumbi dhe arseniku në brendet popullore të ushqimeve për foshnja në SHBA. Shumë ushqime të njohura për foshnja të shitura anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) përmbajnë sasi “shqetësuese” të metaleve të rënda, tregoi një studim i ri nga revista Consumer Reports, transmeton Anadolu Agency (AA).

1 (37)

Studimi zbuloi se 50 ushqime të shpërndara në nivel kombëtar që janë testuar, përmbanin sasi të matshme të metaleve të rënda.

Metalet e rënda përfshijnë kadmiumin, plumbin, merkurin dhe arsenikin inorganik. Këto metale mund të shkaktojnë dëm te njerëzit dhe mund të jenë veçanërisht të rrezikshme për zhvillimin mendor të fëmijëve të vegjël.

“Foshnjet dhe të vegjëlit janë veçanërisht të rrezikuar për shkak të përmasave më të vogla të trurit në zhvillim dhe sistemeve të organeve”, tha James Rogers, drejtor i hulumtimit dhe testimit të sigurisë ushqimore në Consumer Reports.

“Ata po ashtu absorbojnë më shumë metale të rënda që futen në trupin e tyre sesa të rriturit”, shtoi ai.

Nga ushqimet e testuara për foshnja, 68 për qind kishin sasi “shqetësuese” të të paktën një lloj metali të rëndë. Sipas Consumer Reports, rreth 30 për qind paraqesin rreziqe potenciale shëndetësore me vetëm një të ushqyer të foshnjave çdo ditë.

Ekspozimi ndaj metaleve të rënda nuk rezulton domosdoshmërisht në probleme shëndetësore, por rrit rrezikun e problemeve, sidomos me ekspozimin e përsëritur.

Consumer Reports ka testuar drithërat e foshnjave, perimet në kavanozë, ushqimet e paketuara dhe ushqimet e lehta si biskotat. Shumica e produkteve janë prodhuar nga dy kompanitë më të mëdha të ushqimeve për foshnjave në SHBA, Gerber dhe Beech-Nut.

Aktivistët për mbrojtjen e konsumatorëve si Fondi për Mbrojtjen e Mjedisit (EDF), thanë se Administrata e Ushqimit dhe Barnave duhet të ndërmarrë masa.

“Ndërsa efektet e ekspozimit ndaj një metali të rëndë në një ushqim të vetëm nuk mund të ndikojnë tek një fëmijë, ajo që është shqetësuese është ndikimi i akumuluar i ekspozimit ndaj niveleve të ulëta të kadmiumit, arsenikut inorganik dhe plumbit nga të gjitha ushqimet në dietë”, tha në një deklaratë Tom Neltner, drejtori i politikave të kimikateve në EDF.

“Mbrojtja e aftësisë së fëmijëve për të mësuar dhe për t’u rritur kërkon që ne të heqim dorë nga ekspozimi ndaj metaleve të rënda nga të gjitha burimet, duke përfshirë ushqimin”, shtoi ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura