Prill, më 25

Apr 7, 2021 | 9:41
SHPËRNDAJE

LEONARD-DEMI

LEONARD DEMI

Në këtë fazë të fushatës, partitë politike po kulmojnë mobilizimin për të zgjeruar mbështetjen e tyre.

Por, nga ana tjetër, këto zgjedhje po brehen nga një propagandë e egër dhe denigruese plot me shprehje ofenduese dhe përcaktime të rënda për kundërshtarët politikë, veçanërisht nga Partia Socialiste, si: anonim, ansambli polifonik i të dehurve, (një) asgjë, bandit, burg, dembel, (o) demokrat, o kokë e modhe, që e do gomarin blu, dështak, drogaxhi, gënjeshtar, garuzhde, filxhan, fle kudo që ta lësh, gomar që fle, Gjino, gjeli i agrares, gjumash, hajdut, injorant, (i) jep të djathtës frymën liberale të rakisë, kalbësirë, karagjoz, kukull, kriminel, kryepaloaço, lakuriq i natës, lolo rrugësh, mediokër, ordiner, (i) paburrë, (i) pacipë, (i) paturpshëm, përfaqësues pulash, qen bir qeni, qirja i të drejtave dhe lirive të njeriut, PD: dardhë që ka një gjarpër mbrapa, personazhe qesharake të komedive të klubeve të mbrëmjes mediatike, skuth, sherrxhinj, shpifës, tap-topi, tradhtar, tym Idrizi i doganave, vjedhës, vrasës, etj.

Ky fjalor ndezës shkrepi në mënyrën më të shëmtuar në Elbasan dhe në Tiranë, në zyrat e FRD-së. Zjarri i tij mund të minojë gjithë procesin zgjedhor, të pështjellojë gjithë shoqërinë dhe vendin tonë.

Në këtë artikull kërkoj të tërheq vëmendjen e liderëve dhe të drejtuesve politikë të qarqeve, të kandidatëve, të administratës zgjedhore, të institucioneve të sigurisë kombëtare, të institucioneve dhe grupimeve mediatike, si dhe të publikut për rrezikun që i kanoset procesit zgjedhor, po të tregohemi të mefshtë dhe të nënvleftësojmë trevën dhe kohën në të cilën jetojmë, interesat e Shqipërisë dhe interesat e disa vendeve të tjera, si Rusia, që përpiqen të pengojnë përparimin euroatlantik të të gjithë rajonit.

Kësisoj, më poshtë do të përpiqem të paraqes strategjinë e Rusisë në rajon, ndikimin apo ndërhyrjet e saj në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe disa arsye pse Shqipëria nuk mund të jetë jashtë kësaj veprimtarie.

STRATEGJIA E RUSISË NË BALLKANI PERËNDIMOR

Studiues të ndryshëm vënë në dukje se Kremlini aspiron të kthejë Rusinë lojtar të rangut të parë në çështjet e sigurimit europian, siç është Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Prania në Ballkan i jep përparësi dhe zë në çështjet strategjike dhe për këtë arsye përpiqet të hedhë bazat e veta, të rekrutojë mbështetës dhe të rritë në maksimum influencën e vet në raport me Perëndimin.

Në këtë ndërmarrje, Rusia ka vetëm një opsion: të pengojë dhe të minojë Bashkimin Europian dhe NATO-n nëpërmjet nxitjes të dasive nacionaliste, korrupsionit gjithëpërfshirës dhe kapjes së shtetit, mosbesimit të qytetarëve tek institucionet publike, propagandës dhe keqinformimit. Kësisoj, rajoni ynë ka qenë prej kohësh një territor gjuetie për shërbimet sekrete ruse, të cilat shfrytëzojnë edhe marrëdhëniet e ngushta me Serbinë. Rusia nuk mund të ndalojë integrimin euroatlantik në Ballkanin Perëndimor.

Madje, Rusia nuk mund të ofrojë as ndonjë alternativë ndaj tij, por përdor influencën e vet për të penguar përparimin e këtyre vendeve, të krijojë mosmarrëveshje, të mbajë lidhjet e veta ekonomike dhe politike dhe të injektojë rëndësinë e vet gjeostrategjike.

NJË DEKADË PËRPJEKJESH PËR KAPJE SHTETI

Paqëndrueshmëria potenciale e Maqedonisë së Veriut i ka dhënë Presidentit rus, Vladimir Putin, një mundësi të paparë për të zgjeruar influencën e vet në këtë vend.

Veprimet e specializuara të Rusisë përfshijnë ndërhyrje në zgjedhje, ndezjen e tensioneve etnike dhe provokimin e konflikteve të dhunshme, si: në zgjedhjet e vitit 2016, nxiti nacionalistët të pushtonin Parlamentin, u përpoq të shkatërronte marrëveshjen e Prespës (12 qershor 2018) për ndryshimin e emrit dhe anëtarësimin e vendit në NATO; ditën e zgjedhjeve të 15 qershorit 2020, u konstatuan sulme kibernetike, bile edhe kundër uebit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (SEC), që çoroditën publikimin e rezultateve (pati bindje për ndërhyrjen ruse, por nuk pati ndonjë akuzë zyrtare kundër Moskës për rezultatin e zgjedhjeve).

Nuk është marrë vesh kush qëndronte pas sulmit kibernetik ndaj SEC-it, por analisti ushtarak dhe i sigurisë, Milan Stefanoski, i tha televizionit TV 24, më 24 korrik 2020, se Rusia ka “sistemin më serioz” për sulme kibernitike.

Në Maqedoninë e Veriut, Rusia ka ngritur, gjithashtu grupe të instucionalizuara interneti, që kërkojnë të ndërhyjnë në opinion politik dhe në vendimmarrje (troll farm, factory), të cilat u përdorën për të goditur zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Po kështu, OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project, 2017) vë në dukje se spiunët dhe diplomatët rusë kanë propaganduar dhe provokuar përçarje në Maqedoninë e Veriut si përpjekje rajonale për të penguar vendet e Ballkanit për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE.

Një raport i inteligjencës maqedonase i përgatitur për z. Vladimir Atanasovski, drejtor i Shërbimeve të Sigurisë dhe të Kundërinteligjencës së Maqedonisë (UBK), i deklasifikuar dhe i publikuar, vëren se për dhjetë vjet me radhë (2008-2017) vendi ishte nën trysninë e një propagande dhe inteligjence të fortë subversive të ambasadës ruse.

Operacionet ruse filluan në vitin 2008, kur Maqedonia e Veriut u bllokua të anëtarësohej në NATO për shkak të emrit, si pjesë e një strategjie për të krijuar një zonë të vendeve ‘ushtarakisht neutrale’ në Ballkan, që përfshinte Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Serbinë.

Më tej, ky raport vëren se nëpërmjet burimeve dhe metodave të ashtuquajtura ‘soft power’, Moska kishte për qëllim të izolonte vendin nga ‘influenca e perëndimit’ dhe tregon disa mënyra, me anën e të cilave Kremlini kryente strategjinë e vet, si: (i) të mbante Maqedoninë në orbitën ruse të energjisë; (ii) të rekrutonte ushtarakë dhe policë maqedonas në mënyrë që të krijonte “një masë kritike ushtarakësh të trajnuar;” (iii) përpjekje për të influencuar dhe për të financuar kompani mediatike (kanale televizive lajmesh dhe informimesh të ndryshme, radio, internet, gazeta, revista, media sociale, etj.), duke përfshirë edhe ato të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për të përhapur “informacion dhe keqinfomacion” në mbështetje të qëllimeve politike të Rusisë; etj.

Po kështu, ky raport vë në dukje edhe përpjekjet e inteligjencës serbe në përkrahje të nacionalistëve kundërperëndimorë dhe pro rusë në Maqedoninë e Veriut (Bellingcat, 4 korrik 2020; OCCRP, 2017).

SPIUNË PËR TË GJITHA STINËT

Dyshja ruso-serbe e oficerëve të inteligjencës kanë krijuar lidhje me gazetarë, kritikë, analistë, propagandiste të ish-liderit autoritar maqedonas, që janë kthyer në teoricienë të konspirimit pro rus, si dhe me individë apologjetë të politikës ekspansioniste të Kremlinit.

Kështu, Maqedonia e Veriut nuk është vetëm një importues i propagandës ruse, por edhe një eksportues. Janë të njohur gazetarët maqedonas që kanë marrë pjesë në fushatat hibride të Kremlinit në vende të tjera, bile troll-ët maqedonas janë përdorur gjerësisht për të përhapur dezinformacion edhe gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016.

ZBIMI I SPIUNËVE TE ZBULIMI I JASHTËM USHTARAK RUS (GRU)

Krejt natyrshëm, veprimtaria e zbulimit rus është aktive në të gjithë rajonin, p.sh., një operativ i ekspozuar i GRU-së, Vladislav Filipov, ka zhvilluar aktivitet intensiv në Malin e Zi, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi (OCCRP, RTK Live, 20.11.2019, 16:01).

Disa histori më të reja janë, si.: më 23 shtator 2020, Sofja deklaroi si persona non grata dy diplomatë rusë, kryenin aktivitet spiunazhi në Bullgari; më 21 janar 2021, Shqipëria shpalli non grata një diplomat rus se “nuk respektoi shtrëngesat anti Covid-19”; kurse, më 1 prill 2021, Italia shpalli non grata dy diplomatë rusë pasi një syresh u kap në një parking në Romë, duke i dhënë para një zyrtari të Ministrisë së Mbrojtjes italiane në këmbim të dokumenteve sekrete ushtarake të Italisë dhe të NATO-s.

Skandalet e tashme të spiunëve, sidoqoftë, nuk janë në gjendje të dëmtojnë marrëdhëniet e ngushta, që Rusia ka në rajon, ku, kohët e fundit, disa qeveri kanë treguar një dëshirë për të mbajtur marrëdhënie të ngushta me të, megjithë incidentet e spiunimit.

PËRPJEKJET E RUSISË PËR TË NDIKUAR NË ZGJEDHJET PRESIDENCIALE AMERIKANE TË 2020

Sipas Këshillit të Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara (National Intelligence Council, Foreign Threats to the 2020 US Federal Elections, 10 March 2021, ICA 2020- 00078D), zbulimi rus ndikoi në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020.

Një sërë veprimtarësh rusë, veglat e tyre dhe një varg organizatash, vepruan fshehtazi ose hapur, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me qëllim të denigronin procesin zgjedhor, fushatën e partive, përfshirë kandidatët dhe të ndikonin në perceptimin publik në mënyrë konstante për të minuar besimin në procesin zgjedhor, për të rritur ndarjet socio-politike në popull dhe të denigronin shtetin. Këta veprimtarë përdorën kompani mediatike, median sociale dhe uebet e lajmeve.

Ngritën njësi trollesh për të propaganduar histori denigruese, shumë shqetësuese dhe nxitëse, sigurisht, të rreme, botuan përbaltje ndaj personaliteteve, kandidatëve konkurrues dhe partive politike, shpërndanë informacione për kompromise të hamendësuara, akuza për korrupsion dhe i intensifikuan për të ndikuar te zgjedhësit kudo që ndodheshin, në Amerikë apo gjetkë.

Përdorën figura të njohura dhe drejtues programesh mediatike për të karakterizuar personalitete politike konkurrues. Përkrahën kandidatë nga të dy partitë e mëdha politike, që, më vonë, pretenduan për vjedhje elektorale, duke theksuar pretendimet për çrregullime, si dhe akuzat për vjedhje të votave apo mashtrime elektorale.

QËNDRIMI I RUSISË

Ministria e Jashtme e Rusisë i ka konsideruar “absurde” akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e 15 qershorit 2020 në Maqedoninë e Veriut. Po kështu, zëdhënësi i Kremlinit e ka quajtur raportin e Këshillit të Inteligjencës Amerikane “të pasaktë, krejt pa bazë dhe pa prova”.

PSE SHQIPËRIA MUND TË JETË NJË SHËNJESTËR E GRU-SË NË BALLKANIN PERËNDIMOR? Në zbatim të strategjisë së vet në rajon, Shqipëria nuk mund të qëndrojë jashtë vëmendjes ruse për disa arsye, si: (i) Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe gëzon marrëdhëniet e ngushta dhe strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, (ii) Shqipëria është pranë hapjes së negociatave për integrimin e vendit në Bashkimin Europian, (iii) Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete shqiptare me marrëdhënie të ngushta, të cilat janë të njëjta edhe me të gjitha shtetet, ku jetojnë shqiptarë, (iv) Shqipëria mban marrëdhënie shumë të mira me fqinjët dhe përpiqet t’i forcojë ato, si: me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Italinë, Turqinë, Greqinë e më gjerë; (v) Shqipëria po fuqizohet energjetikisht dhe po merr një rol të ri rajonal në sigurimin e burimeve të reja energjetike dhe në diversifikimin e furnizimeve energjetike jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe të BE-së.

Kësisoj, konsolidimi demokratik dhe forcimi i institucioneve të Shqipërisë bie ndesh me strategjinë e Kremlinit, prandaj pështjellimet dhe konfliktet e brendshme i shërbejnë interesave të tij.

PAVARËSIA ENERGJETIKE E SHQIPËRISË

Më 12 mars 2021, Shqipëria nënshkroi me kompanitë e mëdha amerikane “Exxon Mobil Corporation” dhe “Excelerate Energy LP” një marrëveshje për ndërtimin e një terminali të gazit të lëngshëm (LNG) në Shqipëri. Marrëveshja apo memorandumi i mirëkuptimit parashikon një studim fizibiliteti, që pritet të përfundojë në tremujorin e tretë të këtij viti.

Në qoftë se ky projekt do të rezultojë efektiv, do të fillojë menjëherë ndërtimi i një terminali për gazin natyror të lëngshëm në Vlorë, i cili mund të furnizojë me energji në vitin 2023. Po kështu, centrali termik i Vlorës do të adaptohet për të përdorur LNG amerikane, duke u kthyer në një burim të konsiderueshëm energjie.

Shqipëria, kësisoj, bëhet një qendër e rëndësishme e importit dhe shpërndarjes të gazit amerikan LNG në gjithë Ballkanin dhe, përfshirë TAP, merr një rol të ri rajonal në sigurimin e burimeve të reja energjetikë dhe në diversifikimin e furnizimeve energjetike jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe të BEsë. Nga ana tjetër, ky investim e lidh edhe më shumë Shqipërinë me interesat strategjike të Amerikës në rajonin e Ballkanit.

FJALË PËRMBYLLËSE

Retorika e egër dhe denigruese plot me shprehje ofenduese dhe përcaktime të rënda ndihmon qëllimet subversioniste për të minuar procesin zgjedhor me synim pështjellime paszgjedhore tepër të dëmshme për vendin dhe shoqërinë tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura